Aktualitet

Ministri absolut i shëndetësisë, Klod Allajbeu, vjedh 8.4 milionë euro nga buxheti i shtetit pasi i ka mbaruar kontrata e hemodializës

Në kalendarin e shtetit shqiptar, data 10 shkurt 2016 do të mbetet dita kur u firmos letërnjoftimi i një pushteti paralel. Në zyrat e protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, me bekimin e atëhershëm të Ilir Beqajt dhe vulën e shoqërisë “DiaVita”, u lind koncesioni i hemodializës një litar i gjatë financiare që prej një dekade do të lidhte ngushtë buxhetin e publikes me llogaritë e privateve. Por çfarë ndodh kur kontrata jep shpirt dhe sahati i ligjit shënon skadencë? Në një shtet të së drejtës, qepenat ulen. Në Shqipërinë e Klodjan Allajbeut, atij që me të drejtë meriton epitetin ministri absolut i shëndetësisë njëriu që emëron, shkarkon dhe fshin vijën mes shtetit dhe kompanisë së tij koha thjesht ngrin për t’i bërë vend arkës personale.

Sipas parashikimeve letrare të vetë koncesionit 10-vjeçar, muaji shkurt i vitit 2026 duhet të shënonte stacionin e fundit. Ishte dita kur privati, pas një dekade korrjeje, do t’i dorëzonte shtetit çelësat dhe investimet “moderne” të premtuara. Por llogaritë e tavolinave tona nuk përkojnë me llogaritë e ministrit absolut. Jemi në korrik të vitit 2026, dhe ndërkohë që kontrata ka gjashtë muaj që dergjet në arkiva si një letër e vdekur, shërbimi mbahet peng në një skenar ku “gjoba” mujore për qytetarët vazhdon të jetë 1.4 milionë euro në muaj, pa asnjë fije kontrate dhe pa asnjë mbështetje ligjore.

Aritmetika e këtij abuzimi flet me një ftohtësi tronditëse. Nga shkurti e deri më sot, pa asnjë letër në fuqi, Allajbeu ka tërhequr nga xhepat e shqiptarëve një faturë prej 8.4 milionë eurosh. Tetë milionë e katërqind mijë euro të pastra, të derdhura çdo muaj për një shërbim që, sipas preventivëve të vetë Ministrisë së Shëndetësisë, po të ofrohej nga shteti do të kushtonte vetëm 300 mijë deri në 400 mijë euro në muaj. Paguhet pra trefishi dhe katërfishi i vlerës reale, ndërkohë që diferenca tretet diku mes xhepave të një oligarku që ka privatizuar edhe frymëmarrjen e sistemit.

Dhe ndërkohë që ministri absolut i shëndetësisë llogarit miliona pa pasur nevojë për kontrata, skena jashtë mureve të zyrave të tij ofron tablo tjetër: në vendin më të varfër të kontinentit, qytetarët mbushin rrugët në ditën e mbi pesëdhjetë të protestave për bukën e gojës, për pensione mjerane, për korrupsion galopant, e deri për streset e një jete që i ka lënë pa asnjë horizont.

Në këtë kakofoni ku shoqëria kërkon drejtësi, dritaret e SPAK-ut duket se janë ngritur lart për të futur ajër të pastër, por pa kapur asnjë aromë nga miliona euro që digjen çdo ditë në paligjshmëri totale. Përderisa koha e ligjit ka ndalur për ministrin absolut, mbetet vetëm një pyetje në tryezë: a do të hapen ndonjëherë dosjet e kësaj fature pa fund, apo do të vazhdojmë të presim që mrekullitë e xhepit të zgjidhen vetvetiu?