Skandalet e Albion Koçit që kanë mbërthyer prej fyti drejtorinë e ASHK-së, Vlorë
Dosjet e dyshimit/ Sistemi i pronave në ASHK- Vlorë mes nepotizmit, parasë së pashpjeguar dhe rrjetesh ndikimi nga grupe kriminale.
Pretendime të rënda për parregullsi në administrimin e pronave ngren pikëpyetje mbi integritetin institucional të ASHK-së Vlorë të drejtuar nga Albion Koçi. Skandalet e shumta që kanë mbërthyer pronat në “Perlën e Mesdheut” nga Narta deri në Ksamil, kufi me Greqinë na sjellin ndërmend bedelat që emëronte Ali Pasha Tepelena, i cili kërkonte të rrëmente pronat e zonës së Himarës për t’ua shpërndarë batakçinjëve të oborrit dhe vrasësve si shpërblim në vend të pagesave.

Në disa struktura rajonale të administrimit të pronave po qarkullojnë prej kohësh pretendime që do të përbënin një goditje serioze ndaj besimit publik në sistemin e menaxhimit të pronës dhe vendimmarrjes administrative. Burime të ndryshme dhe denoncimet e përditshme të qytetarëve në emisionet e mëngjeseve, por edhe të publikimeve në rrjetet sociale, të lënë të dyshosh për ekzistencën e praktikave informale në trajtimin e dosjeve. Veçanërisht, në proceset e rivlerësimit dhe përpunimit të dokumentacionit të pronës. Sipas këtyre pretendimeve, në disa raste mund të jenë kërkuar pagesa të konsiderueshme, jashtë procedurave zyrtare për përshpejtimin ose ndikimin në vendimmarrje. Shumat e përmendura nga qytetarët, edhe pse jo zyrtare, mbeten të pakonfirmuara, dhe përflitet se variojnë nga nivele të larta deri në dhjetëra apo qindra mijëra euro, veçanërisht në zona me interes të lartë ndërtimor dhe turistik. Ndaj, shërbimet e krimit ekonomik, ato të organeve të specializuara si SHISH, Antikorrupsion, KLSH etj.,. duhet të marrin dosjet një për një, si dhe të kontaktojnë edhe me qytetarët, të cilëve nuk u miratohen vendime dhe dosjet e tyre kanë kohë që flenë në syrtarët e ASHK-së së Vlorës, që me ardhjen klandestine të Albion Koçit i ka mbytur errësira , dhe do kosto të lartë për t’i nxjerrë nga pluhuri. Situata ka arritur deri në nivelin e marrëzisë, ku “sekserët” dalin garant për zhvillimin e pronës dhe marrjen e tapive nga ndërtues të veçantë, me kusht që pronën t’a ndërtojë dhe zhvillojë pikërisht ndërtues që ka lidhje me delenxhinjtë e ASHK-së.

Nepotizmi si akuzë e përsëritur. Konflikt interesi apo perceptim sistematik ?!
Në të njëjtin kontekst, disa denoncime dhe pretendime të qytetarëve ngrenë shqetësime mbi mundësinë e lidhjeve nepotike brenda strukturave administrative të lidhura me pronën dhe legalizimet. Rasti konkret ka të bëjë me drejtuesin e ASHK-Vlorë, Albion Koçi dhe motrës së tij Erjeta Koçi me detyrë Shefe Legalizimi ne Drejtorinë Rajonale të ASHK Tiranë. Sipas këtyre pretendimeve, edhe pse në pozicione të ndryshme vendimmarrëse, ata janë brenda të njëjtës drejtori të sistemit piramidal, dhe në një lloj mënyre mund të jenë të ndërlidhura përmes marrëdhënieve familjare. Ata krijojnë një terren potencial për konflikt interesi dhe ndikim të ndërsjelltë në vendimmarrje. Edhe pse nuk ekzistojnë konfirmime zyrtare për këto pretendime, vetë fakti që ato përsëriten në disa burime tregon një problem serioz të perceptimit publik mbi integritetin e institucioneve, shkeljen e ligjit për nepotizmin familjar, brenda të njëjtës strukture institucionale.

Para e dyshuar dhe ndërtimi ! Ku shkon fitimi real dhe nepotizmi ?
Një tjetër element shqetësues që përmendet në disa raportime jozyrtare është mundësia që përfitime të krijuara nga praktika të dyshimta administrative të kanalizohen drejt investimeve në sektorin e ndërtimit përmes subjekteve private. Tashmë pretendojnë se vëlla e motër, Albion Koçi me detyrë si drejtues i ASHK-Vlorë dhe Erjeta Koçi me detyrë Shefe Legalizimi në Drejtorinë Rajonale Tiranë që mbulon zonat turistike, janë një realitet trishtues për administratën shqiptare. Po t’i shtojmë kësaj marrëzie edhe denoncimin qytetar që thotë se ndërvepron edhe një lidhje tjetër shumë e fortë nepotike që shtrihet deri në Drejtorinë Qëndrore të ASHK. Në denoncimin e bërë zyrtarisht publik dhe e konfirmuar nga j.o.q. një qytetare deklaron se; “Të gjitha fijet e ASHK, komandohen nga halla e një zyrtareje të lartë, e cila punon aty prej 10 vitesh. Ajo quhet Renata Goxhobelli dhe është ajo që u vendos punonjësve emërimet. Asaj kur nuk i pëlqen stafi, bënë lëvizje.Po me urdhër të saj, është bërë drejtor Albion Koçi, ndërsa motra e tij, Erjeta Koçi, është shefe e legalizimit në zonat turistike. Këta janë dy krahët e djathtë të zonjës Renata Goxhobelli“, përfundon qytetarja denoncimin e saj. Nga raportime që qarkullojnë, edhe pse duhet të shoqërohen me prova nga SPAK, SHISH, KLSH, Krimi Ekonomik, auditimet e specializuar, antikorrupsioni etj. për tu konsideruar zyrtarisht, pasi përflitet nëpër korridore se ky trekëndësh nepotiko-korruptiv, “vëlla-motër-halla e një drejtuese të lartë” janë nën ndikimin e fortë të një grupi të fuqishëm kriminal me bazë në qytetin e Durrësit, por nuk përjashtohet edhe një grup nga Fieri ?!
Në vëmëndje të SPAK, DEA-s, ambasadës së SHBA-ve dhe antikorrupsionit të BE-së
Në qendër të dyshimeve për pastrim parash që kanë burim korrupsionin qëndron Kompania “INDALB” sh.p.k në emër të Albion Koçi dhe vëllait të tij Indrit Koçi. Ky konfigurim, drejtues publik në një institucion me ndikim dhe familjarë të përfshirë në sektorin e ndërtimit, përbën një model të njohur që shpesh përdoret për të maskuar përfitimet reale. Sipas informacioneve që janë duke u verifikuar, Albion Koçi në rolin e tij si Drejtor në ASHK – Vlorë dhe Erjeta Koçi në rolin e Shefes së Legalizimeve në ASHK Tiranë me në krye “Hallë-Renatën” e ASHK-së dyshohet se ushtrojnë ndikim në procese që lidhen drejtpërdrejt me pronën, dokumentacionin dhe procedurat administrative. Këto procese, në shumë raste, përkthehen në vendime me vlerë të lartë ekonomike për qytetarë dhe biznese të cilët janë të detyruar të paguajnë ryshfete dhe gjoba të majme. Për këtë mjafton të shikosh sontazhet dhe raportet antikorrupsion ku ASHK është në krye të renditjes për korrupsion nga qytetarët. Burime të ndryshme flasin për praktika informale, ku ndërhyrje të caktuara administrative shoqërohen me përfitime monetare të konsiderueshme, shifra që në disa raste pretendohet se nuk zbresin nën dhjetëra mijëra euro. Këtu kemi të bëjmë me një mekanizëm të strukturuar për gjenerim të ardhurash jashtë çdo kuadri ligjor. Ndaj DEA, ambasada e SHBA-ve dhe SPAK janë të interesuar që t’i vendosin sa më shpejtë bllokadën milionave të kokainës që vijnë nga Amerika Latine, apo heroinës së Afganistanit e cila po investohet në Shqipëri.
Dyshimi kryesor që po hetohet është ky: A po transferohen këto të ardhura të përfituara në mënyrë korruptive nga Albion Koçi dhe Erjeta Koçi drejt investimeve në kompaninë “INDALB sh.p.k”..??
Nëse një mekanizëm i tillë do të ekzistonte, ai do të përbënte një formë të rrezikshme të ndërthurjes mes administratës publike dhe interesave private, duke e bërë edhe më të vështirë gjurmimin e origjinës së kapitalit. Sektori i ndërtimit mbetet një nga mënyrat më të përdorura për të integruar para me burim të paqartë në ekonomi. Investimet e mëdha, mungesa e transparencës së plotë dhe mundësia për të justifikuar fitime në dokumente e bëjnë atë një kanal ideal. Rasti i Drejtorit të ASHK-Vlorë Albion Koçi, motrës së tij Erjeta Koçi si Shefe e Sektorit të Legalizimeve dhe kompanisë së ndërtimit “INDALB sh.p.k” përputhet në mënyrë të frikshme me këtë model, ndaj kërkojnë një hetim të specializuar dhe të shpejtë, për të zbardhur të vërtetën reale. Kemi drejtues publik me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, familjarë të tyre dhe ata vetë, të përfshirë në aktivitete ndërtimi dhe indicie për rrjedhë të parave të korrupsionit nga sektori publik drejt investimeve private. Koha që edhe Pastrimi i Parave, të nisë hetimet, për një drejtësi të vërtetë, pasi ky nuk është një fenomen i izoluar, por një skemë që sipas ekspertëve, është përhapur në mënyrë shqetësuese në disa nivele të administratës. Redaksia jonë ka nisur një investigim të detajuar dhe afatgjatë mbi këtë çështje, duke u fokusuar në çdo lëvizje financiare të lidhur me kompaninë “INDALB sh.p.k”, për pasuritë dhe transaksionet e familjarëve të Albion Koçi dhe Erjeta Koçi, përfshirë vëllain e tyre Indrit Koçi dhe vendimmarrjet e marra nga Albion Koçi në ASHK -Vlorë dhe Erjeta Koçi në ASHK -Tiranë që mund të kenë ndikim ekonomik si dhe rolin e Hallo Renatës.
Ky investigim do të ndjekë çdo gjurmë
Çdo kontratë, çdo leje, çdo transaksion do të analizohet me imtësi dhe çdo shkelje do të referohet në SPAK. Gazeta deklaron qartë se çdo element që ngre dyshime të bazuara për shkelje ligjore do të dokumentohet dhe do të referohet pranë organeve kompetente, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky nuk është thjesht raportim, është një angazhim për ndjekje deri në fund. Aktiviteti i Albion Koçi në ASHK Vlorë dhe Erjeta Koçi në ASHK Tiranë do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm. Çdo vendim, çdo ndryshim në strukturat e pronësisë, çdo zgjerim i kompanisë “INDALB sh.p.k”” do të jetë pjesë e këtij hetimi.
Rrjetet e ndikimit
Në disa analiza të shoqërisë civile dhe vëzhguesve të qeverisjes është ngritur shqetësimi se në raste të tilla mund të krijohen rrjete ndikimi që përfshijnë aktorë institucionalë dhe interesa jashtë sistemit publik. Këto rrjete, nëse ekzistojnë, mund të ndikojnë në mënyrën se si trajtohen dosjet, si shpërndahen vendimmarrjet dhe si krijohet akses preferencial në shërbime publike.
Thirrje për transparencë dhe hetim
Ekspertët e antikorrupsionit theksojnë se sektorët që lidhen me pronën dhe ndërtimin janë ndër më të ekspozuarit ndaj riskut të abuzimeve për shkak të vlerës së lartë ekonomike dhe mungesës së transparencës së plotë në disa procedura. Ata kërkojnë, auditime të pavarura të dosjeve sensitive, forcim të deklarimit të konfliktit të interesit si dhe digjitalizim të plotë të proceseve administrative. Shoqëria civile, nga ana e saj, thekson nevojën për hetime të thelluara dhe të pavarura për çdo pretendim që prek integritetin e institucioneve publike.
Mes dyshimit dhe besimit publik
Në mungesë të verifikimeve zyrtare, të gjitha pretendimet e përmendura mbeten në nivel dyshimesh. Por vetë shumësia e këtyre pretendimeve ngre një pyetje thelbësore: Sa i fortë është sistemi i kontrollit institucional për të garantuar që vendimmarrja publike mbetet e pastër nga ndikimet e jashtme dhe interesat private? Po nepotizmi familjar dhe klientelisto-administrativë a është pengesë për drejtësinë e pavarur ? Deri në përgjigjen e këtyre pyetjeje, hija e dyshimit mbi sistemin mbetet e pranishme dhe ne do të vazhdojmë investigimin dhe lidhjet deri në nivelin e lartë qeveritar.

