Politikë

Zgjedhja e kreut të ri/ Ish deputeti i PD, Murrizi: Po talleni me demokratët duke futur kandidatura fallco në garë, është fyerje dhe turp

Ish deputeti demokrat, Myslim Murrizi ka shpërthyer në kritika për atë që po ndodh me garën për kryetar të PD. Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se kandidaturat fallco në garë vetëm sa po e turpërojnë PD dhe demokratët.

Sipas tij, regjistrimi në fletën e votimit për Kryetar të PD të dikujt që s’ka asnjë “gradë” politike në CV dhe që nuk ka qenë kurrë në asnjë detyrë drejtuese në parti, e dëmton procesin, por është edhe tallje për kontributin e çdo demokrati.

Postimi i plotë:

Partia Demokratike nuk ka pse të tallet me veten dhe me demokratët.

Nuk ka pse shpik kandidatura fallco nga hiçi për të thënë që ka “rivalitet” apo garë mes “kandidatësh”.

Me gjithë respektin që kam për çdo demokrat apo demokrate që aspiron për karrierë në politikë, nuk mund të jem fare dakord me formalizmat hipokrite që të regjistrohet në fletën e votimit për Kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë një qytetar apo qytetare që nuk ka asnjë “gradë” politike në CV dhe që nuk ka qenë kurrë as kryetar seksioni, grupseksioni, dege apo anëtar kryesie dege, sekretariate, këshill kombëtar, kryesi e madhe, grup parlamentar.

Statuti i PD nuk detyron që duhet të ketë patjetër kandidat dhe që patjetër duhet të “shpiknim” kandidat artificial. Çdo kandidat apo kandidate “laboratorik” apo i shpikur për të thënë që ka garë, jo vetëm që e dëmton procesin e zgjedhjes së Kryetarit të PDSH-së, por është shumë tallëse, fyese dhe denigruese për kontributin e çdo DEMOKRATI.

Sali Berisha nuk ka nevojë për të shpikur kandidat, sa kohë që ai mendon të jetë në garë për Kryetar të PDSH-së. Prandaj kushdo rreth tij që mendon se po i bën nder duke i “shpikur” kandidat artificial, e dëmton procesin dhe u jep mundësi të gjithë kundërshtarëve të tallen me PD-në dhe DEMOKRATËT.

DEMOKRATËT kanë 13 vjet në opozitë që vuajnë arrogancën e pushtetit të Ramës. Nuk besoj që kanë takat të durojnë një tallje tjetër duke ju ofruar si “kandidat” për Kryetar të PD-së një anonim politik apo fallco kandidat.