Politikë

“PS, e vetmja forcë me marrëdhënie me interesin kombëtar”, Rama thumbon PD-në nga Dibra: Ditën flisnin për Kosovën, natën thyenin embargon me Millosheviçin

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar me socialistët në Dibër në kuadër të përvjetorit të partisë, ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Demokratike.

Rama deklaroi se në këto 35 vite, Partia Socialiste ka vërtetuar se është e vetmja forcë politike që ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Ai u ndal gjatë te periudha e luftës në Kosovë, duke bërë një ballafaqim të ashpër mes qëndrimeve të të dyja kampeve politike të asaj kohe.

“Në këto 35 vite, PS ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. Ka provuar më shumë se një herë se është e vetmja forcë politike që ka marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin si të lidhur me Beogradin,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë akuzoi hapur udhëheqjen e atëhershme të PD-së për hipokrizi kombëtare, duke thënë se ndërsa publikisht shiteshin si patriotë, në fshehtësi ndihmonin makinerinë e luftës së kasapit të Ballkanit përmes thyerjes së sanksioneve ndërkombëtare.

“Ata që na bombardonin, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën, e natën thyenin embargon dhe i shisnin naftë Sllobodan Millosheviçit. Ishte PS dhe qeveritë e PS, duke filluar nga qeveria e Fatos Nanos, që nuk lanë asgjë pa bërë për ta mbështetur UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës,” deklaroi ai.