Opinion

Ditmir Bushati: Pse protestat në Shqipëri nuk ngjajnë me ato në Europë

Në Shqipëri, shkaqet e revoltës janë të ndryshme. Ato lidhen me zemërimin e një brezi që është rritur mes skandaleve të shumta, vështirësive të panumërta dhe të njëjtëve udhëheqës. Një brez që ka lindur dhe është rritur duke parë të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to. Ndaj, duan të hapin një rrugë të re për Shqipërinë.

Ditmir Bushati
Ish Ministër i Jashtëm

Kancelari gjerman Merz na tha një të vërtetë të thjeshtë, që rrëzon shumë prej dokrrave të hedhura në opinionin publik, duke i bishtnuar thelbit të shkaqeve të krizës ku ndodhemi.

1.Protestat ndihmojnë rrugën për në BE

Protestat dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, protestat synojnë të ndryshojnë atë që procesi i anëtarësimit në BE, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve, ende nuk ka arritur ta ndryshojë: personalizimin e tejskajshëm të pushtetit, normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, pabarazitë ekonomike dhe polarizimin shoqëror.

Protestat janë më shumë se një çështje e brendshme e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është përqendruar te shqetësimet e njohura: shteti i së drejtës, korrupsioni, kapja oligarkike e shtetit, krimi i organizuar dhe dobësia institucionale. Protestuesit kërkojnë ndryshim pikërisht në këto fusha. Kërkesat për llogaridhënie janë kërkesa që e shtyjnë përpara rrugën europiane të vendit

  1. Dhuna nuk është zgjidhje

As dhuna dhe as brutaliteti i policisë nuk janë zgjidhje për të tejkaluar situatën. Aktet e dhunës dhe veprimet e forcave të sigurisë duhet të hetohen në mënyrë të pavarur nga drejtësia. Respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE.

III. Pse protestat në Shqipëri nuk ngjajnë me ato në Europë?

Një pjesë e Europës është përfshirë nga protestat studentore. Zymtësia e protestuesve pasqyron gjendjen e një kontinenti që po përpiqet të gjejë një rrugë përpara, teksa popullsia po plaket, borxhi po rritet dhe politikat e mirëqenies po tkurren, si pasojë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

Emigracioni po polarizon gjithnjë e më shumë Europën. Ndërkohë, kontinenti nuk po arrin të ecë me ritmin e transformimeve teknologjike që pritet të përcaktojnë të ardhmen. Qeveritë nuk kanë përgjigje bindëse për të rinjtë që ndihen të humbur në këtë situatë.

Në Shqipëri, shkaqet e revoltës janë të ndryshme. Ato lidhen me zemërimin e një brezi që është rritur mes skandaleve të shumta, vështirësive të panumërta dhe të njëjtëve udhëheqës. Një brez që ka lindur dhe është rritur duke parë të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to. Ndaj, duan të hapin një rrugë të re për Shqipërinë.