Aktualitet

Amendamentet e PS për Kodin Rrugor: Shoferët që kapen dy herë me alkool mbi 0.5 gr/l në gjak u hiqet patenta përgjithmonë! Orar i kufizuar qarkullimi për shoferët e rinj

Pas aksidentit tragjik ku një shofer i dehur dhe me shpejtësi u mori jetën dy miturve në Durrës, Partia Socialiste e ka gati draftin për ndryshimet në Kodin Rrugor.

Masat më të ashpra parashikohen për drejtuesit e rinj, ndërsa shoferët e dehur në timon që përsërisin shkeljen rrezikojnë heqjen e patentës përgjithmonë.

Ndryshimet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti i PS, Erion Braçe.

Sipas amendamenteve të depozituara në Kuvend, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi do t’u shtyhet e drejta për t’u pajisur me patentë për një vit, ndërsa për të miturit afati shtyhet me dy vite nga momenti kur u lind e drejta për ta marrë atë.

Ndryshimet që propozon PS
-Nëse kapesh pa patentë në timon, për 1 vit nuk pajisesh dot me patentë (plus përgjegjësive sipas legjislacionit penal në fuqi)
-Nëse je i mitur (pra që nuk e ke marrë patentën asnjëherë), do e marrësh patentën 2 vite pasi të mbushësh moshën për ta marrë ata, pra jo 18 por 20 vjec do bëhesh për herë të parë me patentë
-Nëse je në vitin e parë të patentës, duhet ta drejtosh makinën me 0 alkol.
-shpejtësia maksimale 90 km/h në autostradë, 80 në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara (ndëshkimi, gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë (pezullohet patenta 1 muaj dhe hiqen pikë sipas akteve nënligjore në fuqi)
– Shoferët e rinj (Deri 2 vite) s’lejohet të drejtojnë mjet në orarin 24:00-06:00 pa një të rritur me patentë prej të paktën 3 vitesh
-Nëse në 1 vit nuk bën shkelje, këto kufizime për shoferin “1-vjeçar” bien.
-Nëse bën 2 shkelje gjatë kësaj faze testi, periudha e provës të zgjatet edhe me 1 vit (pra nisin sërish kufizimet)
Ndalohet përdorimi i celularit për biçikletat dhe motorët elektrikë
Kush kapet në timon me vlerë të alkolit më shumë se 0.5 g/l në gjak, dhe është ndëshkuar më parë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkolit dhe e përsërit i hiqet përgjithmonë patenta