Padia e Artur Shehut në SHBA, zbulon dosjen me 797 faqe të FBI dhe ICE
Nga Flamur Vezaj
Pas publikimit të dokumenteve që tregojnë historinë e azilit politik të Artur Shehut dhe betejën e tij shumëvjeçare për Green Card, “MaShqip” sjell sot të tjera të dhëna të dala nga vetë dosja e padisë që biznesmeni shqiptar ngriti kundër qeverisë amerikane në vitin 2018.
Materialet zbulojnë një pjesë shumë pak të njohur të kësaj historie: USCIS pranonte se çështja e Shehut ishte futur në “shqyrtim shtesë”, ndërsa një kërkesë e avokatit të tij për dokumentet që qeveria amerikane dispononte nxori një dosje me plot 797 faqe. Dhjetëra prej tyre u mbajtën tërësisht të fshehta, të tjera u censuruan, 48 faqe iu referuan një tjetër agjencie federale, ndërsa gjashtë faqe u identifikuan si dokumente që mund të kishin origjinën nga ICE.

Ajo që bie në sy është volumi i dosjes: plot 797 faqe të identifikuara nga USCIS në përgjigje të kërkesës së avokatit të Shehut. Prej tyre, 527 u dorëzuan të plota dhe 158 vetëm pjesërisht, ndërsa 58 faqe u mbajtën tërësisht të fshehta. Edhe 48 faqe të tjera iu referuan një agjencie tjetër të qeverisë amerikane për të vendosur ajo mbi publikimin, ndërsa USCIS identifikoi edhe 6 faqe që mund të kishin origjinën nga ICE, të cilat ia përcolli kësaj agjencie.
Por edhe më interesant është pse një pjesë e informacionit nuk u bë publik. Në letrën e FOIA-s, USCIS rendit mes bazave ligjore për censurimin edhe përjashtimin 7(E), që lidhet me informacionin e mbledhur për qëllime të zbatimit të ligjit dhe mbron teknika e procedura që autoritetet nuk duan t’i ekspozojnë. Në shpjegimin e vet, USCIS përmend ndër të tjera kontrollet në sistemet e zbatimit të ligjit, procedurat hetimore, manualet, vendndodhjet e pikave të kontrollit dhe teknikat e survejimit.
Kjo e bën dosjen veçanërisht interesante: përse një proces që kishte nisur me azilin dhe më pas me kërkesën për Green Card kishte prodhuar qindra faqe dokumente, një pjesë e të cilave u mbajtën sekret ose iu kaluan agjencive të tjera federale? Çfarë përmbanin 58 faqet që USCIS refuzoi t’i publikonte tërësisht dhe 48 faqet e dërguara te një tjetër agjenci?

Vetëm disa muaj pasi avokati mori këtë përgjigje, Shehu paditi qeverinë amerikane në Gjykatën Federale të Floridës, duke përfshirë në proces Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, drejtuesit e Homeland Security dhe USCIS, si dhe drejtorin e FBI-së. Në qendër të betejës ishte një pyetje që kishte mbetur pa përgjigje prej vitesh: pse aplikimi i tij për Green Card vazhdonte të mbahej pezull?
Dhe dokumentet e siguruara nga “MaShqip” japin një tjetër të dhënë domethënëse. Që në vitin 2009, USCIS i kishte shkruar avokatit të Shehut se aplikimi po përpunohej, por kërkonte “shqyrtim shtesë”, i cili kishte shkaktuar zgjatjen e procedurës. Çfarë ishte ky “shqyrtim shtesë”, çfarë përmbanin 797 faqet e mbledhura në dosjen e tij dhe pse drejtori i FBI-së përfundoi mes zyrtarëve federalë të përfshirë në padinë e Shehut? Këto janë pikëpyetjet që dalin nga dokumentet e vetë procesit gjyqësor.

Në vitin 2017, avokati i Shehut, Larry S. Rifkin, paraqiti një kërkesë sipas ligjit amerikan për lirinë e informacionit, FOIA, për të marrë dokumentet që qeveria kishte në lidhje me klientin e tij. Në përgjigjen e datës 27 korrik 2018, USCIS njoftoi se kishte identifikuar gjithsej 797 faqe dokumente që i përgjigjeshin kërkesës. Sipas letrës zyrtare: 527 faqe u publikuan të plota, 158 faqe u publikuan vetëm pjesërisht; 58 faqe u mbajtën tërësisht të fshehta; 48 faqe iu referuan një agjencie tjetër qeveritare që të vendoste vetë për publikimin e tyre. Ndërsa 6 faqe u identifikuan si dokumente që mund të kishin origjinën nga ICE dhe iu dërguan kësaj agjencie për shqyrtim të drejtpërdrejtë.
Ky është një nga faktet më domethënëse që del nga dokumentet e padisë. Nuk rezulton që të 797 faqet të ishin dokumente të FBI-së apo ICE-së. Përkundrazi, bëhej fjalë për të gjithë materialin e identifikuar nga USCIS në lidhje me çështjen e emigracionit të Shehut.
Por letra e FOIA-s tregon se brenda kësaj dosjeje kishte edhe materiale që USCIS nuk i publikoi plotësisht. Në shpjegimin e përjashtimeve ligjore, USCIS përmend edhe kategorinë 7(E), e cila përdoret për informacion të krijuar për qëllime të zbatimit të ligjit dhe që mund të zbulojë metoda, teknika apo procedura hetimore.

Vetë USCIS përmend si shembuj kontrollet në sistemet e law-enforcement, manuale, teknika survejimi dhe metoda të tjera të përdorura nga autoritetet. Kjo nuk provon se Artur Shehu ishte subjekt i një hetimi penal federal. Dokumentet që “MaShqip” ka siguruar deri tani nuk tregojnë këtë.
Por ato provojnë se dosja e tij nuk ishte trajtuar thjesht si një aplikim rutinë që kishte ngecur në radhë. USCIS kishte deklaruar vetë se rasti kërkonte “shqyrtim shtesë”, ndërsa vite më vonë rezultoi se në arkivat federale ishin grumbulluar qindra faqe dokumente.
Pak muaj pas përgjigjes së FOIA-s, Artur Shehu vendosi t’i drejtohej gjykatës. Më 19 tetor 2018, ai ngriti në Gjykatën Federale për Distriktin Jugor të Floridës çështjen Artur Shehu v. Jefferson Sessions et al., Case No. 1:18-cv-24331-RNS.
Padia ishte një Petition for Writ of Mandamus. Në thelb, Shehu nuk po i kërkonte gjykatës t’i jepte Green Card-in. Ai kërkonte që gjykata federale të ndërhynte dhe ta detyronte administratën amerikane të merrte një vendim mbi aplikimin e tij I-485, i cili kishte qëndruar pezull për vite.

Në proces u përfshinë disa nga zyrtarët më të lartë federalë të kohës. Mes personave dhe institucioneve ndaj të cilëve u drejtua padia dhe summons-et ishin: Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Sekretari i Department of Homeland Security, drejtori i USCIS, drejtori i FBI-së, drejtuesi i USCIS Nebraska, drejtuesi i USCIS Miami dhe Prokurori Federal.
Vetëm fakti që drejtori i FBI-së figuron në proces nuk provon se FBI po hetonte penalisht Artur Shehun. Në çështjet e emigracionit, FBI mund të përfshihet në kontrolle të identitetit dhe background checks, dhe në paditë mandamus avokatët shpesh përfshijnë agjencitë që mund të kenë rol në kontrollet e papërfunduara.
Por pikërisht ky është një nga elementet që mbetet ende për t’u sqaruar nga ankesa e plotë: pse avokati i Shehut e konsideroi të nevojshme të përfshinte edhe drejtorin e FBI-së në proces? Dokumentet e siguruara nga “MaShqip” tregojnë gjithashtu se prej vitesh avokatët e Shehut kishin kërkuar përgjigje nga USCIS. Në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2009 u dërguan kërkesa për informacion, ndërsa në një prej tyre avokati paralajmëronte se, nëse nuk merrte përgjigje, mund t’i drejtohej gjykatës federale.

Në prill 2011, një tjetër avokat kërkonte shpjegim për atë që e quante vonesë të jashtëzakonshme të aplikimit dhe konfirmonte se çështja ishte transferuar në Miami Asylum Office për “përpunim të mëtejshëm”. Por pas padisë federale, zhvillimet morën një ritëm tjetër. Më 4 shkurt 2019, qeveria amerikane paraqiti në gjykatë një kërkesë për zgjatje të afatit për t’iu përgjigjur padisë.
Bashkë me atë kërkesë u depozitua edhe një dokument i renditur në docket si: “Exhibit 1: Form I-485 Approval” — miratimi i formularit I-485. Pra, nga dosja gjyqësore rezulton se deri në atë moment aplikimi për Green Card i Artur Shehut ishte miratuar. Vetëm një ditë më vonë, më 5 shkurt 2019, avokati Larry S. Rifkin paraqiti njoftimin për tërheqjen vullnetare të padisë.
Në dokument thuhej se: “USCIS tashmë kishte marrë vendim mbi aplikimin e vonuar I-485 të paditësit, duke e bërë padinë pa objekt.” Çështja u mbyll menjëherë më pas. Kështu, pas vitesh korrespondencë administrative dhe rreth 16 vitesh nga aplikimi për rezidencë, Artur Shehu iu drejtua gjykatës federale në tetor 2018.

Brenda pak muajsh nga ngritja e padisë, I-485 i tij u miratua dhe çështja u tërhoq. Por pikërisht dokumentet që Shehu vetë depozitoi në gjykatë lanë pas një gjurmë të rëndësishme: një “shqyrtim shtesë” të pranuar zyrtarisht nga USCIS, një dosje prej 797 faqesh, materiale të mbajtura pjesërisht ose tërësisht të fshehta, faqe të referuara te agjenci të tjera federale dhe dokumente të mundshme të ICE-së.
Deri tani, nuk ka dokument që të provojë se FBI kishte bllokuar Green Card-in e Shehut apo se ai ishte objekt i një hetimi penal federal. Por pyetja që mbetet është konkrete: çfarë përmbanin qindra faqet e dosjes së tij dhe cili ishte “shqyrtimi shtesë” që USCIS pranonte se kishte zgjatur procesin?
“MaShqip” po shqyrton dokumentet e tjera të dosjes federale për të përcaktuar nëse përgjigjja ndodhet në materialet që qeveria amerikane kishte mbledhur gjatë viteve të pritjes së Artur Shehut.

Artur Shehu sot është nën hetim nga SPAK dhe ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest në Shqipëri. Sipas dosjes hetimore të SPAK të shqyrtuar nga “Mashqip”, prokurorët dyshojnë se Shehu dhe persona të lidhur me të kanë qenë pjesë e një skeme të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe të pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në blerjen dhe përvetësimin e pronave janë përdorur dokumente të falsifikuara pronësie, tituj të rremë dhe zmadhime artificiale të sipërfaqeve, ndërsa pronat më pas transferoheshin ose shkëmbeheshin duke vështirësuar gjurmimin e tyre. Një pjesë e hetimit prek edhe tokat në Zvërnec që Shehu i shiti në prill 2026 kompanisë “Albania Land Development”, të lidhura me projektin e resortit të mbështetur nga Jared Kushner. Sipas dosjes së SPAK të cituar nga Reuters, rreth 110 milionë euro nga ky transaksion u urdhëruan të bllokoheshin në llogarinë e noterit. Dosja nuk ngre akuza ndaj Kushnerit apo investitorëve të projektit.
Shehu i mohon akuzat. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka deklaruar se klienti i tij nuk është trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh dhe se versioni i prokurorisë nuk përputhet me të vërtetën. Hetimi vijon dhe pretendimet e SPAK ndaj Shehut mbeten akuza/dyshime që duhet të provohen në proces gjyqësor.



