Apeli zhbën një nga proceset më të gjata, Sonila Qato e 9 të tjerë të pafajshëm
Gjykata e Posaçme e Apelit shpall të pafajshëm 10 të pandehur mes të cilëve edhe ish-drejtoreshën e ARRSH-së Sonila Qato të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Në korrik të 2025 Gjykata e Posaçme dënoi me 6 muaj burg ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, për shkelje të barazisë në tendera.
Dënimi i caktuar do të konvertohej në punë në komunitet, ku Qato u kërkua të kryejë 60 orë shërbim si dhe nuk do të mbante poste drejtuese. Po për këtë çështje iu provua akuza në Shkallë të parë edhe 3 ish-vartësve të Qatos, ndërsa 6 të tjerë rezultuan të pafajshëm, por me vendiminne sotëm të gjithë fituan pafajësinë.
Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet e referoi materialet. SPAK pretendoi se nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit.
Ndërkohë dosja ishte ndarë në fraksione, ku më 13 mars, GJKKO kishte pushuar çështjen ndaj 6 zyrtarëve të tjerë ARRSH-së të pandehur për shkelje të barazisë në tendera për shkak të parashkrimit të veprës penale
Hetimi bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë pa TVSH, i vitit 2019, fraksion i ndarë i dosjes për rrugën Kardhiq Delvinë

