Nga Av. Arben Llangozi: Drejtësia e re në aksion/Gjyqtari mbron prokuroren, kërcënon me hakmarrje dhe kërkon heqjen e avokatit
Nga Av. Arben Llangozi
Një shtetasi nën hetim, me detyrë oficer policie, i janë cenuar një sërë të drejtash themelore dhe procedurale, ndërsa veprimet, aferat dhe manipulimet e AMP-së dhe të prokurores së çështjes janë dokumentuar me zë dhe me figurë. Deri tani është publikuar vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre materialeve, por ajo që dëgjohet në një prej videove është tronditëse dhe zbulon mënyrën se si njerëzit e sistemit ndërhyjnë për të mbrojtur njëri-tjetrin.
Në një prej videove, është edhe një gjyqtar që telefonon drejtpërdrejt personin nën hetim dhe i kërkon që të mos merret me prokuroren e çështjes, duke i thënë se ajo është “inatçore dhe do të hakmerret”.
Ndërhyrja bëhet edhe më e rëndë kur gjyqtari i kërkon personit nën hetim të largojë avokatin e tij. Kjo është një ndërhyrje e hapur në të drejtën e mbrojtjes dhe në zgjedhjen e lirë të mbrojtësit. Kërkohet të largohet pikërisht avokati që denoncon paligjshmëritë, kundërshton veprimet e AMP-së dhe ekspozon manipulimet e prokurores.
Kjo është përdorim i autoritetit gjyqësor për t’i siguruar prokurores një favor konkret: të mos kallëzohet, të mos denoncohet dhe të shmangë përgjegjësinë ligjore. Njëkohësisht synohet dobësimi i mbrojtjes së personit nën hetim, duke larguar avokatin që po nxjerr në dritë shkeljet e sistemit.
Ky veprim është korrupsion sepse gjyqtari përdor autoritetin, funksionin dhe ndikimin e tij publik për t’i siguruar prokurores një përfitim të drejtpërdrejtë: të mos kallëzohet, të mos denoncohet dhe të shmangë përgjegjësinë për veprimet e saj.
Favori nuk është domosdoshmërisht financiar; ai qëndron në mbrojtjen nga hetimi, në heshtjen e personit nën hetim dhe në largimin e avokatit që ekspozon shkeljet. Kur një gjyqtar ndërhyn jashtë çdo roli ligjor, paralajmëron për hakmarrjen e prokurores dhe ushtron presion që ajo të mbetet e paprekur, funksioni publik shndërrohet në mjet privat për mbrojtjen e një kolegeje.
Pikërisht ky përdorim i pushtetit shtetëror për të krijuar favore të paligjshme përbën thelbin e korrupsionit dhe të ndikimit të paligjshëm.


