Nga Laureta Petoshati : Vendim Kapaj, fyelli që mbart shpirtin e Labërisë dhe zërin e Shqipërisë

Nga Laureta Petoshati
Pas jehonës së filmit hollivudian “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan dhe muzikë të kompozitorit Ludwig Göransson, vëmendja u kthye edhe te një artist shqiptar i jashtëzakonshëm: mjeshtri i fyellit Vendim Kapaj.
Papritur, televizionet dhe portalet nisën të kërkonin: Ku është Vendimi? Si jeton? Ku punon? Dhe kur u mësua se ai kishte punuar në pastrim, nisi debati se institucionet duhet të kujdeseshin për të.
Por Vendim Kapaj nuk është një artist i zbuluar sot nga një lajm. Ai është një mjeshtër me një jetë të tërë kushtuar artit. Ai ka tre vjet që ka dalë në pension dhe që nga momenti kur mësoi fyellin, ai e shndërroi atë në një gjuhë të shpirtit.
Fyelli i Vendimit nuk është thjesht një instrument. Është qarja e shpirtit, vajtimi i detit, rënkimi i lumit, era e maleve dhe kujtesa e një populli. Në tingullin e tij jeton Labëria.
Në vitet e fundit, kompozitori i talentuar Aulon Naçi, (tashmë Drejtor i Teatrit te Operas dhe Baletit) e ka ngritur këtë tingull në një dimension tjetër artistik. Ai e ka mbajtur gjithmonë pranë Vendim Kapajn, me respekt dhe përkujdesje, duke e vlerësuar si një pasuri të gjallë të muzikës shqiptare. Është pikërisht krijimtaria e Aulon Naçit ajo që ka bërë që fyelli i Vendimit të hyjë në hapësira të reja. Dy prej veprave të tij, “Shi Lotësh” dhe muzika e filmit “Deti është qielli”, kanë sjellë tingullin e këtij instrumenti tradicional në skena të reja artistike. Në “Shi Lotësh”, interpretuar nga Filarmonia e Kosovës, dhe në kolonën zanore të filmit “Deti është qielli”, me regji të Enkelejd Llucës dhe me aktorin Blerim Destani, fyelli i Vendimit dëshmon se trashëgimia jonë mund të bashkëjetojë me artin bashkëkohor brenda orkestrave sinfonike.
Sot pyetja nuk është ku punon një mjeshtër i madh, por sa dimë ta vlerësojmë atë.
Një shoqëri që gjen miliona për spektakle dhe figura të huaja ndërkombëtare, si në rastin e pagesave marramendëse për emra si Kanye West, duhet të mendojë edhe për artistët e saj që kanë mbajtur gjallë identitetin kulturor të kombit.
A ka reklamë më të bukur për Shqipërinë sesa kolona zanore e një filmi të Christopher Nolan, ku tingëllon fyelli i një mjeshtri lab si Vendim Kapaj? A ka ambasador më të vërtetë të një vendi sesa arti i tij, që pa bujë e pa zhurmë e çon emrin e Shqipërisë në kinemanë botërore?

Sepse reklamën më të madhe për Shqipërinë nuk e bëjnë vetëm emrat e mëdhenj të botës. E bëjnë ata që mbajnë në duar shpirtin e këtij vendi.
Dhe kur bie fyelli i Vendim Kapajt, në fund nuk dëgjohet vetëm Labëria. Dëgjohet Shqipëria.

