Bota

Gjermania ul taksën e energjisë elektrike dhe vendos tavan për çmimet e karburanteve, Merz: E mbajtëm fjalën!

Qeveria gjermane ka miratuar një paketë të re masash për të lehtësuar kostot e energjisë për familjet dhe bizneset. Marrëveshja parashikon uljen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, si dhe vendosjen e një tavani të përkohshëm për çmimet e karburanteve.

Sipas vendimit të koalicionit qeverisës, nga 1 janari 2027, taksa e energjisë elektrike do të ulet në nivelin minimal të lejuar nga Bashkimi Evropian, nga 2.05 cent në 0.1 cent për kilovat-orë.

Masa do të zbatohet fillimisht gjatë gjithë vitit 2027 dhe pritet të sjellë lehtësim financiar për familjet dhe bizneset. Sipas qeverisë, kursimi për një familje mesatare mund të arrijë rreth 50 euro në vit.

Një tjetër masë është vendosja e një tavani për çmimet e karburanteve, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe do të zgjasë fillimisht për tre muaj. Çmimet maksimale do të përcaktohen përmes një formule të bazuar në tregjet ndërkombëtare, me synimin për të parandaluar rritjet abuzive.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se qeveria po përmbush angazhimin për të ulur kostot e energjisë dhe për të mbështetur qytetarët.

“Ne bëjmë atë që kemi premtuar. Taksa e energjisë elektrike do të ulet dhe familjet në Gjermani do të lehtësohen, ashtu siç kemi premtuar”, u shpreh Merz.

Paketa vjen në një kohë kur çmimet e energjisë dhe karburanteve janë rritur ndjeshëm për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasigurive në tregjet ndërkombëtare.