Showbiz

Mateo feston ditëlindjen, ja surpriza e veçantë që mori nga Brikena

Rrugëtimi i tij në “Big Brother VIP Albania 5” e çoi deri në finale, por fitorja më e madhe për Mateo Borrin duket se nuk ishte çmimi i madh, por dashuria!

Ish-banori feston sot ditëlindjen dhe ky përvjetor e ka gjetur më të plotësuar se kurrë, krah partneres së tij, Brikena Selmani.

Lidhja e tyre, e cila nisi mes sfidave dhe emocioneve brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, po lulëzon jashtë kamerave, dhe Brikena është kujdesur që t’ia bëjë këtë ditë vërtet të paharrueshme partnerit të saj.

Ajo i ka organizuar Mateos një befasi mjaft romantike. Siç shihet qartë edhe nga InstaStory i publikuar prej saj, dyshja shfaqet në një ambient mjaft luksoz dhe të ngrohtë, të dekoruar me një hark tullumbacesh në ngjyrë të bardhë dhe gold, pranë një pishine të brendshme të ndriçuar nga qirinjtë.

Të veshur plot stil dhe duke mbajtur gota vere në duar, ata shfaqen në një moment mjaft të afërt, gati për të shkëmbyer një puthje, duke rrezatuar lumturi të plotë.

Përtej ambientit dhe surprizës, detaji që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e ndjekësve dhe ka “shkrirë” rrjetin ka qenë urimi i thjeshtë, por me shumë peshë, që Brikena i ka bërë Mateos. Krahas imazhit romantik, ajo ka shkruar: “U rritsh me mua ❤️💯

Ky mesazh i ëmbël dhe i drejtpërdrejtë është një konfirmim i radhës se dyshja ka plane serioze dhe se marrëdhënia e tyre po ecën me hapa të sigurt, duke i mbyllur gojën të gjithë atyre që dyshonin se romanca e tyre do të përfundonte bashkë me spektaklin.