Shqipëria në listën e zezë të raporteve ndërkombëtare: Korrupsion, afera me tenderët, presione ndaj drejtësisë dhe fshehje pasurie
Korrupsioni, vjedhja e miliona eurove përmes tenderave, fshehja e pasurive të politikanëve të vendit tonë na vendosi në listën e zezë të korrupsionit sipas raportit të Transparency International.
Sistemi gjyqësor vuan nga mungesë eficience, me procese të ngadalta dhe burime të pamjaftueshme. Shoqëria civile përballet me presion dhe mungesë mbështetjeje, ndërsa financimet janë në rënie. Politika e vizave nuk është ende e harmonizuar me BE-në, duke mbetur një tjetër pengesë në procesin e integrimit.
Raporti i fundit i Transparency International për vitin 2025 evidenton se Shqipëria vazhdon të përballet me probleme të thella në funksionimin e shtetit të së drejtës, ku përparimet e izoluara nuk arrijnë të kompensojnë dobësitë strukturore në disa sektorë kyç. Një nga treguesit kryesorë mbetet niveli i korrupsionit, ku vendi renditet me 42 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke reflektuar një situatë që konsiderohet ende problematike në raport me standardet ndërkombëtare.Ndër shqetësimet më të mëdha të evidentuara në raport është mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Procedurat e prokurimeve publike vazhdojnë të karakterizohen nga mungesë publikimi të planeve dhe përdorim i shpeshtë i procedurave të negociuara, duke rritur rrezikun për favorizime dhe abuzime. Në të njëjtën linjë, raporti nënvizon edhe përdorimin e fondeve shtetërore gjatë fushatave elektorale, një praktikë që mbetet shqetësuese për integritetin e proceseve zgjedhore. Një tjetër problematikë thelbësore lidhet me ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë. Sipas raportit, pavarësia e institucioneve gjyqësore vijon të cenohet nga presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i aktorëve politikë, veçanërisht në çështje të ndjeshme korrupsioni. Kjo situatë ilustrohet edhe nga nisma ligjore të fundit që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë gjatë hetimeve, të cilat janë interpretuar si përpjekje për të dobësuar mekanizmat e llogaridhënies.Megjithëse SPAK përmendet si një nga institucionet me progres më të dukshëm, duke ndërtuar një rekord më të qëndrueshëm në hetimin e korrupsionit në nivele të larta, raporti thekson se pjesa tjetër e sistemit mbetet e dobët. Bashkëpunimi institucional është i kufizuar, numri i referimeve për hetim është i ulët, ndërsa prokuroria e përgjithshme dhe policia nuk arrijnë të njëjtin nivel eficience. Veçanërisht, policia konsiderohet ende shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit.Problemet e transparencës shfaqen edhe në mekanizmat e kontrollit të pasurisë. Edhe pse deklaratat e pasurisë verifikohen, ato nuk publikohen në mënyrë të plotë dhe aksesohen vetëm me kërkesë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël është bërë publike online. Kjo kufizon ndjeshëm mundësinë për kontroll publik dhe rrit dyshimet për mungesë llogaridhënieje.Në planin ligjor, raporti evidenton mangësi të vazhdueshme në rregullimin e konfliktit të interesit, lobimit dhe financimit të partive politike. Legjislacioni në këto fusha mbetet i paplotë dhe nën standardet e Bashkimit Europian, ndërsa mungesa e transparencës në kontaktet me lobistët dhe raportimi i kufizuar i konflikteve të interesit përforcojnë këtë problematikë.Media përbën një tjetër pikë kritike. Sipas raportit, tregu mediatik në Shqipëri është shumë i përqendruar në pak kompani të lidhura me interesa politike dhe ekonomike. Mungesa e transparencës mbi pronësinë dhe financimin, si dhe përdorimi i reklamave shtetërore pa rregulla të qarta, ndikojnë negativisht në pavarësinë editoriale dhe pluralizmin. Gjithashtu, evidentohet një rritje e ndjeshme e sulmeve ndaj gazetarëve, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të vështirë për ushtrimin e lirë të profesionit.Raporti ngre shqetësime edhe për efikasitetin e sistemit gjyqësor, ku proceset e emërimeve dhe promovimeve janë të ngadalta, mungojnë burimet njerëzore dhe sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve nuk është plotësisht funksional. Këto faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve dhe uljen e besimit të publikut.Në të njëjtën kohë, shoqëria civile përballet me presion në rritje, përfshirë fushata denigruese dhe mungesë mbështetjeje institucionale, ndërsa mungesa e një strategjie të re kombëtare dhe reduktimi i fondeve rrezikojnë funksionimin e saj afatgjatë.Në tërësi, raporti konkludon se Shqipëria ka bërë përparime të pjesshme, por problemet sistemike në transparencë, drejtësi dhe funksionimin e institucioneve mbeten pengesa kryesore për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin në procesin e integrimit europian.
Pikat kyçe nga raporti
-Shqipëria renditet me 42/100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke mbetur në nivele problematike globale. -Korrupsioni mbetet i përhapur, me progres të kufizuar në shumicën e fushave dhe mungesë efektiviteti në zbatim të strategjive. SPAK ka bërë progres të dukshëm, por është i mbingarkuar dhe i ekspozuar ndaj presioneve politike. Institucionet e tjera (prokuroria, policia) kanë performancë të dobët dhe kontribuojnë pak në luftën kundër korrupsionit
-Ndikimi politik mbi drejtësinë mbetet një nga problemet më serioze, sidomos në çështje të nivelit të lartë. Prokurimet publike karakterizohen nga mungesë transparence, me rrezik për favorizime dhe abuzime. Përdorimi i fondeve shtetërore në fushata elektorale mbetet shqetësim i vazhdueshëm. Deklaratat e pasurisë nuk publikohen plotësisht, duke kufizuar kontrollin publik (vetëm rreth 10% të publikuara). Kuadri ligjor për konfliktin e interesit, lobimin dhe financimin e partive mbetet i paplotë dhe nën standardet e BE-së. Numri i sinjalizuesve mbetet i ulët, duke treguar mungesë besimi në mekanizmat mbrojtës. Media është shumë e përqendruar në pak kompani, me lidhje me politikën dhe biznesin. Mungon transparenca mbi pronësinë dhe financimin e mediave, duke cenuar pluralizmin dhe pavarësinë. Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur ndjeshëm, duke përkeqësuar klimën e lirisë së medias. Sistemi gjyqësor vuan nga mungesë eficience, me procese të ngadalta dhe burime të pamjaftueshme. Shoqëria civile përballet me presion dhe mungesë mbështetjeje, ndërsa financimet janë në rënie. Politika e vizave nuk është ende e harmonizuar me BE-në, duke mbetur një tjetër pengesë në procesin e integrimit.

