Ilmi S.Qazimi: Mjaft me parcelizime e copëtime territoriale të Shqipërisë!
Qeveritë e pas viteve 1990, përfaqësuese të një klase të re të pasurish e të varfërish, të detyrimeve të reja ndaj ndërtimit të një shteti kapitalist në këtë territor,mbi bazën e shprishjes së plotë të gjithçkaje që ishte socialiste, bënë shumë përpjekje për një administrim sa më të fortë të resurseve ekonomike, materiale, natyrore, tokësore, ajrore e ujore.Por punët u bënë rrokopujë sepse veç etjes për fitime sa më të mëdha në një kohë sa më të shkurtër të individëve të ndryshëm,paaftësisë drejtuese e organizuese të qeverive
Dihet se qeverisja e çdo lloj shoqërie bëhet më me efektivitet kur është kryer qysh më parë një ndarje shoqërore pune, territori dhe administrimi, e mirëstudiuar bazuar në kushtet konkrete dhe në parashikimet shkencore për një afat kohor të caktuar.Kjo praktikë pune është ndjekur gjithnjë edhe në familjet, ndërmarrjet prodhuese, kulturore dhe organizimet shtetërore shqiptare, e kudo. Kur vjen puna tek administrimi i të gjithë hapësirës territoriale të Republikës së Shqipërisë në këto 115 vite shtet shqiptar, vëmë re se qeveritë kanë sjellë gjithnjë ndarje e rindarje, me qëllimin e mirë për të vajtur punët më mbarë. Vetëm në periudhën e socializmit pati një ndarje territoriale të bazuar me studime të sakta shkencore duke parë kushtet demografike, ekonomike, tradicionale, kulturore,klimaterike dhe aftësive mbrojtëse nga armiqtë e shumtë.Në atë periudhë territori, hapësira ujore dhe ajo ajrore administroheshin rreptësisht nga shteti i diktaturës së proletariatit dhe tërëçka bëhej me mend, kalem dhe perspektivë.Dhe asisoj, Shqipëria u bë shtet i njohur nga bota kapitaliste e bota socialiste, me autoritet dhe pavarësi, me integritet tokësor, me arsim e shëndetësi falas, me bujqësi e industri të zhvilluar,me mbrojtje të sigurtë, me diplomaci dinjitoze.Qeveritë e pas viteve 1990, përfaqësuese të një klase të re të pasurish e të varfërish, të detyrimeve të reja ndaj ndërtimit të një shteti kapitalist në këtë territor,mbi bazën e shprishjes së plotë të gjithçkaje që ishte socialiste, bënë shumë përpjekje për një administrim sa më të fortë të resurseve ekonomike, materiale, natyrore, tokësore, ajrore e ujore.Por punët u bënë rrokopujë sepse veç etjes për fitime sa më të mëdha në një kohë sa më të shkurtër të individëve të ndryshëm,paaftësisë drejtuese e organizuese të qeverive, edhe ndërhyrjet e kapitalit të huaj ishin dhe mbeten mbytëse për vendin tonë.Të këqiat që pasuan në vitet e qeverisjes Berisha e më pas asaj Rama veç të tjerash erdhën edhe nga ndarja e rindarja territoriale të 28 mijë kilometrave katrorë, në bashki, komuna, njësi administrative , qarqe e prefektura.Edhe më keq akoma , ky marifeti i ndarjes apo siç quhet “reformë territoriale” është shfrytëzuar çdo katër vjet edhe për qëllime të mirfillta politike të klasës-kastë në fuqi, për të marrë sa më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Copëzimi, një sëmundje e rëndë për tokën dhe familjen shqiptare
Gjithandej jemi copëtuar e copëzuar. Në ekonomi- ku shumica dërmuese nuk ngrysin dot muajin dhe pakica e vogël nuk dinë ku t’i harxhojnë paratë; në ideologji jemi thërrmuar fare; në politikë jemi ndarë më dysh; në fe jemi ndarë në katërsh; në gjini jemi ndarë e përzierë keqas duke mos ditur se kush është femër e kush është mashkull; në territor,copa toke të shitura e stërshitura nga qeveria, bashkia apo individi; copa deti të shitura nga qeveria; madje edhe ajrin disa të dhëna shtetërore e trajtojnë si të copëzuar kur tregojnë se janë 126 mijë avionë të huaj që kalojnë mbi qiellin tonë shqiptar gjatë një viti!?Jemi të copëzuar e diferencuar në pronësime, e shpronësime,në strehime , në pushime, në rrugë, në lokale, kudo!Ngado që të lëvizësh:copëtim, shtresëzim, antipati, mungesë respekti,urrejtje deri edhe armiqësi.Copëtimi është kthyer edhe në burim jetese, fitimesh e fatkeqësish.
Kujtoj që në vitet 1944-1990 forcën e gjenim dhe kishim vetëm tek uniteti, kompaktësia, disiplina dhe besimi në vetvete, tek shteti e te partia në fuqi. Ajo kohë nuk harrohet. Kishte vetëm bashkim, fqinjësi të mirë, dashuri, respekt për njeriun, komshiun,punën dhe mëmëdheun.
Këto ditë të tejvaposura gushti jemi ndarë në disa ngastra pro dhe kundër edhe për “territorialen” e qeverisjes socialiste që kërkon të shkrijë goxha bashki. Arriti puna deri në revolta, protesta, demonstrata e djegie teserash e të tjera ukubete deri edhe fyerje e primitivizma.Dhe këto kështu do të vijojnë sepse ne, njerëzit tanë që janë këtu e atje në këtë territor të këtyre bashkive, kaq dinë. Duan më shumë që të jetojmë më mirë. Por ç’ e do se as shkollë nuk kanë që të mësojnë vetë dhe fëmijët; as familje nuk kanë që të mbledhin veten dhe fiqirë; as drejtues nuk kanë që të dëgjojnë një llaf të mirë; as ndonjë organizim si bie fjala ‘ parti e mirëfilltë shqiptare’ që t’ua shpjegojë pse do bëhet kështu e ashtu, nuk kanë. Shkollat qeverisja e E. Ramës, pasi i bëri dy e trekatëshe , i bojatisi mirë e bukur me lajle e lule- i boshatisi se ikën rinia që të kishim martesa e lindje.Se vetë kryetari i qeverisë, reklamoi para dhjetë vitesh në Durrës,“unë nuk kam punë me rininë; le të shkojnë nga të duan”; ai gjithashtu reklamoi që “divorci mund të bëhet shumë më i lehtë me ‘e-albania’ , se unë kam bërë disa”! Edukimin tani e bën televizori dhe celulari, ku ka 90% llafollogji informative dhe fare pak dituri , mençuri dhe udhëheqje për veprim në jetën e individit.
Kur fshatarit i dogje tokën( ia hoqe, ia shite, ia konfiskove , ia more me e pa dokumente,i vure zjarri në behar, e le të përmbytet në dimër),ia hoqe bagëtinë, i hoqe ndihmën nga shteti, i hoqe spitalin, i mbylle shkollën,i largove të pjellët nga atdheu, çfarë do të bëjë ai i gjori? Nuk i le as ujë të pijshëm,as rrugë makine -pa le për asfaltim që nuk bëhet fjalë! Si do të zhvillohet ky komunitet që të barazohet me ato ekuivalentet e Europës?Prandaj banorëve të paktë shqiptarë në këto 28 mijë kilometra katrore u ka vajtur thika në palcë. Dhe pëlcasin në revoltë, shpesh pa e ditur se qëllimin e saj e ka përpunuar i dërguari i pozitës apo edhe ai i opozitës që të ‘çojnë ujin në mullirin e tyre’.
Ndarje administrative e jo shpopullim e përçarje kombëtare
Tani po sundon sofistikimi i marifeteve për të mashtruar e manipuluar sa më shumë, sa më lehtë dhe me sa shumë frute që të shtohet jetëgjatësia e kohës në sundim të këtij që e ka okupuar kolltukun e kryeministrit dhe ai të opozitarit, i thënçin. Kryetari i qeverisë, po i thotë edhe fshatarit edhe qytetarit shqiptar: “do ta ndajmë Shqipërinë kështu si më pëlqen mua! Do të shesim atë që më duhet mua se nuk do shesim qeleshe e flamurë!Tani, administrata shtetërore në fuqi, demek socialiste,(lexo:” grupeve mafioze për pasurim të miqve e shokëve të vet shqiptarë dhe të huaj kryesisht izraelitë,grekë dhe serbë), po ngulmon që të ricopëzojë Shqipërinë me metodën: shkri tri e ngri nji bashki; pothuajse asnjë ndryshim thelbësor në Veriun e Shqipërisë-veç Klosit dhe Fushë-Arrëzit- dhe çatrafilim të plotë të njëzet bashkive të Shqipërisë Jugore. A nuk e kini vënë re këtë dukuri? Që të flasim sa më pak dhe drejtpërdrejt.Që të flasim jo vetëm me aq sa dimë, por të bisedojmë atdhetarisht, për sot e për një të ardhme të afërt, duke analizuar qoftë edhe shkurtazi realitetet. Jemi në këtë gjendje të parcelizimit të Shqipërisë sepse këtu na solli politika antishqiptare e qeverisjes së deritanishme.Me bëmat e tyre korruptive, denigruese po i sjellin ngadalësimin e frymëmarrjes popullit shqiptar duke e katandisur atë në pjesa më e vogël e banorëve të truallit të pagëzuar nga historia:”Shqipëri!?”dhe duke e populluar më shumë kombësi të tjera të globit. Gjer tani janë regjistruar 33 kombësi nga Bangladeshi deri Australi.Kur në Kolonjë vete një bari me dhi nga India, në Çorovodë një kamerier nga Nepali,kur shpërndarës picash dhe fatorino autobuzi në Tiranë janë indianë,ç’mund të presim që të këtë zhvillim kombëtar atdheu ynë? Një shifër që flet vetë: rrethi i Skraparit në vitin 1980 kishte 44 mijë banorë, afërsisht aq sa sot janë vetëm indianë të pajisur me lejë qëndrimi, punësimi dhe jetese në disa rrethe të vendit tonë, ndërkohë që në Skrapar popullata ka vajtur rreth 9500 banorë përfshi edhe të ardhurit nga vendet aziatike.Apo kur është paraplanifikuar që disa studio arkitekturore botërore të kaparosura nga kryeministri të bëjnë ndërtime sipas qëllimit të tyre për fitime, por jo për zhvillime rurale në tërë vendin,si mund të mendohet se qeverisja socialiste ka punuar për zhvillimin e jetës me traditën mijravjeçare ndërtimore dhe jetësore shqiptare?Dhe tani së fundi, edhe bashkitë sado të mekura apo të afta, kjo qeverisje kërkon t’i sfumojë, t’i asgjësojë dhe të ketë mundësi për të fituar sa më shumë vota e me shumë gjasa, aspak për të ndihmuar zhvillimin urban e rural.
Vetëm dy argumente:thuhet se kemi nevojë për qytetërim dhe hyrje në Europë!? Këtë teori mbrojnë, stimulojnë, lëmojnë dhe lartësojnë tellallët e shumtë të qeverisë dhe të opozitës. Qytetërimi nuk është kurrë braktisje e tokës, e punës dhe e fshatit. Qytetërimi nuk është kurrë largimi i rinisë nga atdheu! Përkundrazi, qeveria duhet të punojë që të shpjerë qytetërimin te fshatari, intelektuali e qytetari, te i riu dhe plaku. Kemi shembullin e shkëlqyer të periudhës së ndërtimit të socializmit kur u hodh parulla për të rritur popullsinë dhe ai objektiv u arrit; nga tetëqindmijë në vitin 1944 arriti katër milionë në vitin 1990.U vendos plani ekonomiko-financiar pesëvjeçar dhe të gjithë objektivat ekonomikë-politikë- financiarë u realizuan tërësisht. Dhe Shqipëria kishte shtet, shëndetësi e arsim falas; kishte mbrojtje të sigurt se çdo shtetas shqiptar ishte një ushtar; kishte bujqësi të përparuar e industri të lehtë( prodhimi i bukës dhe veshmbathjes në vend) e të rëndë deri sa prodhoi traktorin dhe autobusin; kishte diplomaci e territor të pangacmuar nga kush, sepse “ nuk kishin lindur gjer atëherë njerëz që të frikësonin shqiptarët?! Kultura dhe qytetërimi shkoi deri në cakun më të largët në Vermosh ku varet harta, në Konispol ku lulëzonin agrumet,në Pustec ku peshku i tharë u njoh në tërë trevat shqiptare, në Dropull ku minoriteti kishte më shumë të drejta nga vendasit etj, etj, etj. Po tani ??Tani është krejt e kundërta.
Fakti i dytë: “Kur administrata konsumon buxhetin më shumë sesa investon për komunitetin, riorganizimi territorial është e vetmja rrugë përpara për zhvillim”. Ky është një argument i bashkishkrirësve. Domosdo që kështu mendon një teknokrat i ushqyer dhe që reklamon vetëm ideologjinë kapitaliste.Atë ideologji që njeriun e trajton vetëm si mall e jo si qenie shoqërore. Që jetën e trajton vetëm si biznes e jo si detyrë njerëzore për zhvillim me vëllazëri, barazi e liri. Por në qoftë se hiqen të paaftët, të korruptuarit, ngrihen pagat, stimulohet tradita dhe puna e pastër, nuk ka nevojë për organika aq shumë të fryra siç është vepruar deri tani. Nuk ka shtet të fortë pa njohje, forcim të traditës kombëtare shtetformuese dhe shtetzbatuese.
Jam i mendimit që vetëm diskutimi i gjerë popullor mund të japë vlerësimet më të sakta për këtë lloj plani parcelizues të mëtejshëm të vendit. Plani qeveritar duhet patjetër t’i nënshtrohet diskutimit popullor. Jo vetëm demografia, por edhe ekonomia, tradita, kultura, historia, rrugët lidhëse të komunikacionit,përvoja e mëparshme janë disa piketa para marrjes së vendimit. për shkrije, ngrirje apo ngritje e ngjitje bashkish.Pastaj është e domosdoshme,heqja e të paaftëve që nga kryebashkiakë, dhe vendosja e të aftëve e jo të patronazhistëve në detyra publike. Tu jepen kompetenca për punë të pavarur, por edhe rreptësisht të kontrolluar, -këto janë çështje prioritare me veçanësitë e çdo bashkie. Jam për mos parcelizim të mëtejshëm të territorit,sidomos në bashkitë jugore, por për forcim të gjendjes ekzistuese mbi bazën e vërejtjeve që do të thotë populli gjatë diskutimit.


