DOSJA/ Lidhjet e errëta të Lul Berishës me Belinda Ballukun dhe ish-zyrtarë të lartë të Doganave
Lidhje të forta biznesi dhe familjare po dalin në dritë rreth emrit të Lulzim Berisha, i njohur si ish-kreu i bandës së Durrësit, ku përfshihen persona me lidhje të drejtpërdrejta me administratën shtetërore dhe sektorë të ndjeshëm si doganat dhe transporti.
Sipas të dhënave që ka siguruar “MaShqip” motra e tij, Luljeta Berisha, rezulton e lidhur në disa kompani me Jona Dushku, vajza e ish-drejtoreshës së përgjithshme të Doganave dhe njëherazi motra e ish-shefes së kabinetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, aktualisht nën hetim nga SPAK.

Në qendër të kësaj skeme del edhe Kevin Bilali, i identifikuar si shofer personal i Luljeta Berishës, i cili rezulton aksioner në disa kompani së bashku me Jona Dushkun dhe Eneo Kasa. Sipas dokumenteve, të tre zotërojnë nga rreth 33.3% të aksioneve në kompani që operojnë në fusha si transporti, sigurimet, konsulenca financiare dhe shërbimet që lidhen me mallrat që kalojnë në port.
Një nga kompanitë kyçe është “Rajan 2007”, ku Bilali ka rezultuar i punësuar si menaxher, ndërsa më herët ka qenë edhe roje në një kompani sigurimi. Sipas të dhënave, kjo kompani, e lidhur me rrethin e Lulzim Berishës dhe motrës së tij, në bashkëpunim me Kastrati, furnizon me karburant tragetet dhe jahtet që hyjnë në portin e Durrësit, duke e bërë atë një aktor të rëndësishëm në një sektor strategjik si ai i furnizimit detar.

Në shtator të vitit 2024 është themeluar edhe kompania “Elite Management”, ku aksionerë janë po të njëjtët emra: Kevin Bilali me 33.4%, Jona Dushku me 33.3% dhe Eneo Kasa me 33.3%. Pranë kësaj strukture rezulton se më herët, në vitin 2023, të njëjtët persona kanë krijuar edhe kompaninë “Elite Finance & Consulting”, që operon në fusha të konsulencës financiare dhe shërbimeve të lidhura me aktivitetet fiskale dhe doganore. Pra, bëhet fjalë për një rrjet kompanish me të njëjtët aksionerë, që shtrihen në sektorë kyç të ekonomisë.

Sipas të dhënave, të mësuara nga “MaShqip” Kevin Bilali është djali i Nazmi Bilalit, punonjës në Doganën e Kapshticës, dhe Aida Bilalit, e punësuar në Ujësjellës Kanalizime Durrës, çka shton më tej lidhjet me strukturat shtetërore.
Edhe pse ndodhet në burg, emri i Lulzim Berishës vijon të shfaqet në prapaskenë në disa biznese në Tiranë dhe Durrës, përmes personave të afërt dhe bashkëpunëtorëve si Luljeta Berisha, Kevin Bilali, Aurela Zela, Shkëlqim Kalemi, Ilir Bardhi e të tjerë.

Rrjeti i lidhjeve familjare, biznesore dhe institucionale në këtë rast po ngre dyshime serioze mbi ndikimin dhe shtrirjen e këtyre strukturave në ekonomi, sidomos në sektorë kyç si doganat, transporti, furnizimi me karburant dhe shërbimet financiare.

