E arta e katërt në karrierë dhe e treta radhazi, Distria Krasniqi shpallet kampione e Europës në xhudo
Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku po marrin pjesë rreth 400 garues nga 46 shtete.
Në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë, 30-vjeçarja mposhti francezen Amandin Bushard, duke siguruar kështu medaljen e tretë të artë radhazi në kampionatet evropiane dhe të katërtën në karrierën e saj. Me këtë sukses, Kosova vazhdon traditën, duke fituar për të 14-in vit me radhë të paktën një medalje në kampionatet kontinentale.
Rrugëtimi drejt finales
Krasniqi e nisi garën me fitore ndaj çekes Tereza Bodnarova, të cilën e mposhti me “uazari” pas një dominimi të plotë gjatë ndeshjes.
Në çerekfinale, ajo u përball me polaken Aleksandra Kaleta, ku sërish kontrolloi luftimin me maturi taktike dhe siguroi fitoren me “uazari”.
Gjysmëfinalja përballë italianes Odeta Giufrida rezultoi më e fortë dhe e balancuar. Ndeshja shkoi në kohën shtesë, ku Krasniqi triumfoi me “yuko”. Ky ishte takimi i 13-të mes dy xhudisteve, me kosovaren që tani numëron nëntë fitore ndaj katër humbjeve, duke fituar edhe gjashtë përballjet e fundit.
Formë e shkëlqyer dhe rekorde personale
Xhudistja nga Peja po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke regjistruar medalje në 16 gara radhazi. Në karrierën e saj të pasur, ajo ka fituar edhe medalje olimpike të artë dhe të argjendtë.
Paraqitja e garuesve të tjerë
Në ditën e parë të garave u paraqitën edhe xhudistet Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviç. Kasapi arriti një fitore, por u eliminua në raundin e dytë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ndërkohë, Muminoviç u ndal që në xhiron e parë në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Garat vazhdojnë të premten, ku pritet të konkurrojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar medalje të tjera për Kosovën.

