Ekonomi

Euro arrin minimum të ri historik, këmbehet me 96.35 lekë

Monedha Europiane ka arritur një minimum të ri historik përballë lekut.  Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye këtë të enjte96.35 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Në fillim të këtij viti, përveç flukseve të njohura tashmë nga remitancat dhe turizmi, luhatja mund të jetë ndikuar edhe nga shitja e energjisë elektrike, e kryer nga Korporata Elektro-eEnergjetike Shqiptare.

Kursi i këmbimit Euro-Lek po e thekson rënien edhe në tremujorin e parë të vitit, një tendencë kjo e pazakontë në vitet e mëparshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po vazhdon blerjet e valutës, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase ndaj Euros. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i Euros do të kishte rënë në nivele më të ulëta.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52%.