Fundi i 36 javëve i hap rrugën fazës “Final 4” në Superiore, si renditen ekipet pas përgjysmimit të pikëve dhe të gjitha detajet
Më mbylljen e sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore, i hapet rruga zhvillimit të ndeshjeve të fazës “Final 4”, ku do të marrin pjesë Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo.
Ky është viti i tretë i “Final Four”. Ndryshe nga dy sezonet e mëparshme, këtë vit kemi një ndryshim të rregullit, ku pas 36 javëve, 4 ekipet e renditura të para do të marrin pjesë në “Final Four” me pikët e përgjysmuara, duke marrë edhe vlerën më të vogël.
Kështu, renditja në nisje të fazës “Final 4” do të jetë me Vllazninë dhe Elbasanin me nga 31 pikë, të ndjekura nga Egnatia me 28 pikë dhe Dinamo me 24 të tilla.
Datat e ndeshjeve janë të përcaktuara. Beteja e parë do të luhet më 16 maj sfida mes Vllaznisë dhe Dinamos, një ditë më vonë Elbasani ndeshet me Egnatian. Po ashtu, edhe katër ndeshjet e tjera do të zhvillohen në datat 23-24 dhe 29 e 31 maj. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin kombëtar “Air Albania”.

