Sociale

Qytetarët zihen në pritë, 150 mln euro taksa shtesë për bizneset e qytetarët nga1 janari

Paketa e re fiskale ul qepenat për mbi 17 mijë biznese familjare, shteti u “vjel” qytetarëve 150 mln euro nëpërmjet taksave

Mbi 17 500 biznese të reja me xhiro vjetore  në 5 mln lekë do futen në taksim TVSH-je. Rezultati i pritur: Goditje fatale për biznesin e vogël dhe shkrirje masive të sipërmarrjeve familjare që do ulin qepenat.

  • Në kulmin e krizës ekonomike, rriten taksat! 
  • Ndryshimet e reja në paketën fiskale pritet të nxjerrin nga xhepat e biznesit dhe qytetarëve rreth 150 milionë euro shtesë në buxhetin e shtetit.
  • Barra më e rëndë për konsumatorët do të vijë nga rritja e TVSH-së së përgjithshme në 21%, e cila do të shtrenjtojë drejtpërdrejt shumicën e mallrave dhe shërbimeve të përditshme.
  • Përveç kësaj, rritja e akcizës së duhanit dhe shtrenjtimi i TVSH-së për turizmin do të ndikojnë faturën përfundimtare të çdo familjeje.
  • Nga ana tjetër, ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë do të fusë në skemë 17.5 mijë biznese të vogla, çka rrezikon të bartet sërish te çmimet për qytetarët.
  • Dhoma e Tregtisë, eksportuesit dhe prodhuesit kundërshtojnë paketën, duke paralajmëruar goditje ndaj investimeve, vendeve të punës dhe çmimeve.

Ky nuk është më shtet ligjor; ky është një pritë financiare në errësirë ku biznesi nuk trajtohet si partner, por si pre e radhës. Ku “Shteti i prapaskenave”, duke hartuar ligje në korridore të mbyllura goditi pas shpine pikërisht ata që mbajnë me gjak e me djersë buxhetin e shtetit, bizneset e vogla. Paketa Fiskale 2027 po kthehet në një përplasje të fortë mes qeverisë dhe sipërmarrjes. Ndërsa ekzekutivi synon të shtojë arkëtimet në buxhet, bizneset paralajmërojnë se fatura do të paguhet nga kompanitë, konsumatorët dhe sektorët që tashmë po përballen me kosto të larta dhe vështirësi financiare.

Sipas përllogaritjeve të revistës ekonomike Monitor, bazuar në relacionet e projektligjeve të Ministrisë së Financave, ndryshimet e propozuara do të sjellin një efekt neto prej 14 miliardë lekësh, ose rreth 150 milionë euro të ardhura shtesë në vit.

Këto para nuk do të vijnë nga ndonjë aktivitet i ri ekonomik, por kryesisht nga rritja e tatimeve ekzistuese, zgjerimi i numrit të bizneseve që paguajnë TVSH dhe shtimi i akcizave.

Paketa e re fiskale, prek edhe aspekte të tjera të sipërmarrjes. Qeveria ul pragun e regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke përfshirë në skemë 17 mijë biznese të vogla që do të paguajnë këtë taksë.Nga 1 janari i 2027-ës, të gjitha bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH-në, e parashikuar tanimë prej 21%.Në relacionin që shoqëron këtë vendim që do të miratohet në qeveri, thuhet se kufiri i regjistrimit të bizneseve për TVSH, në Shqipëri është më i larti në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.Nga kjo ulje e pragut preken 17.516 tatimpagues që do të futen në skemën e TVSH-së, e praktikisht do të nisin ta paguajnë.“Përfshirja e subjekteve në regjimin normal të TVSH-së mundëson deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët e përfshira në transaksion, duke mundësuar gjithashtu kryqëzimin e këtij informacioni në funksion të mirëadministrimit të tatimit”, thuhet në relacion.Buxheti i shtetit pritet të përfitojë 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë ose 150 mln euro.Barrë e rritur fiskale dhe për bizneset e mëdha me xhiro mbi 14 milionë lekë. Tatimi mbi të ardhurat për korporatat apo thënë më thjeshtë, tatimi mbi fitimin, nga 15% aktualisht shkon në 17% prej vitit që vjen.Rritje e fortë dhe për dividentin. Sipas propozimit, pjesa e fitimit neto që një shoqëri u shpërndan aksionarëve, rritet në 15 përqind, nga 8 përqind që është në fuqi nga viti 2019.

Bilanci Neto i Paketës Fiskale: Kush fiton dhe kush humbet nga taksat e reja që hyjnë në fuqi nga 1 janari?

Ulet TVSH e ushqimeve

Shkalla e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet e shportës bazë ulet nga 20 për qind që është aktualisht në 6 për qind.

Kjo ulje do të zbatohet për produktet kryesore si buka, mielli, qumështi, kos natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi (pule, viçi, derri), peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet për foshnja.

Sipas relacionit të ministrisë së Financave, kjo lëvizje ul barrën fiskale me 12.8 miliardë lekë ose 140 milionë euro në vit për qytetarët.

Por rritet TVSH për gjithçka tjetër

Shkalla Standarde e TVSH-së që zbatohet për të gjitha produktet dhe shërbimet e tjera përveç ushqimeve do të rritet nga 20 për qind që është aktualisht në 21 për qind nga 1 janari 2027.

Kjo do të thotë rritje e çmimit të karburanteve, energjisë, ujit, dhe çdo produkti apo shërbimi në treg. Kjo lëvizje e rrit barrën e taksave me 10.6 miliardë lekë ose 116.78 milionë euro.

Me pak fjalë, lehtësimi i uljes së tvsh-së për ushqimet, pothuajse asgjësohet nga rritja e kësaj takse për çdo gjë tjetër në treg.

Shtrenjtohen pushimet dhe hotelet

Shkalla e reduktuar për shërbimet e akomodimit në strukturat hoteliere, agroturizëm dhe hotelet me pesë yje (status special) rritet nga 6% në 10%. Ky ndryshim e rëndon barrën e taksave për qytetarët me 6.76 milionë euro shtesë në vit.

Masakrohen profesionistët e lirë

Pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së ulet nga 10 milionë lekë xhiro vjetore që është aktualisht, në 5 milionë lekë duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo masë detyron rreth 17,516 biznese të reja të paguajnë TVSH duke e rënduar barrën fiskale me rreth 50 milionë euro në vit.

Kjo masë godet rëndë të ashtuquajturat profesione të lira, ku hyjnë mjekët, avokatët, berberët, gazetarët free lance, dentistët etj etj, të cilët për nga natyra e biznesit nuk kanë blerje dhe pothuajse e gjitha TVSH u shkon drejtëpërdrejtë si taksë mbi xhiron.

Taksat mbi pagat

Tatimi mbi pagat pëson dy ndryshime që ecin në kahun e kundërt me njëri tjetrin. Pragu i aplikimit të taksës 13 për qind rritet nga 200 mijë lekë në muaj që është aktualisht, në 300 mije lëkë në muaj bruto (bazë tatimore vjetore deri në 3,240,000 lekë pas zbritjeve).

Taksa 23 për qind, e cila sot aplikohet duke filluar nga 200 mijë lekë, nga 1 janari nis e aplikohet mbi 300 mijë lekë.Ky ndryshim ul barrën shtresës së mesme me rreth 22 milionë euro në vit, rrjedhimisht duke u rritur pagat neto për rreth 25,704 punonjës.

Por për rrogat e majme futet një shkallë më e rëndë takse. Sipas paketës, për pjesën e pagave mbi 700 mijë lekë në muaj, tatimi mbi të ardhurat bëhet 32 për qind duke u vendosur kështu një shkallë e re progresive.

Ky tatim mbi pagat e larta prek rreth 1,293 punonjës duke ja u rritur taksat me 11.1 milionë euro në vit. Në fundi, efekti neto i ndryshimeve në taksën mbi pagat është 11 milionë euro lehtësim.

Tatimi mbi Fitimin dhe Kapitalin

Tatimi mbi Fitimin e Korporatave (Biznesi i Madh), rritet nga 15% që është aktualisht në 17% nga 1 janari. Përjashtim bën biznesi i vogël dhe i vetëpunësuarit me xhiro deri në 14 milionë lekë, të cilët qëndrojnë me normë 0% deri në vitin 2029. Ky ndryshim e rrit barrën e taksave me rreth 55 milionë euro në vit për biznesin.

Tatimi mbi Dividendin

Tatimi mbi dividentin rritet nga 8% që është aktualisht, në 15% duke filluar nga 1 janari dhe unifikohet kështu me të gjitha të ardhurat e tjera pasive nga investimet (interesat, qiratë etj.)Kjo rritje pritet të sjellë të rëndojë barrën fiskale për biznesin me 33.5 milionë euro të tjera në vit.

Hesapi

Sipas përllogaritjeve të bazuara në shifrat zyrtare të paketës së re fiskale, efekti neto i kësaj reforme do të rëndojë xhepat e biznesit dhe qytetarëve.

Ky bilanc tregon se rritja masive e taksave mbi kapitalin dhe konsumin e përgjithshëm e tejkalon ndjeshëm lehtësimin e marrë nga ushqimet e shportës dhe pagat e mesme.

 

Biznesi kundër Paketës Fiskale 2027: taksat e reja, alarm për investimet dhe punësimin

Paketa Fiskale 2027 po has kundërshtim të fortë nga organizatat e biznesit, të cilat paralajmërojnë se rritja e disa taksave mund të rëndojë sipërmarrjen në një moment të vështirë për kostot, eksportet dhe kursin e këmbimit. Kritikat nuk ndalen vetëm te përmbajtja e masave, por edhe te mënyra se si, sipas përfaqësuesve të biznesit, po shtyhen përpara pa konsultim real.

Cilat masa po kundërshtohen

Në qendër të kundërshtimeve janë disa nga ndryshimet e parashikuara në paketë: rritja e tatimit mbi fitimin në 17%, rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% dhe ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Pro Export Albania thonë se këto masa do të shtojnë barrën fiskale për bizneset, në një kohë kur një pjesë e sipërmarrjes po përballet me kosto të larta operative dhe me efektet e zhvlerësimit të euros.

Dhoma e Tregtisë: jo kundër reformës, por kundër rritjes së barrës

Dhoma e Tregtisë sqaron se mbështet uljen e TVSH-së në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, një kërkesë që, sipas saj, është paraqitur prej vitesh. Por ajo kundërshton që kjo lehtësi të shoqërohet me rritje të tjera taksash për biznesin dhe konsumatorët.

Turizmi dhe biznesi i vogël në fokus të shqetësimeve

Një tjetër pikë e debatueshme është TVSH-ja për turizmin. Sipas Dhomës së Tregtisë, rritja nga 6% në 10% vjen në një moment të papërshtatshëm për sektorin, kur euro është dobësuar dhe kontratat për sezonin 2027 po lidhen me çmime fikse.

Kundërshtim ka edhe për uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë. Përfaqësuesit e biznesit argumentojnë se kjo do të prekë drejtpërdrejt dyqanet e vogla, zejtarët dhe shërbimet e lagjeve, duke rritur rrezikun që një pjesë e tyre të shtyhen drejt informalitetit.

Çfarë kërkojnë organizatat e sipërmarrjes

Pro Export Albania, që përfaqëson interesat e sektorit prodhues dhe eksportues, paralajmëron se rritja e mëtejshme e barrës fiskale vjen në një periudhë kur ky sektor po përballet prej vitesh me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës.

Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore deri në zhvillimin e një konsultimi me biznesin, ruajtjen e normave aktuale për tatimin mbi fitimin, TVSH-në standarde dhe pragun e TVSH-së, si edhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin. Po ashtu, ajo kërkon publikimin e analizës së ndikimit për investimet, punësimin, çmimet, konsumin, informalitetin dhe konkurrueshmërinë.

Në thelb, përplasja nuk është vetëm për përqindjet e taksave, por për koston reale që ato mund të kenë mbi ekonominë dhe për mungesën e një procesi konsultimi që biznesi e konsideron të domosdoshëm para çdo vendimi përfundimtar.

Paketa Fiskale 2027 po paraqitet kështu si një test jo vetëm për politikën tatimore, por edhe për mënyrën se si institucionet dëgjojnë ose anashkalojnë aktorët që preken drejtpërdrejt nga këto vendime.