Intervista/ Agim Nesho: Kryeministri Rama nuk e do anëtarësimin në BE, sepse nuk pranon kriteret bazë të Kopenhagen për Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës
Intervista/ Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB
Shqipëria sot ka një regjim kryeministror, një politikë të jashtme të personalizuar nga Rama, që e ka kthyer Shqipërinë në një autokraci elektorale, si regjimi i Putinit
Jakup B. GJOÇA
Para disa ditësh, kryeministri Rama, për të fshehur shkaqet politike, që vendet e BE-së po distancohen nga hapja e kapitujve të Shqipërisë për anëtarësim në BE, deklaroi se opozita “leh” nëpër korridoret e Brukselit kundër integrimit të Shqipërisë. Por, ndërkohë, kryeministri Rama ndërmerr (fshehurazi nga opinion në Shqipëri) së bashku me Presidentin Vuçicc nismën, që Shqipëria dhe Serbia heqin dorë nga anëtarësimi në BE dhe pranojnë njëfarë raporti të “nivelit të dytë” me BE, në sferën ekonomike të Zonës Shengen dhe Euro, sepse kryeministri Rama nuk pranon kriteret bazë të Kopenhagen për Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës. Ish ambasadori i Shqipërisë në OKB Agim Nesho, në intervistën për gazetën “Telegraf”, së pari pohon se Bashkimi Europian po distancohet nga politika e kryeministrit Rama, për shkak se nuk respekton Pavarësinë e Drejtësisë dhe pengon luftën kundër korrupsionit, duke marrë votimin në Parlament të çështjes “Balluku”. Zoti Nesho thekson se kjo nismë e kryeministrit Rama me Vuçiç, synon “Rikthimi i Ballkanit të Hapur do të thotë fund i ëndrrës europiane dhe kthimi i Shqipërisë në një shtojcë të politikave serbe”.
SHQIPËRIA, PO HUMBET MUNDËSINË HISTORIKE TË ANËTARËSOHET NË BE
-
Lind pyetja: A e kupton situatën në Shqipëri Bashkimi Europian sot?
-
Pika e kthesës në marrëdhëniet me BE-në kanë qenë zgjedhjet e 11 Majit, ku u pranua që zgjedhjet nuk ishin të drejta dhe barabarta. Raporti i OSBE-/ODHIR dhe problematika, që evidentoi, treguan se Shqipëria ishte larg standarteve të demokracisë funksionale dhe po shket në një autokraci elektorale. Thyerja e marrëdhënieve me BE-në erdhi përfundimisht me qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë në rastin “Balluku”. Drejtësia e pavarur ishte karta kryesore, që BE shpaloste për ecurinë pozitive të Shqipërisë në rrugën e forcimit të shtetit të së drejtës. Thyerja e kësaj “tabuje” ishte jo vetëm zhgënjimi i madh, por edhe ndërgjegjësimi për një realitet ndryshe. Bllokimi i negociatave është paralajmërimi real që BE bën ndaj Shqipërisë, e cila nën regjimin e Edi Ramës po humb shansin historik të hyrjes në BE.

– Zoti Nesho, sipas Jush, pse kryeministri Rama, (së bashku me Presidentin Vuçiç) ndërmorën nismën e përbashkët, (e cila u botua në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine” për heqjen dorë nga anëtarësimi dhe pranimi i njëfarë raporti “të nivelit të dytë” me BE-në?
– Letra e përbashkët e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç në gazetën gjermane FAZ është një akt presioni që dy autokratët e Ballkanit i bëjnë Bashkimit Europian (BE), si rezultat i dështimit të regjimeve të tyre të plotësojnë kriteret kryesore të sundimit shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancës së pushteteve, kapjes së medias, pavarësisë së gjyqësorit, etj. Kërkesa e autokracive ballkanike, që të anashkalojnë anëtarësimin në BE, duke u pranuar vetëm në hapësirat e tregut europian dhe zonës Shengen, e shitur kjo si një mundësi, që ju ofrohet BE-së për problematikën, që kanë vendet europiane në procesin e zgjerimit, është më tepër një qëndrim i tyre ndaj vlerave europiane, transparencës dhe llogaridhënies, lidhjes së politikës me krimin e organizuar, qëndrimin ndaj korrupsionit, etj. Paraqitja e një alternative të re nga autokratët ballkanikë është më tepër një shfajësim përpara opinionit të tyre të brendshëm, që kërkojnë integrimin e plotë europian, sesa zgjidhje, që mund të pranohet prej europianëve. Ky propozim del kundër parimeve bazë dhe kritereve të krijimit të BE-së, traktateve bazë të saj dhe sjell si rezultat një BE me disa rrathë integrimi, me qytetarë të saj të disa niveleve. Por më e rëndësishmja, ky propozim vjen nga vende që nuk pranojnë kriteret bazë të Kopenhagen për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Qëndrimi i Ramës kundër drejtësisë, qartësoi më tepër në një sërë vendesh europiane karakterin e regjimit jo- demokratik dhe realitetin paralel, që prezantohej nga propaganda në botë.
– Cila është domethënia e veprimit të Kryeministrit Rama, që këtë nismë e mori së bashku me Presidentin Vuçiç, dhe jo edhe me Presidenten e Kosovës, me Presidentin e Maqedonisë dhe me partitë politike shqiptare atje, (për arësyetim të popullsisë shqiptare atje)?
– Marrja e kësaj iniciative së bashku me Vuçiç dhe jo me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, ose Mali i Zi, është një lëvizje e mirë-menduar e kryeministrit Rama për disa arsye.
Së pari, një propozim që vjen nga dy vendet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor e detyron BE të gjejë një zgjidhje jo-përjashtuese, zgjidhje, e cila bie ndesh me parimin e meritokracisë në procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian. Ky propozim është kundër Procesit të Berlinit dhe pengon vende si Mali i Zi të vazhdojnë procesin normal të integrimit.
Rikthimi i Ballkanit të Hapur do të thotë fund i ëndrrës europiane dhe kthimi i Shqipërisë në një shtojcë të politikave serbe.
Së dyti, Rama ndihmon Vuçiç për të mbajtur pushtetin e tij, në një kohë kur opinioni publik në Serbi kërkon rrëzimin e regjimit. Rama relativizon pozicionin pro-rus të Serbisë dhe insiston në ndihmën, që BE duhet t’i japë regjimit nacionalist të Vuçiç. Me këtë pozicion të shprehur Rama justifikon Beogradin për t’i shpëtuar kërkesës së BE-së që pa njohjen e Kosovës nuk ka integrim europian.
Së treti, Rama dhe Vuçiç me presionin e tyre ndaj BE-së shprehin dhe qëndrimin e tyre të përbashkët për inisiativën e Ballkanit të Hapur, si një alternativë ndaj integrimit europian. Rikthimi i Ballkanit të Hapur do të thotë fund i ëndrrës europiane dhe kthimi i Shqipërisë në një shtojcë të politikave serbe, që Ballkani të jetë një rajon i pa-angazhuar, ku të ndërthuren interesat e fuqive të mëdha.
Politikës klienteliste e Ramës i duhej integrimi europian, si kalë beteje, për të marrë mandatin e katërt, ose për ta vjedhur atë, siç veproi në 11 maj 2025.

– Këto nisma të kryeministrit Rama për integrimin e Shqipërisë, a duhet paraprakisht të votohen në Parlament?
– Çdo nismë në politikën e jashtme duhet të dakordësohet në Parlament, sidomos kur ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe integrimin europian. Por Shqipëria sot ka një regjim kryeministror, një politikë të jashtme të personalizuar nga Rama dhe regjimi e ka kthyer Shqipërinë në një autokraci elektorale si regjimi i Putinit.
– Kjo nismë, nëse mund ta quajmë kaq të rëndësishme, pse u ndërmor pikërisht tani, kur publikisht kryeministri Rama deklaron se “ Bashkimi Europian deri në 2027 do t’i hapë Shqipërisë dyert e anëtarësimit?
– Nisma e përbashkët Rama-Vuçiç doli në momentin, kur vendet e BE-së sidomos Gjermania u shpreh hapur kundër veprimeve të regjimit Rama për të penguar drejtësinë, në rastin e çështjes “Balluku”. Qëndrimi i Ramës kundër drejtësisë, që deri në këto momente ishte shitur si arritja më e madhe e funksionimit të shtetit demokratik në Shqipëri, qartësoi më tepër në një sërë vendesh europiane karakterin e regjimit jo- demokratik dhe realitetin paralel që prezantohej nga propaganda në botë. Rama bëri një autogol, por ishte i detyruar të mbronte veten e tij ndaj korrupsionit shtetëror, që e ka ngritur në sistem në Shqipëri. Një narko-shtet, si Shqipëria, nuk kishte asnjë shans të integrohej në BE, që në fillim, por politikës klienteliste e Ramës i duhej integrimi europian, si kalë beteje, për të marrë mandatin e katërt, ose për ta vjedhur atë, siç veproi në 11 maj 2025.
Me këtë pozicion të shprehur Rama justifikon Beogradin për t’i shpëtuar kërkesës së BE-së që pa njohjen e Kosovës nuk ka integrim europian.

– Kjo nisma e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë a krijon një paqartësi vizioni politik, meqë propozon modele që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin: pjesëmarrjen në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen, duke hequr dorë nga anëtarësimi në BE?
– Sot Shqipëria është kthyer në një autokraci elektorale dhe është gjithmonë e më larg integrimit në familjen europiane. Është e pamundur, që një vend, ku mafia bashkëpunon me politikën, ku shteti i Ramës është kthyer në një narko-shtet, ku korrupsioni është ngritur në sistem për të mbrojtur pushtetin, etj., të ketë shansin të integrohet në BE. Deri tani shumë vende europiane dhe zyrtarë të Brukselit kanë toleruar zhvillimet në Shqipëri,
së pari në funksion të zhvillimeve gjeopolitike,
së dyti nga sjelljet klienteliste të kryeministrit Rama, që blen influencë dhe e ka kthyer Shqipërinë në një platformë eksperimentale për politikat jo popullore në vendet europiane. Dhe këtu përmendim protokollin me Melonin, politikat favorizuese me Britaninë e Madhe për largimin e emigrantëve në vende të tjera, etj.
Ngjarjet në Hungari dhe heqja e Orbanit treguan se asnjë autokraci nuk mund t’i rezistojë revoltës popullore, pavarësisht se mund të përkrahet nga fuqitë më të mëdha botërore

- Cili është mesazhi i rezultatit zgjedhor në Hungari?
– Zgjedhjet e fundit në Hungari prodhuan largimin e regjimit autoritarist të Viktor Orban, me një fitore plebishitare të kundërshtarit. Në aspektin e brendshëm tre janë faktorët, që çuan në rrëzimin e tij:
- Qeveria në pushtet për një kohë të gjatë pa lejuar parimin demokratik të ndryshimit të elitave në pushtet.
- b. Gjendja e rënduar ekonomike.
- Rrëzimi i një regjimi autokratik, që kishte prodhuar korrupsion dhe nepotizëm dhe po e kthente Hungarinë në autokraci lindore nga një demokraci jo-liberale e tipit putinesk.
Ndërsa në aspektin e jashtëm ndikuan:
– Shkëputja e Hungarisë nga politikat e BE-së, duke bashkëpunuar me Rusinë.
– Bllokimi i fondeve të BE-së, të cilat do të fuqizonin programet ekonomike për arsye të politikave të kundërta të Orbanit me BE-në.
Paraqitja e një alternative të re nga autokratët ballkanikë është më tepër një shfajësim përpara opinionit të tyre të brendshëm, që kërkojnë integrimin e plotë europian, sesa zgjidhje, që mund të pranohet prej europianëve.
– Nevoja e ringritjes gjeopolitike të rolit të BE-së në kushtet e një rendi të ri ndërkombëtar të luftës së fuqive të mëdha botërore për zona influence.
– Hungarezët zgjodhën Europën. Ngjarjet në Hungari dhe heqja e Orbanit treguan se asnjë autokraci nuk mund t’i rezistojë revoltës popullore, pavarësisht se mund të përkrahet nga fuqitë më të mëdha botërore. Kapja e shtetit, mediave, institucioneve nga autokratët nuk mund të jetë një projekt i pandryshueshëm, sidomos në shoqëritë me kulturë demokratike dhe luftën, që bën populli në mbrojtje të sistemit demokratik të zgjedhur prej tij. Rënia e një regjimi autokratik në Europë është një shenjë e mirë për gjithë demokracitë europiane dhe një shpresë për shqiptarët për të rikthyer shtetin e së drejtës në Shqipëri.
– Faleminderit!

