Edhe Selenica ngrihet kundër Reformës Territoriale
Kundërshtimet ndaj reformës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste janë shtrirë edhe në Selenicë, ku dhjetëra banorë, përfaqësues të komunitetit, intelektualë dhe drejtues vendorë janë mbledhur në protestë kundër planit për bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Vlorës.
Në qendër të Selenicës u zhvillua edhe një kuvend qytetar, ku u diskutuan pasojat që, sipas pjesëmarrësve, do të sjellë humbja e statusit të bashkisë. Banorët u shprehën se bashkimi me Vlorën do ta lërë Selenicën në harresë, do të largojë shërbimet publike nga qytetarët dhe do të pengojë zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
Pjesëmarrësit i bënë thirrje qeverisë të tërhiqet nga projekti i reformës dhe të ruajë Selenicën si njësi më vete të pushtetit vendor. Protesta në Selenicë i bashkohet reagimeve të ngjashme në disa bashki të tjera të vendit, ku qytetarët po kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në hartën e re territoriale.


