“Prokurori 007” i SPAK: Historia e mega-mashtrimit që tejkaloi edhe serialet në Netflix
Nuk është hera e parë që flasim për mashtrime. Por ajo që do të zbërthejmë sot, e sfidon të logjikshmen. Po flas për një kualitet sipëror, nga ata që do t’i vinte në siklet edhe skenaristët më fantazistë të serialeve thriller në Netflix.
Në qendër të kësaj historie është një njeri i vetëm. Pa uniformë. Pa mandat. Pa asnjë lidhje me shtetin. Por… me një vetëbesim absolut dhe aftësi dukshëm, të lakmueshme aktoriale. Në një moment të kohës ai shfaqet në fshatin Gjashtë të Sarandës dhe prezantohet si prokuror i SPAK. Deri këtu, mund të duket si një mashtrim banal. Por, a do të ndryshonit mendje, po t’ju them se brenda dy javësh ai dyshohet se ka krijuar një mini prokurori private në qytetin jugor.
Sipas Prokurorisë së Sarandës, këtë e ka bërë sa hap e mbyll sytë, për vetëm 15 ditë. Së pari rekruton si shoferë pesë persona, duke ju premtuar paga marramendëse. Më pas, i josh me një jetë prej agjenti “007”, ku të gjitha shpenzimet t’i paguante shteti. I bind se janë pjesë e misioneve sekrete shtetërore. Hap një grup Whatsapp-i me emrin “Gjuetia”. Ju vendos emra të koduar. Ju jep urdhra operacionalë. “Vëzhgoni këtë targë, këtë person”.
Madje, madje… i shtyn të besojnë se mund të bëjnë edhe arrestime. Me pak fjalë, një realitet paralel. Lojë mbase për të parin, por e besuar si reale për “agjentët e tij”.
Por çfarë e çon në absurd gjithë këtë histori? Ndërsa ka ndërtuar dhe vënë në jetë një strukturë shtetërore fantazmë, i dyshuari si truri i saj, ishte në kërkim nga drejtësia, pasi kishte thyer një masë sigurie “arrest në shtëpi”. Pra, një i kërkuar nga shteti, që hiqej si vetë shteti.
PROKURORI “FAKE” I SPAK NË GJASHTË
Sipas hetimit të Prokurorisë së Sarandës, personazhi në qendër të kësaj historie është Alban Muço, 49 vjeç. Ai u prangos në flagrancë më 8 tetor 2025, në të njëjtën ditë që historia e mashtrimit me prokurorë SPAK-u dhe agjentë sekretë ra në veshin e autoriteteve.
Nga dosja hetimore: “Në datën 08.10.2025, rreth orës 12:00 Komisariati i Policisë Sarandë është informuar nga shtetasi L. J., banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, se një person prezantohej si prokuror dhe se kishte mashtruar atë dhe njerëz të tjerë. Menjëherë pasi është marrë ky informacion, është organizuar puna për identifikimin dhe kapjen e këtij personi. Forcat e policisë kanë konstatuar këtë person në fshatin Gjashtë, Sarandë. I janë prezantuar si punonjës policie dhe ky shtetas është prezantuar si prokuror Hermes Muçi. Më tej i është kërkuar dokument identifikimi por ky shtetas është përgjigjur se nuk posedonte një të tillë dhe se nuk kishte asnjë mjet identifikimi”.
Kjo situatë është pasuar nga një kontroll personal. Efektivët i gjejnë një kartë identifikimi me emrin Alban Muço. Dokumenti mbante foton e personit, që sapo ishte prezantuar si Hermes Muçi. Pas komunikimit me sallën oficerët e policisë mësohet se Muço ishte në kërkim. Ai kishte thyer një masë sigurie “arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Beratit, po për mashtrim. Ndaj tij nis një hetim penal për veprat e “përvetësimit të detyrës shtetërore” dhe “mashtrimit”. Për këto akuza Gjykata e Sarandës vendos të hetohet nën masën e “arrestit në burg”, masë e konfirmuar edhe në Apel.
Dritan Jahaj, avokat: “Tek vepra penale e ‘mashtrimit’, qëllimi është kryesor është hedhja në dorë mes mashtrimit dhe krijimit të besimit tek viktima për ti përvetësuar pasurinë. Ndërsa tek vepra penale e ‘përvetësimit të detyës shtetërore’ qëllim kryesor është kryerja e veprimeve përmes veprimeve konkrete për atë detyrë dhe funksion të posaçëm që autori ve në zbatim. Kjo vepër penale mund të konsumohet edhe të ideohet nga autori edhe me qëllimin e përfitimit material”.
“THURJA” E MASHTRIMIT
Mekanizmi i përdorur nga i dyshuari Alban Muço është zbërthyer për hetuesit nga rrëfimi i kallëzuesve, njëherazi të dëmtuar nga veprimet e tij, identitetet e të cilëve nuk do t’i publikojmë. Sipas rrëfimeve, prezantimi i parë i Muços si njeri i ligjit ishte bërë më 9 shtator 2025 në rrugën “5 maji” në Tiranë. Aty, nën petkun e një prokurori, me ndërmjetësimin e një të njohuri ka takuar shtetasin me iniciale K. K., të cilit i ka bërë një ofertë pune shumë bujare.
Nga dosja hetimore: “Kam komunikuar në telefon me këtë shtetas i cili më është prezantuar nga telefoni në momentin e parë me fjalët ‘Përshëndetje! Quhem Hermes Muçi, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë’. … Pasi ka ardhur, më ka thënë se në punën që do filloja si shofer, ai do ishte eprori im dhe unë do zbatoja çdo urdhër të atij për transportin e tij. Më ka thënë që paga do ishte 2300 euro bruto në muaj dhe paga neto do shkonte përafërsisht 1 800 euro në muaj. Herë pas here do merrja shpërblime për udhëtimet jashtë shtetit. Aty më ka thënë që do më paguheshin dietat dhe karburanti do ishte i paguar nga shteti”. Deklaruesi K. K.
Në ditët pasuese, i vetëpretenduari si prokuror i SPAK, është zhvendosur në Sarandë. Në fshatin Gjashtë, pak km larg qytetit, ai kërkon një shtëpi me qira. Nga deklarimet e kallëzuesve rezulton se nuk i ka qëndruar besnik vetëm identitetit Hermes Muçi dhe as të qenit prokuror vetëm i SPAK.
Nga dosja hetimore: “Para 15 ditësh erdhi një shtetas dhe u prezantua si prokuror Hermes Dauti, me detyrë Prokuror i Përgjithshëm. Ai kërkoi dhoma me qira. Unë e drejtova te bashkëshortja ime dhe ranë dakord me bashkëshorten se lekët do t’i paguante me bankë. Sapo erdhi, menjëherë kërkoi shofer për automjetin e tij. Ne i sugjeruam djalin tonë, pasi ishte pa punë”. Deklaruesi F. Ç
Nga dosja hetimore: “Unë i kam ofruar njërën nga dhomat e mia. Pagesën e qirasë do e paguante me datë 2 dhe pastaj do e paguante çdo dy javë. E kanë lënë që pagesa e qirasë do ishte 60 000 lekë në muaj dhe pagesa e ushqimit 50 000 lekë në muaj. Në total 110 000 lekë në muaj. Me datë 2 që kishte pagesën e qirasë, nuk i ka dhënë lekët por kisha frikë se mos ishte prokuror e mos më bënte ndonjë gjë të keqe”. Deklaruesja Dh. Ç.
Nga dosja hetimore: “Para 15 ditësh, kam takuar një person i cili është prezantuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë dhe na ka kërkuar një shtëpi me qira. Ky person ka ofruar një çmim prej 5 200 euro në muaj. Ai është prezantuar me emrin Hermes Muçi. Me pas, ky shtetas na ka ofruar të punësoheshim si shoferë të tij me një pagë prej 2 800 euro në muaj”. Deklaruesi A. Ç.
PUNË SHTETI “ME DOKUMENTE”
Të thuash “jam prokuror” nuk mjafton. I dyshuari Muçi duket se e ka pasur të qartë këtë. Bindja psikologjike kërkon elementë shtesë. Në sendet personale ai ka pasur një mal me shkresurina, procesverbale të shkruar me dorë, dosje hetimore nga Gjykata e Beratit, deklarime, referime e një sërë dokumentesh të tjera, të gjitha të sekuestruara si provë pas arrestimit. Nga ana tjetër shoferët e tij kanë nënshkruar kontrata, me gjasë pa vlerë juridike, por që në krye kishin logon e Prokurorisë së Përgjithshme. E nëse letrat ishin false, institucionet e shtetit jo. Në sytë e një prej deklaruesve Muço ka hyrë dhe dalë në institucionet e rëndësishme të drejtësisë në Tiranë, ndonëse ishte person në kërkim.
Nga dosja hetimore: “Të pestë kemi lidhur kontratë pune me të ashtuquajturin prokuror dhe në kontratë shkruhej që për çdo mision që kryenin, kishim përfitime financiare deri në 600 000 lekë për çështje. Pagesa do kryhej më datë 05.10.2025 dhe u ka thënë që për shkak të problemeve financiare, pagesa është shtyrë në datë 08.10.2025. Kemi hapur dhe llogari bankare”. Deklaruesi L. J.
Nga dosja hetimore: Në periudhën kohore nga data11.09.2025 deri në datën 25.09.2025, unë kam qenë gjatë gjithë kohës si shoferi i shtetasit Hermes Muçi, duke e transportuar këtë shtetas në vende të ndryshme në Tiranë dhe rrethinat pranë saj. Kemi shkuar në Tiranë në vende si Gjykata e Apelit, SPAK, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në të gjitha këto institucione shtetasi Hermes Muçi është futur brenda dhe qëndronte brenda këtyre institucioneve afërsisht 5 deri në 10 minuta dhe më pas dilte gjithmonë me fleta formati në duar të cilat dukeshin dokumente zyrtare. Deklaruesi K. K.
Por çfarë profili psikologjik mund të ketë një person që arrin të bindë persona të panjohur se është një prokuror dhe a janë të shpeshta këto lloj episodesh.
Redina Balla, psikologe klinike: “E para, duhet të ketë aftësi manipuluese shumë të lartë. Tipare narciste, që do të thotë, njeri që e tregon, e shfaq një lloj vetëbesimi shumë të lartë, gjë që ul shumë dyshimin tek individë të tjerë. Veçanërisht tek individë, që ne themi, janë viktima vulnerabël. Njerëz të brishtë që mund të bien pre lehtë, veçanërisht e individëve që shfaqen me një lloj autoriteti të caktuar, si personi në fjalë, që u ka veshur vetes maskën e prokurorit. Janë persona që kanë një inteligjencë shumë të lartë sociale, që dinë t’i dallojnë njerëzit në nevojë, që kanë nevojë për para, njerëzit që krijojnë një lloj besueshmërie ndaj autoritetit.
Dritan Jahaj, avokat: Ka së fundmi disa ngjarje të hetuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Republikën e Shqipërisë, ku persona të caktuar, për shkak ndoshta edhe të fiksimit që mund të kenë pasur me një detyrë, apo dëshirës që në fëmijëri për të ushtruar një funksion të caktuar publik, por nuk ia kanë arritur qëllimit mes ndjekjes së shkollës, kanë gjetur si formë të mbushjes se egos, përvetësimin e titujve në mënyrë të paligjshme. Ka edhe disa raste ku kjo vepër penale është krijuar për përfitim material. Sicc mund të kemi raste, ku janë prezantuar si punonjës të Tatimeve, të doganave, apo edhe funksone të prokurorit, apo OPGJ”.
OPERACIONI “GJUETIA”
Shumë shpejt 5 personat e punësuar si shoferë të Muços kanë kuptuar se do të bënin shumë më tepër se aq. Ata do të ishin agjentë sekretë në terren. Para hetuesve kanë deklaruar se prokurori i supozuar kishte hapur një grup në aplikacionin “Whatsapp” nën emrin “Gjuetia”. Aty jepeshin urdhra, raportoheshin misionet dhe koordinoheshin lëvizjet.
Nga dosja hetimore: “Kam rënë dakort me pagesën dhe kam nënshkruar kontratën, e cila kishte të shkruar te koka ‘Prokuroria e Përgjithshme’. Pasi kemi firmosur kontratën, kemi shkuar dhe hapur llogari bankare, pasi kështu na ka urdhëruar i ashtuquajturi “prokuror” dhe kemi filluar punë duke lëvizur në qytete të ndryshme dhe duke mbajtur në vëzhgim persona dhe automjete të ndryshme”. Deklaruesi E. B.
Nga dosja hetimore: “Në fillim, na ka mbajtur si shofer e më pas na ka thënë të mbajmë nën vëzhgim dhe të mësonim mbi disa persona si dhe të kryenim arrestime, të cilat i quante ‘mision nga Ministria e Drejtësisë’. Kemi kryer veprime duke verifikuar dhe ndjekur automjete të caktuara e më pas, duke dhënë informacione nëpërmjet procesverbalit me shkrim. Kemi shkuar me misione të dhëna nga i ashtuquajturi prokuror në qytete të ndryshme dhe në qytetin e Sarandës. Kishim si detyrë verifikimin e disa automjeteve dhe arrestimin e përdoruesve të tyre. Na ka dhënë një format A4 ku kishte fotot dhe emrat e personit që do arrestohej”. Deklaruesi R. J.
Dhe siç i ka hije agjentëve sekretë, prokurori i supozuar i ka pagëzuar djemtë e skuadrës me emra të koduar. Fantazia nuk ka munguar as në këtë pjesë, ku për vete, i dyshuari Muçi ka mbajtur kodin “Luan 07”, mbase si një qasje ndaj karakterit të mirënjohur të kinemasë “agjentit 007”. Komunikimet i kanë mbajtur në një grup në Whatsapp.
Nga dosja hetimore: “Konkretisht unë kisha pseudonimin ‘Bernard 03’, E. Ç. ishte ‘Stivi 02’, K. K ishte “Spiro 01”, L. J. ishte “Lan-selot 05”, E. B. ishte “Igor 06”, ndërsa vetes i kishte vënë pseudonimin ‘Luan07’. Deklaruesi R. J.
Nga dosja hetimore: “Ne kemi pranuar pasi rroga na është dukur shumë e lartë dhe për më tepër, na ka mashtruar duke na thënë se ishim të punësuar në shtet. Më tej, ky shtetas na jepte targa të makinave për t’i ruajtur dhe për t’i mbikëqyrur. Ndërsa çunat e tjerë i ka shfrytëzuar në shumë raste, si në anën financiare dhe fizike, ku i ka dërguar me shërbim në qytete të ndryshme, me mjetet e tyre për të ndjekur njerëzit. Kemi shpenzuar nga xhepi tonë për karburant, ushqime dhe shpenzime të tjera si fenelina e radio. Vetë kam shpenzuar rreth 50 000 lekë të reja ndërsa shokët e mi kanë shpenzuar më shumë, rreth 100 000 te reja secili”. Deklariesi L. J.
Nga dosja hetimore: “Shpenzimet që kemi kryer gjatë këtyre udhëtimeve si fjetje, karburant, ushqime pije, i kemi paguar unë shtetasi E. Ç., R. J. dhe L. J., pasi Hermes Muçi na thoshte të paguanim dhe për çdo pagesë të merrnim faturat përkatëse. Këto futura do dorëzoheshin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe lekët do na kalonin në llogari bankare në fundin e muajit”. Deklaruesi K. K.
Nga dosja hetimore: “Gjatë gjithë kohës ne kemi shpenzuar nga lekët tona për çdo gjë pasi ky shtetas na thoshte të paguanim, të merrnim faturat dhe t’ia dorëzonim atij dhe se të gjitha lekët do kalonin në bankë nga buxheti i shtetit”. Deklaruesi R. J.
Redina Balla, psikologe: “Përdorimi i këtij lloj pushteti kënaq egon e tij, sepse ndihet me vetëbesim shumë të lartë dhe vijon zhvillon strategji të reja për ta bërë sa më të besueshme gjithë skemën e mashtrimit”.
“GJUETIA” SEKRETE
Një sërë bisedash të bëra në grupin e Whatsapp-it, “Gjuetia” teksa grupi i “agjentëve sekrete” ishin në operacion janë gjetur nga hetuesit në telefonin e të dyshuarit Alban Muçi. E tillë është kjo e 5 tetorit 2025 që po shihni në ekran.
Përdoruesi “Igor 06” i shkruan kolegëve: “Më thatë që ka lëvizje. Zona ku po vëzhgojnë, po mjeti që po inspektojmë nuk është shfaqur akoma. I kam urdhëruar që të qëndrojnë në zonë dhe mos ta ulin vigjilencën por doja t’ju pyesja ju nëse duhet t’i them të lëvizin në zonë tjetër apo jo”.
Ndërsa në telefonin e kallëzuesit L. J. është gjetur biseda ku “prokurori” nën kodin “Luan 07” ai jep urdhër: Të gjithë agjentët në terren, urdhër i prerë i 07! Askush mos lëvizë nga zona, pa u gjetur mjeti dhe personi. Sapo të konstatonin personin dhe mjetin komunikoni me 07”. Në përgjigje merr konfirmimet nga 05 dhe “Bernard 03”. Ndërsa agjenti 05 raporton se tek zona e marisën nuk konstatohet mjeti që po kërkojmë dhe kërkon më pas udhëzime për lëvizjet.
Nga ana tjetër, ne telefonin e të dyshuarit Mucci është gjetur edhe një sms i shtatorit 2025, ku ai i shkruan një numri tjetër “”Mirëmbrëma jam prokurori Vladimir Muçi kam diçka për të biseduar sot ok.
KËRCËNIMI
Po ndërsa janë futur në vallen e agjentëve sekrete, të gjithë të dëmtuarit kanë kuptuar se nuk kishte më kthim pas. Shefi i tyre ju ka thënë se, nëse tregonin, mund të rrezikonin burgun.
Redina Balla, psikologe: “Në momente të caktuara kur shikon dyshimet, ai përdor intimidimin, nëpërmjet manipulimit. … të mbajturit nën presion se kjo është një sekret shtetëror, përbën kamuflazh tipik për skemat mashtruese”.
Nga dosja hetimore: “Prokurori i Përgjithshëm na kishte kërcënuar të gjithëve, se në rast se do t’i nxirrnim sekretin hetimor, do të na dënonte me10 vjet burg. Unë i besova sepse çdo pasdite i mblidhte dhe fëmijët bënin raportime me shkrim, mbante procesverbale vet fëmijët, si dhe vet prokurori. Prokuror i Përgjithshëm ju caktonte detyra se çfarë të bënin. Duhen e parë që erdhi te karburanti, erdhi me shoferin, K. dhe në qafë mbante një bexh ku shkruhej emri i tij, Hermes Dauti dhe institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. As djali im nuk më tregonte se çfarë bënte pra sekreti hetimor ishte shumë i fortë”. Deklaruesi F. Ç.
Nga dosja hetimore: “Ai i ka kërkuar t’i gatuante gjëra të shtrenjta mish, peshk etj. dhe vetëm për ushqimin kam prishur rreth 200 000lekë. Unë më pas, kam marrë vesh se ky person ishte një mashtrues dhe se ka kërcënuar fëmijët e mi duke iu thënë të mos flisnin për ato që bënin pasi do i fuste në burg. Më pas, ky person është prezantuar si drejtor i SHIK-ut dhe deri diku e kam besuar”. Deklaruesja Dh.Ç
Nga dosja hetimore: “Gjatë kësaj kohe ai e ka çuar djalin tim me shërbime jashtë qytetit dhe i ka thënë nëse do tregonte gjë, do bënte 10 (dhjetë) vjet burg për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka deklaruar se ka qëndruar në banesë, është ushqyer dhe kanë lëvizur nëpër qytete me lekët e familjeve tona”. Deklaruesja B. J.
DËSHMIA E “PROKURORIT”
Vetë Muço ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Ai ka pranuar se i njeh personat që e kanë kallëzuar, apo edhe dhënë deklarime ndaj tij, se jua do të gjitha lidhjet e tyre familjare, por se ka vetëm marrëdhënie shoqërore me ta.
Nga dosja hetimore: “Kam ardhur në Sarandë më datë 25.09.2025 dhe se nuk kam mashtruar njeri, pasi të gjitha shpenzimet i kam paguar vetë, si pjesën e karburantit dhe ushqimeve. … Kontratat i ka paraqitur L. J. dhe janë plotësuar nga shtetasit E. Ç., R. J., L. J., E. B. dhe K. K. Pas plotësimit të këtyre kontratave, unë i kam thënë urime dhe t’i përmbahen rregullave të kontratës”.
I dyshuari Alban Muço: “Në lidhje me pyetjen se në momentin kur janë ndaluar nga punonjësit e policisë e se jeni prezantuar me emrin “prokuror Hermes Muçi”, ka deklaruar se i është përgjigjur pasi ashtu e ka parë të arsyeshme për momentin. Ndërsa në ankimin e bërë kundër masës së sigurisë “arrest në burg”, Muço ka pretenduar se kallëzimi ndaj tij ishte dashakeqës, për shkak se ai nuk kishte pranuar të martohej me një vajzë të fisit të kallëzuesve. Sipas tij, të gjitha thëniet e kallëzuesve ishin sajesa, me qëllim për t’i rënduar atij pozitën penale”.
Por cila është këshilla e psikologes dhe avokatit, si mund të mbrohemi nga një situatë e tillë?
Redina Balla: “Gjithmonë njerëzit duhet të jenë shumë vigjilentë dhe shumë të dhënë pas detajeve. Pra, pavarësisht se unë këtu në Shqipëri, ajo që shoh dita ditës, shoh që njerëzit intimidohen nga një lloj autoriteti. Pra, nëse dikujt i thuhet që unë punoj në televizion, unë punoj në gjykatë, unë jam prokuror. Që në momentin që njerëzit prezantohen me një lloj pushteti, krijohet një lloj autoriteti i pabarabartë me tjetrin. Tjetri ndjen një lloj vetëvlerësimi më të ulët krahas kësaj figure autoriteti. Unë shoh që në Shqipëri njerëzit intimidohen shumë nga autoriteti. Kështu që, ajo që vlen për t’u theksuar është që cilido qoftë arsimimi, eksperienca njerëzore, fakti që në jetë përballemi me njerëz me autoritete të ndryshme, kjo nuk do të thotë që janë të ndershëm apo më të mirë. Flasim për anën humane dhe nuk ka lidhje këtu ajo akademike apo profesionale”.
Dritan Jahaj, avokat: “Njerëzit mund të jenë njësoj në formim, në njohje të ligjit. Nëse do të hasim, jo veç prezantimit si prokuror, apo çdo lloj tjetër që mund të paraqitet autori për të arritur qëllimin e tij , çdo qytetar duhet t’i kërkojë minimalisht mjetin e identifikimit. Minimalisht çdo qytetar duhet të mendojë në atë moment, që çdo komunikim me organet publikë bëhet nëpër zyra dhe ku janë autoritetet publike dhe jo nëpër rrugë apo në ambiente private, që mund t’u kërkohen nga autori për tu takuar.
Nga sa del nga hetimi rezulton se personat e dëmtuar në këtë histori nuhatën mashtrim teksa po angazhoheshin, po punonin, po shpenzonin, por nuk po merrnin asgjë. Nga ana tjetër, Alban Muço, prezumohet i pafajshëm derisa ndaj tij nuk ka një vendim fajësie të formës së prerë”.
Përveç një rasti studimor psikologjik, sesi një njeri pa asnjë atribut shtetëror arrin të rekrutojë dhe sorollatë disa persona vetëm duke u prezantuar si prokuror, kjo histori është një kambanë alarmi.
Si mundet që një person i kërkuar nga drejtësia, të ketë mundësi të qarkullojë i lirë e i pashqetësuar, të hyjë në institucione të rëndësishme shtetërore dhe të bindë një komunitet të tërë se ai është njeri i ligjit?!
Këtë herë, operacioni nën kodin “Gjuetia” pati për pre vetë “gjuetarët”.
Herë tjetër, kush e di! /A2 CNN

