Politikë

“E prisnim që Salianjin nuk do ta lejonin, por…”, Bushati: Kush ka pranuar Meremen kandidate, ka djallëzi kundër Berishës

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për zgjedhjet në Partinë Demokratike, ku u lejua të kandidonte përballë Sali Berishës, vetëm Mereme Sela.

Bushati tha se kush e ka pranuar kandidimin e zonjës Mereme në PD, ka punuar me “djallëzi kundër” doktorit.

Analisti deklaroi se Berisha, njëlloj si Rama, ka mendësinë e diktatit në parti, edhe pse me këdo të garonte Berisha do të fitonte.

“Them ky lajmi i sotëm, duhet të bëhet shkasë të zbulohet një grup i ri armiqësor në PD. Ne e prisnim që Salianjin nuk do ta lejonin. Këtu ishte brenda normalitetit të PD, por këta që pranojnë Meremen, zonjën Mereme, e bëjnë garën qesharake. Më mirë garë e dhunshme, sesa qesharake.

Midis dy zgjedhjeve, do të preferoja të parën. Kush ka bërë këtë të dytën, që i ka dhënë okej zonjës Mereme, ka djallëzi kundër Berishës.

Pse nuk duan këta? Berisha me këdo të shkonte, fiton.

Të njëjtën gjë ka edhe Rama me Spiropalin. As i prishet puna nga kritikat, por e kanë në mendësi të shenjuar që duan diktatin që askush të mos jetë konkurrent.

Thelbi është, duan të ngulin mendësinë e diktatit në parti. Ky është i vetmi shpjegim racional se përse nuk pranojnë gara edhe kur rezultatin e dinë”, tha Bushati.