Opinion

Vangjush Saro: Perëndimi s’është Nënë Tereza

Kur Perëndimi del fiasko

Falë sorollatjeve nëpër ‘kapituj të papërfunduar’, duket se ëndrra e madhe e shqiptarëve për ta parë veten në Perëndim, bashkë me Perëndimin, ka mbetur si një film i bukur, që thjesht të bën pak nostalgjik. Ky episod i vështirë, nuk do të thotë se Shqipëria, Kosova dhe disa vende të Ballkanit po ndërrojnë apo duhet të ‘ndërrojnë’ kursin; përvoja e tyre si vende të Lindjes, të eksperimenteve me Socializëm, ishte aq e hidhur, saqë nuk bëhet më fjalë për të tjera ‘ëndrra’.

Gjithnjë e më shumë, Perëndimi po shfaq mefshtësinë e ‘moshës’ dhe të pamundësisë për të qenë si dikur: i fuqishëm, i bashkuar, sfidues. I themi këto ngase Amerika dhe BE-ja kanë hyrë në konflikt jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me vetë rrugën që kanë ndjekur gjer më sot. Dhe tutje, nga Azia, protagonistë të tjerë po duan të diktojnë. (Kësaj ‘tabloje, disa i veshin cilësimin ‘Rendi i ri’.)

Por le të dalim nga termat. Amerika dhe Perëndimi, që dikur kishin akses të padiskutueshëm në kontinentet e tjera, duket se po humbasin terren gjithnjë e më shumë. Takimet dhe lëvizjet në kuadër të Asosacionit të vendeve të Azisë Jugore (Kina, India, etj., por edhe Rusia, sado që gjeografikisht është më shumë Evropë se Azi,) tregojnë qartë se punët e botës kanë ndryshuar; ato vende, në disa tregues, po e lënë pas Perëndimin. Në fakt, luftërat e sajuara prej tij, me gjasë për kontrollin dhe shkatërrimin aty-këtu të arsenaleve atomike, apo më mirë për kontrollin e naftës, nuk po mbarojnë… (Monopolet, pavarësisht kësaj situate pothuaj dramatike, kanë gjithë fushëveprimin e duhur për t’i mbajtur çmimet të larta dhe për të kompensuar humbjet që vijnë nga konkurenca me blloqet që u zunë goje më sipër.)

Pra, duket sikur Perëndimi e ka humbur pak torruan e po bie në gjunjë; jo se po i bie në gjunjë dikujt, thjesht po rrëzohet. Nga ana e vet, Amerika, krenaria e atij komuniteti, po e bën atë të vuajë edhe më shumë nga ç’e diktojnë rrethanat. Tarifa, mosbesim, kërcënime e mëri, hiq e mos këput me NATO-n, dil nga dera e hyrë nga dritarja në atë historinë e Groenlandës, etj. këto po e zhveshin Perëndimin nga durimi dhe qëndresa. Aleanca po vuan dhe s’e di pse.

Siç u tha edhe më lart, aspekti më i dukshëm i këtij gjunjëzimi, është shkatërrimi i unitetit mes vendeve të cilave ne u veshim atë sigël. Kujtojmë konfliktet shtetërore dhe vetiake të ShBA-ve dhe Presidentit aktual, z. Tramp, me Spanjën, me Francën, me Italinë. Kjo sherrnajë është edhe më e zhurmshme sot në raportet me Kanadanë. (Presionet amerikane dhe ndryshimi i akseseve në kapitalin botëror, po i detyrojnë disa vende perëndimore të dalin nga vetja.) Kanadaja kërkon marrëveshje me BE-në, jo për t’u anëtarësuar, se nuk bëhet një gjë e tillë, por për të zbutur problemet e saj ekonomike pas asaj historisë me tarifa, që njëherë vihen e njëherë tjetër hiqen… Një të shkundur pa kuptim i jepet ndërkaq edhe Britanisë së Madhe; e kështu, sa hap e mbyll sytë, Skocia, Uellsi dhe Irlanda, bëhen gati për ta ngrënë çdolloj shantazhi.

Më në fund, Perëndimi nuk është Nënë Tereza; është një komunitet i stërmadh me interesa që variojnë sipas situatave; me synime të pakthyeshme për hegjemoni e diktat; me prirjen për ta kujtuar Demokracinë dhe parimet e saj, por pa u cënuar vetë nga kërkesa a lëvizje që mund të prishin statukuonë. Perëndimi imponohet kur ka partnerë të dobët, që bëjnë vasalin; prandaj mirë është që rrushi të varet në degët e veta, siç thotë populli.

Por ndërkaq, edhe pse varka lëkundet ca si tepër, Perëndimi është dhe mbetet një mjeshtër i sprovuar i kulaçit dhe i kërbaçit. Ka një përvojë të madhe në përmbushjen e qëllimeve dhe rehative të veta; për to, mund të harrojë ca (ose edhe shumë) miqësi e lidhje që i prishin punë. (“Nuk pritet kumbulla se i bën hije kungullit.” Popullore) Gjithçka mund të bëhet që lobe të caktuara të fitojnë terren; gjithçka mund të bëhet që disa mosarritje a gafa të mbulohen; gjithçka mund të bëhet edhe që disa dosje të mos hapen. Gjithë në atë udhë, për të harruar humbjet dhe ngritjen e çmimeve, aspekte që rëndojnë në kurriz të shtresave të gjera, edhe më tej Amerika bën show: duke ulur e ngritur tonet me Iranin kokëshkëmb; duke vënë në dyshim raportet korrekte me mediat dhe parimet e Demokracisë, teksa matet të dëbojë nga Shtëpia e Bardhë disa media, përfshi CNN; duke u marrë (krejt pa sens) me Kennedy Center, etj.

Amerikë e BE duken të trazuara. Dhe situata e paqetë, e tyre dhe mes tyre, doemos prodhon ca shkelma edhe për më të vegjëlit. Falë sorollatjeve nëpër ‘kapituj të papërfunduar’, duket se ëndrra e madhe e shqiptarëve për ta parë veten në Perëndim, bashkë me Perëndimin, ka mbetur si një film i bukur, që thjesht të bën pak nostalgjik.

Ky episod i vështirë, nuk do të thotë se Shqipëria, Kosova dhe disa vende të Ballkanit po ndërrojnë apo duhet të ‘ndërrojnë’ kursin; përvoja e tyre si vende të Lindjes, të eksperimenteve me Socializëm, ishte aq e hidhur, saqë nuk bëhet më fjalë për të tjera ‘ëndrra’.

Por ani, Amerikë e BE janë sot të paqartë; më e pakta që mund të thuhet. Dhe kështu, për disa vende ende ‘jashtë’, realiteti duket hutues me pamjet e tij heraherës gri. Me fjalë të tjera, problemet e rënda të Perëndimit, gjithsesi, e shushatin më keq një vend që ende nuk është krejt Perëndim. Si Shqipëria; apo edhe Kosova. Dhe po të ish thjesht shushatje, bëhej derman. Puna ka shkuar ca më larg.

Kujtojmë që kur fuqive të mëdha u duhet të bëjnë pazare, padyshim paguajnë edhe vendet e vogla, sikundër ndodhi me ish-drejtuesit e UÇK-së, histori që fillon me kërcënimet e mëparshme për ngritjen e Gjykatave Speciale dhe vazhdon me aktgjykimet në dinamikë. Nuk ndjehemi mirë ta themi, por Perëndimi vetë i dënoi ata, ish-aleatët e vet, pasi kishte krijuar më parë terrenin për t’i dënuar, për shkak se i duhej njëlloj barazpeshe, për të bërë edhe më tej pazare me Lindjen, kupto Rusinë. Në këtë mes, roli i Serbisë është ai i përhershmi – bravo, sa kohë që i ecin dredhitë – kurse ata që mbahen pas krenarisë dhe u besojnë verbërisht miqve, e të tillë janë shqiptarët, mbeten në anën e të dëmtuarve. Perëndimi, në gjunjë, u dëgjua të thoshte: Do të respektojmë vendimin. Sa cinike! Fiasko!

U nisëm nga episode të rëndësisë globale, për të ardhur edhe në terrenin tonë. Perëndimi po përpiqet t’i hedhë krizat e veta mbi të tjerët, mbase edhe mbi veten; por më së pari mbi të tjerët. (“Fikut të ulët i hipën kushdo.” Popullore) Në këto kushte, duket e vështirë që Perëndimi (i përmasave të zvogëluara) të inspirojë Kosovën, apo të imponohet atje, në zgjidhjen e problemeve institucionale; madje, të krijohet përshtypja që ai, Perëndimi, e do rajonin pak në krizë dhe Serbinë… në stabilitet. Po aty, e vështirë që Perëndimi të merret me rrënimin e Demokracisë së brishtë në Shqipëri dhe me korrupsionin e pandëshkuar. S’ka shenja se mundet; së paku gjer më sot. Për të qenë realistë, një vend i përparuar nuk është kurrë ai që e ka ‘krijuar’ ndikimi apo trysnia e Evropës dhe e Amerikës.

Më në fund, Perëndimi nuk është Nënë Tereza; është një komunitet i stërmadh me interesa që variojnë sipas situatave; me synime të pakthyeshme për hegjemoni e diktat; me prirjen për ta kujtuar Demokracinë dhe parimet e saj, por pa u cënuar vetë nga kërkesa a lëvizje që mund të prishin statukuonë. Perëndimi imponohet kur ka partnerë të dobët, që bëjnë vasalin; prandaj mirë është që rrushi të varet në degët e veta, siç thotë populli. Sigurisht, nuk është e lehtë; në çdo marrëdhënie, ka segmente të shtruara dhe asish me gropa. Të shpresojmë që rruga e kombit tonë, e dy vendeve tona, të ketë sa më pak t’atilla…