Milionat e Delina Ibrahimajt për start-up-et. Njihuni me individët që fitojnë buxhete për projekte që ekzistojnë vetëm në letër
Milionat e Delina Ibrahimajt për start-up-et: të njëjtët emra fitojnë çdo vit, projektet zhduken, kompanitë ndërrojnë vetëm tabelën
Nëse keni menduar se tenderat dhe koncesionet janë hambari i madh i parave të buxhetit, keni harruar start-up-et. Edhe aty ka miliona. Edhe aty ka fitues të përsëritur. Edhe aty ka kompani që ndërrojnë emër, por jo pronarë. Dhe mbi të gjitha, edhe aty ka një fond publik që ndahet me firmë, vulë dhe bekim institucional.
Kur ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi fondin për vitin 2026 prej 535 milionë lekësh, ose rreth 5.35 milionë eurosh, gjithçka u paketua me fjalët e zakonshme për inovacion, teknologji, sipërmarrje të re dhe dyfishim të mbështetjes. Por verifikimi i listave zyrtare të fituesve për vitet 2024, 2025 dhe 2026 tregon një realitet shumë më pak modern: paratë e taksapaguesve duket se po qarkullojnë brenda një rrethi të ngushtë përfituesish, që kthehen vit pas viti në fondin publik.
VNA shqyrtoi projektet fituese dhe vetë fituesit. Nga krahasimi i listave rezulton se një numër i konsiderueshëm start-up-esh janë financuar në mënyrë të përsëritur, ndërsa disa prej tyre shfaqen fitues në të tre thirrjet e organizuara deri më tani.
Të paktën shtatë start-up-e kanë përfituar fonde si në vitin 2024, ashtu edhe në vitin 2025: Space 05, që në vitin 2024 figuron si “Destil – Space 05” dhe një vit më vonë si “Space 05”; “Kungul”, që në vitin 2024 aplikoi si “Kungul App”; si edhe Axiom Breach, Komuniteti, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe, B2Balkan dhe List Albania.
Përsëritja bëhet edhe më e dukshme në krahasimin mes viteve 2025 dhe 2026. Në të dyja listat figurojnë sërish MedWallet, Axiom Breach, B2Balkan, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe, Komuniteti dhe VLEPA.

Një nga mënyrat për ta zbutur në letër përsëritjen e emrave duket se është ndryshimi formal i projektit, ndërsa NIPT-i dhe pronarët mbeten të njëjtë.
Emil Andoni përfitoi në vitin 2025 me projektin “e-Health Albania” dhe ri-mori fonde në vitin 2026 me emrin “eDoktor”, nën të njëjtin NIPT, pa pasur as sot një produkt me përdorues.

I njëjti model shfaqet edhe te Gregor Andoni me “GrAnD Industries” në “GrAnD Creative Industries”, Fatjon Gjata me “Brisk Square” në “Outerlynx”, Meivis Struga me “EKOFUNGI Albania” në “ESI Projects”, si dhe Aldi Lekaj me “ATA” në “ECN Partners”.


Pra, në vend të inovacionit, dokumentet tregojnë një mekanizëm shumë më të thjeshtë: ndërrohet emri, ruhet përfituesi, vijojnë fondet.
Shembujt konkretë të aplikacioneve të financuara ngrenë edhe më shumë pikëpyetje për kontrollin dhe monitorimin. Kompania “Tana Zone”, e themeluar në korrik 2025 me kapital minimal prej 100 mijë lekësh, pa aplikacion dhe pa faqe interneti, mori 4.6 milionë lekë për “Fazën e Zgjerimit”, një fazë që sipas rregullores kërkon prani të demonstruar në treg.
Rasti i “Marigo Marketplace” është edhe më domethënës. Projekti mori 3.5 milionë lekë në vitin 2024 dhe 6.8 milionë lekë të tjera në vitin 2026, duke arritur në 10.3 milionë lekë total. Sot, aplikacioni është fshirë nga Google Play sepse kishte vetëm 284 shkarkime, nuk ekziston në App Store dhe faqja zyrtare shfaq gabim serveri. Me fjalë të tjera, produkti për të cilin u paguan dy herë paratë publike nuk ekziston më.
Për më tepër, “Marigo” zotërohet nga bashkëshortja e Genti Selenicës, i cili është vetë pronar i kompanisë “Baboon”, një tjetër biznes fitues i këtij fondi, që operon prej vitesh në treg dhe vështirë se mund të trajtohet më si start-up, aq më tepër kur aktivitetet e tij rezultojnë në rënie.
Në listën e pikëpyetjeve hyn edhe “Onemor” SHPK. Thirrja “Grant 2026” u hap më 17 shkurt 2026, ndërsa vetëm tre ditë më pas, më 20 shkurt, u krijua shoqëria “Onemor” SHPK, me ortak të vetëm Alban Fejzajn. Vetëm katër muaj pas themelimit, kjo kompani u shpall fituese në Fazën e Zgjerimit, duke marrë 6.13 milionë lekë.

Kjo bie ndesh me rregulloren, e cila kërkon që aplikantët e kësaj faze të kenë dorëzuar të paktën një bilanc tatimor për vitin paraardhës, një kriter kalendarisht i pamundur për një kompani të krijuar në shkurt 2026. Nëse do të garonte si subjekt i ri në Fazën 1, tavani maksimal i financimit do të ishte 1.5 milionë lekë. Përfshirja në Fazën e Zgjerimit i mundësoi marrjen e mbi 4.6 milionë lekëve më shumë.
Ndërkohë, procesi i vlerësimit, pikëzimi i dosjeve dhe verifikimet në terren mbeten të fshehura nga publiku. Në krye të kësaj strukture qëndron Agjencia Kombëtare e Startup-eve, e drejtuar nga Arjan Ymeri, i cili shfaqet publikisht me fitues të dyfishtë të fondeve si Arben Oshafi i “B2Balkan”. Agjencia është nën varësinë e drejtpërdrejtë politike të ministres Delina Ibrahimaj.
Në fondin e start-up-eve të firmosur nga ministrja Delina Ibrahimaj, risia nuk duket të jetë teknologjia, por riciklimi i të njëjtëve përfitues: nga Arjan Ymeri te fituesit e përsëritur si B2Balkan, Axiom Breach, Komuniteti, Marigo Marketplace, Baboon dhe kompani të tjera që ndryshojnë emër, por jo rrugën drejt parave publike.


