UBT memorandum “Safe Paws Albania” për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në rrugë
Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi për nismën “Safe Paws Albania”, që synon mirëqenien e kafshëve dhe forcimin e shëndetit publik përmes ndërhyrjeve veterinare të koordinuara.
Konkretisht nisma “Safe Paws Albania” parashikon koordinimin e ndërhyrjeve veterinare për trajtimin, sterilizimin dhe vaksinimin e kafshëve të rrugës, shkëmbimin e ekspertizës profesionale, si dhe bashkëpunimin institucional për forcimin e shëndetit publik dhe mirëqenies së kafshëve.
Nënshkrimi i memorandumit u pasua nga një takim koordinues në Rektoratin e UBT-së, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH), Bashkia Tiranë, Bashkia Tropojë, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të UBT-së, si dhe organizatat ndërkombëtare World Vets, SDI dhe Jahangiri Foundation.
Rektori Prof.Dr. Fatbardh Sallaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për shëndetin publik veterinar dhe menaxhimin e popullatave të kafshëve, duke e konsideruar këtë nismë një model konkret të angazhimit akademik dhe profesional në shërbim të komunitetit.
Fushata do të zhvillohet në Tropojë gjatë periudhës 13–20 qershor, ku pritet të trajtohen 150–300 kafshë rrugësh përmes shërbimeve profesionale dhe ndërhyrjeve të specializuara.
Nisma “Safe Paws Albania” shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të UBT-së në projekte me ndikim social dhe shëndetësor, si dhe në përmirësimin e standardeve të mirëqenies së kafshëve në vend.
