Aktualitet

Vetëdorëzohet në polici Nazmi Shahini, pjesë e grupit që transportonte drogë nga Brazili dhe Ekuadori

Është vetëdorëzuar në polici Nazmi Shahini, i njohur edhe si Drazhi, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas hetimeve të SPAK, Shahini dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka vepruar gjatë viteve 2020-2021 dhe që ka trafikuar rreth 8.1 ton drogë, përfshirë kokainë dhe kanabis.

Droga, sipas Prokurorisë së Posaçme, transportohej nga vende si Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt tregjeve europiane, përfshirë Italinë, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe vende të tjera. Hetimet për këtë grup kriminal vijojnë.