E BUJSHME/ Afera “Partizani”, GJKKO thërret Ramën të dëshmojë
GJKKO ka pranuar kërkesën e Berishës për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sakaq, gjykata ka pranuar të marrë në shqyrtim të gjitha provat shkresore të paraqitura nga SPAK si dhe provat shkresore të kërkuara nga avokatët mbrojtës të të pandehurve.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

