Aktualitet

Detaje nga operacioni kundër call centerave në Tiranë, sekuestrohen 1 mln euro cash

Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik i zhvilluar mbrëmjen e sotme në tre Call Centera në Tiranë.

Sipas të dhënave, janë vendosur 9 masa sigurie në kuadër të hetimeve.

Aksioni po udhëhiqet nga prokurorja e Tiranës, Rovena Bozo.

Gjatë kontrolleve janë verifikuar 3 call center, të shpërndarë në 4 ambiente pune, me rreth 300 poste pune në total.

Mësohet se janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Dy nga ambientet e kontrolluara ndodhen në “Millennium Business Center”, në Rrugën e Kavajës, ndërsa tjetri në afërsi të Kopshtit Zoologjik.

Dyshohet se nga këto struktura janë mashtruar shtetas nga disa vende, përfshirë Austri, Itali, Spanjë, Greqi, Kanada dhe SHBA, përmes skemave të ndryshme telefonike.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe rolin e secilit të përfshirë në këtë aktivitet.