Ekonomi

Kush jane bankat qe po rrjepin shqiptaret me 300 mln euro fitime

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), fitimi neto i sistemit bankar në fund të shtatorit 2026 arriti në 27.425 miliardë lekë, nga 26.057 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Me kursin aktual të euros, fitimi i bankave për nëntëmujorin 2026 rezulton rreth 301.4 milionë euro, kundrejt 286.3 milionë eurove në nëntëmujorin 2025.

Megjithëse fitimi në vlerë absolute është rritur, ritmi i zgjerimit të tij ka qenë më i ulët se ai i aktiveve dhe portofolit të kredive. Kjo reflektohet edhe në treguesit e rentabilitetit, ku kthimi nga aktivet (ROA) ka zbritur nga 1.61% në shtator 2025 në 1.55% në shtator 2026, ndërsa kthimi nga kapitali (ROE) është ulur nga 16.41% në 16%.

Nga ana tjetër, vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, bankat kanë realizuar një fitim neto prej 11.55 miliardë lekësh, ose rreth 126.9 milionë euro.

BKT kryeson me 101.6 milionë euro fitim, Raiffeisen e dyta me 61.3 milionë euro

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) rezulton institucioni financiar me fitimin më të lartë në Shqipëri për nëntëmujorin 2026, me 9.25 miliardë lekë, ose rreth 101.6 milionë euro. BKT ka gjeneruar e vetme 33.7% të fitimit neto të sistemit bankar.

Në vendin e dytë renditet Raiffeisen Bank Albania, me një fitim prej 5.58 miliardë lekësh, ekuivalent me 61.3 milionë euro, duke përfaqësuar 20.3% të fitimit të sistemit.

OTP Albania mban vendin e tretë, me 3 miliardë lekë, ose rreth 33 milionë euro fitim neto.

Më pas renditet Tirana Bank, me 2.42 miliardë lekë, ose 26.6 milionë euro, e ndjekur nga ABI Bank, me 2.29 miliardë lekë, ose 25.2 milionë euro.

Përqendrimi i fitimeve mbetet i lartë, pasi vetëm BKT dhe Raiffeisen Bank kanë gjeneruar së bashku rreth 54% të fitimit neto të sistemit bankar.

Asetet e bankave arrijnë në 26.8 miliardë euro, BKT zotëron gati një të katërtën e tregut

Përveç fitimeve, sistemi bankar ka vijuar të zgjerojë bilancet e tij gjatë vitit 2026.

Në fund të shtatorit, aktivet totale të bankave arritën në 2.437 trilionë lekë, ose rreth 26.78 miliardë euro, nga 2.225 trilionë lekë në shtator 2025. Rritja vjetore rezulton rreth 212 miliardë lekë, ose 9.5%.

Banka Kombëtare Tregtare vazhdon të jetë banka më e madhe në Shqipëri për nga aktivet, me një total prej 591.7 miliardë lekësh, ose rreth 6.5 miliardë euro, duke zotëruar 24.3% të aktiveve të sistemit bankar.

Në vendin e dytë renditet Credins Bank, me 413.3 miliardë lekë aktive, ose 4.54 miliardë euro, që përfaqësojnë 17% të tregut.

Raiffeisen Bank Albania mban vendin e tretë, me 358.3 miliardë lekë, ose 3.94 miliardë euro aktive, me një peshë prej 14.7%.

Më pas renditet Intesa Sanpaolo Bank Albania, me 217.2 miliardë lekë aktive, e ndjekur nga OTP Albania me 210 miliardë lekë.

ABI Bank ka aktive prej 157 miliardë lekësh, Union Bank 126.6 miliardë lekë, ndërsa Fibank Albania 80 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se tri bankat më të mëdha, BKT, Credins dhe Raiffeisen, zotërojnë së bashku rreth 56% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar.

Kreditë kalojnë 1 trilion lekë, rritje me 14.2% brenda një viti

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të sistemit bankar gjatë nëntëmujorit 2026 është zgjerimi i portofolit të kredive.

Sipas AAB, vlera e kredive neto në fund të shtatorit arriti në 1.007 trilionë lekë, ose rreth 11.07 miliardë euro. Në shtator 2025, portofoli i kredive neto ishte 882 miliardë lekë, çka tregon një rritje prej 125.2 miliardë lekësh, ose 14.2% brenda një viti.

Credins Bank kryeson sistemin për nga portofoli i kredive neto, me 184.5 miliardë lekë, duke zotëruar 18.3% të tregut.

Në vendin e dytë renditet Raiffeisen Bank me 153.6 miliardë lekë kredi neto, e ndjekur nga BKT me 142.3 miliardë lekë dhe OTP Albania me 132.7 miliardë lekë.

Tirana Bank ka një portofol kredish neto prej 99 miliardë lekësh, ndërsa Intesa Sanpaolo dhe ABI Bank raportojnë përkatësisht 70.6 miliardë dhe 69.2 miliardë lekë.

Rritja e kreditimit me një ritëm më të lartë se aktivet dhe depozitat tregon se bankat kanë vijuar të zgjerojnë financimin e ekonomisë.

Depozitat arrijnë në 22.2 miliardë euro, BKT dhe Credins kryesojnë

Edhe depozitat kanë vijuar të rriten gjatë vitit 2026.

Në fund të shtatorit, depozitat totale në sistemin bankar arritën në 2.018 trilionë lekë, ose rreth 22.17 miliardë euro.

Krahasuar me shtatorin 2025, kur depozitat ishin 1.849 trilionë lekë, rritja rezulton 168.6 miliardë lekë, ose 9.1%.

BKT zotëron portofolin më të madh të depozitave, me 486.3 miliardë lekë, ose 24.1% të totalit të sistemit.

Në vendin e dytë renditet Credins Bank, me 345.7 miliardë lekë depozita, e ndjekur nga Raiffeisen Bank me 312.3 miliardë lekë.

Intesa Sanpaolo Bank Albania ka depozita prej 183.8 miliardë lekësh, OTP Albania 172.4 miliardë lekë, ndërsa Tirana Bank 155.9 miliardë lekë.

Zgjerimi i depozitave konfirmon rritjen e burimeve të financimit të bankave, ndërsa diferenca midis ritmit të rritjes së kredive dhe depozitave tregon një përdorim më intensiv të këtyre burimeve për kreditim.

Investimet në letra me vlerë arrijnë në 957 miliardë lekë, kapitali në 246 miliardë lekë

Përveç kreditimit, një pjesë e konsiderueshme e aktiveve bankare vazhdon të jetë e investuar në letra me vlerë.

Në fund të shtatorit 2026, investimet e bankave në këtë kategori arritën në 957.3 miliardë lekë, ose rreth 10.52 miliardë euro.

Krahasuar me shtatorin 2025, kur investimet në letra me vlerë ishin 887.8 miliardë lekë, rritja është 69.5 miliardë lekë, ose 7.8%.

BKT zotëron portofolin më të madh të investimeve në letra me vlerë, me 337.2 miliardë lekë, ose 35.2% të totalit të sistemit. Më pas renditen Credins Bank me 170.9 miliardë lekë dhe Raiffeisen Bank me 127.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, kapitali i bankave arriti në 246 miliardë lekë, ose rreth 2.7 miliardë euro, nga 233.1 miliardë lekë në shtator 2025. Rritja vjetore rezulton rreth 5.5%.

Vendosjet e fondeve pranë bankave të tjera rezultuan 169.7 miliardë lekë, nga 185.9 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rënie prej rreth 8.7%.

Mbi 8 mijë të punësuar në banka, rrjeti arrin në 447 degë dhe pika shërbimi

Zgjerimi i sistemit bankar është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të punonjësve dhe pikave të shërbimit.

Në fund të shtatorit 2026, bankat numëronin 8,007 punonjës, nga 7,445 në shtator 2025, një shtim prej 562 punonjësish, ose 7.5%.

Raiffeisen Bank rezulton banka me numrin më të madh të të punësuarve, me 1,346 punonjës, e ndjekur nga Credins Bank me 1,193 dhe BKT me 1,088 punonjës.

Ndërkohë, numri i degëve dhe pikave të shërbimit bankar arriti në 447, nga 414 një vit më parë, me një rritje prej 33 njësish, ose rreth 8%.

Raiffeisen Bank ka rrjetin më të madh, me 72 njësi, e ndjekur nga BKT me 62, ABI Bank me 60, Credins Bank me 52 dhe OTP Albania me 50.

Në tërësi, të dhënat e nëntëmujorit 2026 tregojnë se sistemi bankar shqiptar ka vijuar të zgjerohet si në drejtim të aktiveve, kreditimit dhe depozitave, ashtu edhe të infrastrukturës dhe punësimit.

Megjithatë, ndërsa kreditimi është rritur me 14.2% dhe aktivet me 9.5%, fitimi neto është zgjeruar me vetëm 5.3%. Kjo diferencë, e shoqëruar me rënien e lehtë të treguesve të rentabilitetit, tregon se zgjerimi i aktivitetit bankar nuk është përkthyer në të njëjtën masë në rritje të përfitueshmërisë.