Këshilli i Sigurimit i OKB-së dështon: Rusia dhe Kina vënë veton për rezolutën për Ngushticën e Hormuzit, ndërsa, SHBA-ja shpall pauzë dyjavore pas ultimatumit
Nga Beqir SINA – New York
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dështoi të miratojë një rezolutë që synonte të rriste sigurinë dhe të rihapte Ngushticën e Hormuzit, korridorin jetik detar që mbetet kryesisht i mbyllur për tregtinë globale dhe ndihmën humanitare. Në ndërkohë që lufta midis SHBA-së (me Izraelin) dhe Iranit vazhdon të shkaktojë tensione të rënda në rajon.
Njëmbëdhjetë vende votuan në favor të draft-rezolutës së paraqitur nga Bahreini, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithatë, anëtarët e përhershëm si Kina dhe Rusia ushtruan të drejtën e vetos, ndërsa Kolumbia dhe Pakistani abstenuan.
Drafti i zbutur kërkonte koordinim mbrojtës midis shteteve për të siguruar lirinë e navigimit, duke përfshirë shoqërimin e anijeve tregtare. Ai kërkonte gjithashtu që Irani të ndalonte menjëherë sulmet ndaj anijeve dhe pengimin e transitit në ngushticë, e cila ndodhet midis Iranit, Omanit dhe Emirateve.
Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, shprehu keqardhje të thellë. Ai tha se dështimi i Këshillit dërgon “sinjalin e gabuar” në botë: kërcënimi ndaj rrugëve ndërkombëtare detare mund të kalojë pa veprim vendimtar nga organizata përgjegjëse për paqen globale.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, deklaroi se SHBA-ja qëndron plotësisht me Bahreinin dhe popujt e Gjirit. Ai kujtoi se 47 vjet më parë Irani mori peng amerikanë, dhe tani “po mban peng Ngushticën e Hormuzit dhe ekonominë botërore”.
Waltz theksoi se ngushtica është tepër e rëndësishme për të lejuar që një shtet ta përdorë si armë.
Rusia, përmes ambasadorit Vassily Nebenzia, e quajti rezolutën të njëanshme sepse nuk përmendte “sulmet e paligjshme” të SHBA-së dhe Izraelit. Kina, përmes Fu Cong, tha se drafti nuk kapte shkaqet rrënjësore të konfliktit në mënyrë të balancuar. Irani, përmes Amir Saeid Iravani, e konsideroi tekstin si përpjekje për të ndëshkuar “viktimën” që mbron sovranitetin e vet.
Pesëmbëdhjetë vende janë anëtare në Këshillin e Sigurimit, ku pesë anëtarët e përhershëm (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja) kanë të drejtën e vetos. Dhjetë të tjerët janë jo të përhershëm.
Zhvillimet më të fundit nga SHBA-ja (7 prill 2026):
Pak orë para afatit të orës 20:00 ET (mesnatë në Shqipëri), Presidenti Donald Trump shpalli një pauzë dyjavore të sulmeve ndaj Iranit. Ai e kushtëzoi këtë me hapjen e menjëhershme, të plotë dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit.
Trump kishte kërcënuar më herët se, nëse nuk arrihej marrëveshje, do të shkatërronte centrale elektrike, ura dhe infrastrukturë tjetër iraniane, duke paralajmëruar se “një civilizim i tërë mund të vdesë sonte”.
Pauza erdhi pas bisedimeve me udhëheqësit e Pakistanit (Kryeministri Shehbaz Sharif dhe Shefi i Ushtrisë Asim Munir), të cilët ndërmjetësuan.
Irani pranoi ceasefire-in dyjavor dhe deklaroi se do të lejojë kalimin e anijeve tregtare për dy javë, nën koordinim me forcat e tij ushtarake.
Negociatat pritet të fillojnë të premten në Islamabad. Izraeli gjithashtu pranoi pauzën.
Çmimet e naftës ranë pas lajmit, por tensionet mbeten të larta sepse ngushtica transporton rreth një të pestën e naftës botërore.
Ky zhvillim tregon dështimin e diplomacisë multilaterale në OKB dhe rritjen e rolit të ndërmjetësve si Pakistani.
Tani mbetet për t’u parë : “A do të çojë pauza e përkohëhshme në një paqe të qëndrueshme, apo është vetëm një pushim i përkohshëm para eskalimit të ri? Si ndikon kjo në ekonominë globale dhe në çmimet e energjisë për vendet si Shqipëria?”

