Sociale

Dëme kolosale në Maliq nga farat e skaduara! Fermerët: 75% e patates s’ka mbirë fare dhe ajo që ka mbirë është e prishur

Dhjetëra hektarë me patate rezultojnë të dëmtuara, ndërsa fermerët e Maliqit denoncojnë se fara që kanë blerë tek tregtarët vendas ka qenë e skaduar. Sipas tyre, mbi 70 deri në 80 për qind e sipërfaqeve të mbjella nuk kanë mbirë, ndërsa pjesa tjetër ka dalë e kalbur dhe jashtë çdo standardi.

Në parcelat ku fermerët prisnin prodhim të bollshëm, sot shihen vetëm bimë të dëmtuara. Ata thonë se dëmi shkon në miliona lekë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.

“Kam 25 vite që punoj me këtë farë patateje dhe s’na ka dhënë asnjëherë këtë problem. Une e blej tek një dyqan bujqësor në Lumas por ai e merr tek importuesit në Tiranë se fara vjen nga jashtë. 75 për qind nuk ka mbirë fare, edhe ajo që ka mbirë është e prishur. Shteti nuk ka bërë analiza për farën në doganë. Na sorollatin. Dëmi është mbi 30 milionë lekë. I bëj thirrje shtetit të sjellë specialistë dhe të na dëmshpërblejë. Kam tre fëmijë për të mbajtur”, tha Krenar Kreka, fermer.

Fermerët pretendojnë se kontrollet janë kryer vetëm për tokën, ndërsa askush nuk ka analizuar farën e patates.

Ndërsa Daniel Plasa, fermer shprehet se “kjo s’ka ndodhur asnjëherë në 25 vite punë. Shteti duhet të marrë masa. Dëmi është në miliona lekë.”

“Na kanë shkuar rreth 30 milionë lekë. Duhej ta shisnim prodhimin në fund të korrikut, por nuk kemi fare prodhim. Kërkojmë analiza dhe dëmshpërblim”, tha Jorida Kreka, fermere.

Fermerët janë ankuar pranë Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve por ende nuk kanë marrë përgjigje. Sakaq do të ndjekin rrugën ligjore. Sipas tyre, një padi civile për dëm ekonomik dhe fitim të munguar do të depozitohet së shpejti në në Gjykatën e Korçës.