Sport

Ivan Balliu drejt largimit nga Kombëtarja, mbrojtësi 34-vjeçar kërkon të mos grumbullohet më

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, mund të jetë pranë fundit të aventurës së tij me fanellën kuqezi. Futbollisti 34-vjeçar ka kërkuar që të mos llogaritet në grumbullimet e ardhshme të Shqipërisë, për shkak të problemeve fizike që po e shqetësojnë.

Sipas raportimeve të Report TV, Balliu ka zhvilluar një bisedë me trajnerin e Kombëtares, Rolando Maran, ku i ka bërë të ditur se aktualisht e ka të vështirë të përballojë impenjimet me klubin e tij, Rayo Vallecano, dhe njëkohësisht ato me përfaqësuesen shqiptare.

Mbrojtësi kishte menduar tërheqjen nga Kombëtarja që në fund të muajit maj, kur kishte njoftuar trajnerin për këtë mundësi. Megjithatë, emri i tij u përfshi në listën e muajit shtator për ndeshjet e Ligës së Kombeve, por Balliu nuk iu bashkua skuadrës për shkak të një dëmtimi.

Në atë kohë, futbollisti paraqiti edhe dokumentacionin dhe testet mjekësore për të justifikuar mungesën e tij.

Tashmë, në prag të grumbullimit të ri, që nis më 9 nëntor, Balliu nuk pritet të jetë pjesë e listës së trajnerit Maran. Problemet fizike dhe mosha duket se kanë ndikuar në vendimin e mbrojtësit për të bërë një hap pas nga Kombëtarja.

Megjithatë, largimi përfundimtar i tij nga përfaqësuesja shqiptare nuk është konfirmuar ende. Sipas raportimeve, ekziston ende një mundësi, ndonëse e vogël, që Balliu të rikthehet në të ardhmen dhe të veshë sërish fanellën kuqezi.