Aktualitet

“Jetë qeni” në Vlorë: Bashkia do shpenzojë 260€ në muaj për çdo qen në strehëzën e qenve endacakë

Projekti i Bashkisë së Vlorës për ndërtimin strehëzës për qentë endacakë ka hapur një debat të fortë publik, ku në qendër nuk është vetëm nevoja për trajtimin e kafshëve, por sidomos kostoja që do të paguajnë qytetarët.

Sipas planit, strehëza do të ketë kapacitet për 100 qen dhe do të ofrojë shërbime bazë si ushqim, vaksinim, trajtim veterinar dhe strehim. Deri këtu, gjithçka duket në rregull. Por kur vjen puna te shifrat, situata ndryshon ndjeshëm.

Për periudhën maj–dhjetor 2026, kostoja totale e projektit arrin në rreth 260 mijë euro. Në përkthim praktik, kjo do të thotë rreth 260 euro në muaj për çdo qen një shifër që ka ngritur jo pak pikëpyetje.

Vetëm për pagat e 6 punonjësve parashikohen mbi 7.4 milionë lekë, ndërsa shpenzimet operative kapin mbi 10.4 milionë lekë. Ndërkohë, një pjesë e madhe e fondit shkon për ambientin me qira dhe pajisjet, që arrijnë në mbi 8.1 milionë lekë. Pra, jo vetëm që projekti kushton shumë, por një pjesë e konsiderueshme e parave shkon për shpenzime që nuk janë investim afatgjatë.

Si është e mundur që një qen të kushtojë më shumë në muaj sesa një pensionist apo një familje në nevojë?

Shifrat flasin vetë. Për kujdesin social në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar rreth 310 mijë euro në total, që për 8 muaj zbresin në rreth 207 mijë euro më pak se vetë projekti i strehëzës. Ndërkohë, pensioni minimal është rreth 107 euro në muaj, ndihma ekonomike rreth 35 euro, ndërsa ushqimi për një fëmijë në çerdhe apo kopsht llogaritet rreth 48 euro në muaj.

Askush nuk po vë në diskutim nevojën për të trajtuar qentë endacakë apo për të rritur sigurinë në qytet. Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë:
A po përdoren paratë publike me eficiencë, apo kemi të bëjmë me një projekt të fryrë në kosto?

Debati tashmë ka kaluar kufijtë e një strehëze të vetme. Ai prek drejtpërdrejt mënyrën se si vendosen prioritetet dhe sa transparente janë institucionet në menaxhimin e buxhetit.

Vrojtuesit news