Të ardhurat buxhetore, rritje vjetore me 11.2% në 5-mujor, por fitimet e bizneseve po bien
Të ardhurat buxhetore për periudhën janar maj-maj 2026 patën një ecuri pozitive.
Por teksa buxheti po zgjerohet me ritme të shpejta, ku të ardhurat totale arritën në rreth 340.5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin zyrtar të periudhës me 5.3% dhe duke u rritur me 11.2%, ose 34.3 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në anën tjetër pas këtij vrulli vihet re një ngadalësim i dukshëm i fitimeve të bizneseve
Ndërsa arka e shtetit po zgjerohet, fitimet e sipërmarrjes po ulen. Tatimi mbi Fitimin dështoi të përmbushte pritshmëritë, duke u realizuar në shumën 26.6 miliardë lekë, çka përbën vetëm 86% të planit të detajuar për këtë 5-mujor.
Kjo performancë negative tregon se marzhet e fitimit të kompanive në vend po ngushtohen në mënyrë të ndjeshme si pasojë e rritjes së detyruar të kostove të punës, lëndës së parë dhe nënçmimit të euros. Kjo tendencë rënëse e biznesit prodhues konfirmohet edhe nga të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, të cilat u ndalën në vetëm 732 milionë lekë, duke realizuar rreth 78% kundrejt planit të periudhës.
Sakaq rritja nominale e arkës së shtetit po mbështetet tek pagat dhe tek ndërtimi. Motori kryesor në vlerë absolute rezulton të jetë zëri i Fondeve Speciale, i cili përfshin sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Ky zë arriti në 82.9 miliardë lekë, duke u rritur me 9.4 miliardë lekë ose 12.8% krahasuar me vitin 2025. Ky zgjerim reflekton drejtpërdrejt politikat e fundit të rritjes së pagave në sektorin publik, si dhe rritjen zinxhir të pagave në sektorin privat në përpjekje për të mbajtur fuqinë punëtore. I njëjti efekt po nxit edhe ecurinë të Tatimit mbi të Ardhurat Personale, i cili kapi vlerën e 40.2 miliardë lekëve.
Ky zë shënoi një rritje prej 18.1% krahasuar me vitin e kaluar, duke tejkaluar parashikimet e qeverisë me plot 15.8%, gjë që konfirmon se tatimi mbi pagat mbetet një nga shtyllat më të forta të financave aktuale.
Për herë të parë këtë vit taksat lokale janë shndërruar në motorin e rritjes se të ardhurave. Nga të ardhurat shtesë 37 për qind ishin kontribut i taksave lokale. Nga ky zë u arkëtuan 23,8 miliardë lekë në 5 mujor me rritje vjetore 114 për qind si rrjedhojë e arkëtimeve në rritja nga taksa e ndikimit në infrastrukture që vilet mbi ndërtimet e reja.
Shteti po arkëton miliarda të tjerë nga konsumi i brendshëm përmes Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. TVSH-ja neto e mbledhur nga administrata tatimore brenda vendit arriti në 35.8 miliardë lekë, me një rritje prej 17.6% ndaj 5-mujorit 2025 dhe duke realizuar 117.2% të planit.
Kjo ecuri dëshmon se aktiviteti tregtar dhe qarkullimi i parave në ekonomi mbeten në nivele të larta, të ndihmuara edhe nga një sezon turistik që ka nisur më herët. Po ashtu, edhe doganat dhanë kontributin e tyre pozitiv me një rritje të moderuar, ku spikat TVSH-ja në import me 64.2 miliardë lekë dhe taksat doganore që u rritën me 9.4%, duke sinjalizuar një volum të qëndrueshëm të mallrave që hyjnë në vend.
Në krahun e shpenzimeve, buxheti reflekton një rritje me 7.4% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 286.8 miliardë lekë.
Monitor


