Dokumenti – Seanca gjyqësore e radhës për qytetarin shtyhet pas 6 muajsh, kurse për rritjen e pagave u mor vendim brenda ditës
Një denoncim i avokatit Ermal Hamataj në rrjetet sociale ka vënë edhe njëherë në pikëpyetje standardet e drejtësisë shqiptare.
Hamataj ka publikuar njoftimin e Gjykatës së Tiranës, duke bërë me dije se seanca e radhës për qytetarin ai që përfaqëson është caktuar më 8 shkurt 2027, në orën 10:00, rreth gjashtë muaj pas seancës së mëparshme.
Avokati shprehet se seanca e kaluar ishte zhvilluar javën e kaluar, por ishte shtyrë për shkak të asaj që ai e quan “greva e rrogave”.
Denoncimi i tij vjen në një moment kur çështja e rritjes së pagave të magjistratëve ka marrë vëmendje të veçantë, duke krijuar një kontrast mes zvarritjes së seancave gjyqësore për qytetarët dhe vendimmarrjes së shpejtë të gjykatave për pagat e tyre. Hamataj vë në dukje vonesat e proceset gjyqësore kur bëhet fjalë për çështje që prekin qytetarët.
“Sot gjykata e Tiranës njoftoi palën time për seancën e radhës. Nuk i kushtova rëndësi kur ma nisi, sepse mendova do e shënoja datën më vonë në kalendar. Më vonë-ja erdhi tani, shikoj që seanca e radhës është lënë në datën 8 shkurt 2027, ora 10:00.”
Hamataj vijon duke theksuar se seanca paraardhëse ishte zhvilluar javën e kaluar, por ishte shtyrë për shkak të “grevës së rrogave”.
“A është normale (se e ligjshme e di shumë mirë që jo) të shtyhet seanca me 6 muaj? Ku ta di unë ose pala ime që do jemi gjallë pas 6 muajsh? Nqs kjo nuk është pavarësi, unë vras veten. Pavarësi edhe nga ligji vetëm gjyqësori jonë ka…”, shkruan avokati.


