Politikë

Këshilltari amerikan për gjeopolitikën: Protestat kundër Ramës janë shenjë e pakënaqësisë për mungesën e progresit

Këshilltari ndërkombëtar për çështjet gjeopolitike, Mark J. Finlay, ka komentuar protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke vlerësuar veçanërisht karakterin paqësor dhe mënyrën e organizimit të tyre.

Në një intervistë, Finlay tregoi se gjatë qëndrimit në Tiranë ka zhvilluar biseda me qytetarë dhe persona të përfshirë në protestë. Sipas tij, shqetësimet që ka dëgjuar lidhen kryesisht me perceptimin për mungesën e progresit, transparencës dhe drejtësisë, si dhe me nevojën për ndryshim.

Ai tha se i ka bërë përshtypje fakti që protestat kanë vijuar për një periudhë të gjatë pa incidente të rëndësishme, duke i cilësuar ato si të disiplinuara dhe me një mesazh të qartë politik.

Finlay nënvizoi se nuk ka ardhur në Shqipëri për të dhënë qëndrime politike, por për të dëgjuar qytetarët dhe për të kuptuar nga afër situatën. Ai tha se informacionin e mbledhur gjatë vizitës synon ta përcjellë edhe pas kthimit në Uashington, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësues politikë.

Sipas tij, edhe pse një projekt konkret mund të ketë shërbyer si shkak fillestar për mobilizimin e protestuesve, pakënaqësia që ai ka konstatuar është shumë më e gjerë.

“Protestat kanë të bëjnë me mungesën e progresit dhe dëshirën për ndryshim”, u shpreh Finlay, duke shtuar se nga bisedat me qytetarët ka kuptuar se çështjet e Zvërnecit apo Sazanit janë vetëm një pjesë e shqetësimeve.

Ai veçoi veçanërisht kërkesat për më shumë transparencë, drejtësi dhe mundësi ekonomike. Sipas Finlay, të rinjtë shqiptarë kërkojnë perspektivë dhe kushte më të mira për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vend.

Duke iu referuar edhe përvojave të tij në Irlandën e Veriut, ai tha se protestat e zgjatura mund të shoqërohen me vështirësi në ruajtjen e rendit, veçanërisht kur përfshihen të rinj. Megjithatë, sipas tij, ajo që ka parë në Tiranë ka qenë një lëvizje e organizuar dhe paqësore.

Në përfundim, Finlay theksoi se vendimi për të ardhmen politike të vendit u takon vetë shqiptarëve, ndërsa ai synon të përcjellë në SHBA atë që ka parë dhe dëgjuar gjatë vizitës së tij në Tiranë.