JET Bank: Si një rrjet mashtrimesh Forex dhe lojërash të paligjshme solli bankën e parë dixhitale në Shqipëri
Hetimi i disa muajve zbulon se pas bankës së parë plotësisht dixhitale në Shqipëri qëndron një pronar i lidhur me platforma Forex të palicencuara, një bord me figura nga skemat mashtruese ndërkombëtare dhe një strukturë offshore që fsheh 30 për qind të aksioneve. Ndërkohë, ndryshimet ligjore të miratuara në Parlament u hapën rrugën kompanive të lidhura me këtë bankë për të përfituar taksa zero në parkun famëkeq të Durana, i njohur për lidhjet me krimin e organizuar.
Hetimi i disa muajve zbulon se pas bankës së parë plotësisht dixhitale në Shqipëri qëndron një pronar i lidhur me platforma Forex të palicencuara, një bord me figura nga skemat mashtruese ndërkombëtare dhe një strukturë offshore që fsheh 30 për qind të aksioneve. Ndërkohë, ndryshimet ligjore të miratuara në Parlament u hapën rrugën kompanive të lidhura me këtë bankë për të përfituar taksa zero në parkun famëkeq të Durana, i njohur për lidhjet me krimin e organizuar.
Pronari me histori të dyshimtë: nga backgammon-i i ndaluar te Forex-i pa licencë
Idan Avishai, shtetas britanik me origjinë izraelite, kontrollon 71.5 për qind të JET Bank përmes një zinxhiri kompanish në Holandë dhe Qipro. Por karriera e tij para bankës shqiptare është e mbushur me episode alarmante.
Mes viteve 2005 dhe 2008, Avishai shërbeu si Drejtor Marketingu në Interlogic, kompania që operonte platformën Play65, një faqe backgammon online ku lojtarët mund të vinin baste me para reale.
Në dhjetor 2006, Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit urdhëroi mbylljen e aktivitetit me para reale të Play65, duke e cilësuar atë si formë lojërash të paligjshme. Policia izraelite njoftoi kompanitë e kartave të kreditit se çdo transaksion me keta operatorë lojërash online do të konsiderohej vepër penale.
Pas Play65, Avishai u zhvendos në botën e tregtimit online Forex. Ai e lidhet me platformën Fortrade, e cila operon edhe me emrin FXLider. Në vitin 2018, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në Shqipëri e raportoi Fortrade për ushtrimin e aktivitetit financiar të palicencuar në vend. I njëjti raportim u bë edhe nga autoriteti rregullator në Kroaci. Pavarësisht kësaj, Fortrade vazhdon të ofrojë shërbime për klientët shqiptarë përmes degës së saj në Serbi, ndërsa Avishai fshiu emrin e Fortrade nga profili i tij i LinkedIn vetëm pasi gazetarët filluan të bënin pyetje.
Në vitin 2017, Avishai regjistroi në Britani kompaninë S.O.N Management LTD, së bashku me bashkëshorten e tij Chen Zytman Avishai. Profesioni i tij në regjistrin tregtar britanik është listuar thjesht si “tregtar”.
Anëtar i bordit të JET Bank është Oliver Hemmer, një shtetas nga Lihtenshtajni. Hemmer ka qenë drejtor menaxhues dhe pronar përfitues i kompanisë GRF Europe OÜ me seli në Talin, Estoni, e cila operonte platformën 4XFX. Kjo platformë u lançua në fillim të vitit 2018 si pasardhëse e XTraderFX, një skemë mashtruese e drejtuar nga izraeliti Gal Barak.
Gal Barak u arrestua në Bullgari në janar 2019 me kërkesë të autoriteteve austriake. Në shtator 2020, ai u dënua me katër vite burg për mashtrim të rëndë tregtar dhe larje parash. Gjykata austriake konstatoi se Barak kishte manipuluar softuerin e tregtimit dhe drejtonte një organizatë kriminale kibernetike, duke shkaktuar humbje globale prej më shumë se 200 milionë eurosh.
Sipas raportimeve të FinTelegram, Oliver Hemmer përshkruhet si “thjesht një figurë ballë”, një drejtor që mban pozicione të shumta në emër të klientëve të tij përmes kompanisë së tij CMC Corporate Management Consulting. Dy kompani të lidhura me 4XFX ku Hemmer shërbente si drejtor ishin GRF Europe OÜ në Estoni dhe Rock Intl Ltd në Ishujt Marshall.
Banka e parë dixhitale shqiptare u prezantua si një inovacion i madh për tregun financiar të vendit. Por flitese se në krye të JET Bank qëndron një pronar i lidhur me lojëra të paligjshme dhe Forex të palicencuar. Në bordin e saj ulet një figurë që ka qenë pjesë e një skeme mashtruese ndërkombëtare me humbje mbi 200 milionë euro.

Megjithëse 4XFX funksionoi vetëm disa javë, ajo mori paralajmërime nga rregullatorët më të rëndësishëm në botë. Autoriteti britanik FCA, homologu spanjoll CNMV dhe rregullatori estonez Finantsinspektsioon e vendosën platformën në listën e zezë. Gjithashtu, Manitoba Securities Commission në Kanada dhe AMF e Québec-ut lëshuan alarme për investitorët, duke konfirmuar se 4XFX nuk ishte dhe nuk kishte qenë kurrë e regjistruar për tregtim titujsh.
Dëshmitë e investitorëve janë shkatërruese. Një prej tyre raportoi se brokeri i tij, i quajtur “Steven Bauman”, hapi tregtime humbëse pa autorizimin e tij, duke fshirë 54,000 dollarë nga llogaria brenda një ore. Investitorë të tjerë raportuan se kërkesat e tyre për tërheqje fondesh u anulluan nga platforma pa asnjë njoftim. Një investitor tjetër raportoi humbje prej 7,000 eurosh dhe identifikoi Oliver Hemmer si pronar të kompanisë.
Rrjeti i Gal Barak-ut operonte të ashtuquajturat “boiler rooms” në disa vende të Ballkanit. Në Sarajevë vepronte Capital Markets Solutions, në Beograd dy kompani, Cactus Marketing dhe My Markets, ndërsa në Kosovë vepronte Silkline Group. Ky i fundit kishte si partner shtetasin Betim Tasholi, i njohur ndryshe si “Bet90” si edhe shtetasin kosovar Azem Saphiu, i arrestuar nga per mashtrim me FOREX në Gjermani.
Oliver Hemmer figuron gjithashtu në bazën e të dhënave Offshore Leaks të ICIJ, e njohur si Paradise Papers. Ai është aksionar i kompanisë E-Commerce International Limited në Maltë dhe aksionar, drejtor dhe përfaqësues ligjor i Octagon Industries Limited, gjithashtu në Maltë. Adresa e tij e regjistruar është në Lihtenshtajn. Emri i tij shfaqet edhe në regjistrin korporativ të Barbados-it.
Anëtari tjetër i bordit, Rami Solomon, është një ish-zyrtar izraelit për të cilin nuk ekziston asnjë informacion publik i verifikueshëm për karrierën, kualifikimet apo përvojën në sektorin financiar.
Java e kaluar, deputetët e Partisë Socialiste miratuan ndryshime ligjore që lidhen me parkun teknologjik Durana, një objekt i njohur për lidhjet me krimin e organizuar. Këto ndryshime u mundësojnë kompanive të regjistruara atje, përfshirë JET TECH, të përfitojnë lehtësira fiskale me zero taksë, si dhe të marrin licenca për të hapur banka online pa degë fizike.
Aksionerët e JET Bank kanë hapur këtë kompani në Durana pikërisht për të mos paguar asnjë taksë për shërbimet që do t’i ofrojnë njëra-tjetrës. Pra, e njëjta strukturë që kontrollon bankën do të përfitojë edhe nga zero taksimi falë ndryshimeve ligjore të miratuara nga shumica parlamentare.
Banka e parë dixhitale shqiptare u prezantua si një inovacion i madh për tregun financiar të vendit. Por flitet se në krye të JET Bank qëndron një pronar i lidhur me lojëra të paligjshme dhe Forex të palicencuar. Në bordin e saj ulet një figurë që ka qenë pjesë e një skeme mashtruese ndërkombëtare me humbje mbi 200 milionë euro. Gati 30 për qind e aksioneve të bankës mbahen nga pronarë të fshehur pas pesë kompanive izraelite. Dhe ndërkohë, ndryshimet ligjore të miratuara në Parlament i hapën rrugë kompanisë së tyre në parkun Durana për të përfituar taksa zero.
Pyetjet tani u drejtohen institucioneve mbikëqyrëse: AMF-së, Ministrisë së Financave, Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe MONEYVAL. A do të veprojë secili prej tyre brenda fushës së përgjegjësisë së vet? A do të mbetet ky boshllëk ligjor i hapur për t’u shfrytëzuar edhe nga të tjerët? Dhe më e rëndësishmja, a mund të ndihen të sigurt qytetarët shqiptarë kur u thuhet se kjo është “banka e së ardhmes”?

