Sport

Maran hap dyert e stërvitjes për tifozët: Të hënën mund të na ndjekin nga afër! Trajneri shpjegon mungesat e Tucit dhe Asanit

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka folur për mediat pas publikimit të listës së futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.

Një nga vendimet e teknikut italian që ka tërhequr vëmendjen është mungesa e Indrit Tucit dhe Jasir Asanit. Maran ka shpjeguar arsyet e zgjedhjeve të tij, duke theksuar se po ndjek një numër të madh futbollistësh dhe se dera e Kombëtares mbetet e hapur edhe për emra të tjerë në të ardhmen.

Sa i përket Indrit Tucit, trajneri konfirmoi se sulmuesi është nën vëzhgim dhe se paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re.

“Indrit Tucin po e ndjekim. Në listë kam konfirmuar lojtarët që kanë bërë mirë. Është një lojtar i mirë, i cili më pëlqen”, u shpreh Maran.

Ndërkohë, për Jasir Asanin, tekniku ka bërë të ditur se mungesa e minutave në fushë ka ndikuar në vendimin për të mos e grumbulluar.

Maran foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së tifozëve, duke dhënë një lajm pozitiv për ta. Të hënën, seanca stërvitore e Kombëtares do të jetë e hapur për publikun, në mënyrë që tifozët të kenë mundësi të ndjekin nga afër përgatitjet e kuqezinjve.

“Kemi vendosur që të hënën të hapim portat për tifozët dhe të ndjekin stërvitjen. Kemi dëshirë që të krijohet një sinergji. Të hënën portat do të jenë të hapura. Janë ata motori dhe benzina”, deklaroi trajneri.

Në fund, Maran theksoi se përzgjedhja e lojtarëve bëhet duke marrë parasysh formën dhe kontributin e tyre, ndërsa mungesa e një futbollisti në listë nuk do të thotë se ai nuk ka vlera apo se nuk mund të rikthehet në të ardhmen.

Shqipëria do të përballet me Finlandën më 12 nëntor në “Air Albania”, ndërsa më 15 nëntor do të luajë ndaj Bjellorusisë në Budapest. Kuqezinjtë synojnë të ruajnë vendin e parë në grup dhe të sigurojnë objektivin në këtë edicion të Nations League.