Presidenti Begaj përshëndet rezolutën për integrimin: Qasje e drejtë për anëtarësimin!
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas miratimit në Kuvend të rezolutës për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë si qasjen e duhur për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kreu i shtetit tha se dokumenti përbën përgjigjen institucionale ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Europian për vitin 2025 dhe raportit të Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian.
Begaj vlerësoi faktin që rezoluta u miratua përmes bashkëpunimit mes palëve politike, duke theksuar se kompromisi dhe konsensusi mbeten mënyra e vetme për të çuar përpara objektivin strategjik të anëtarësimit në BE.
Sipas presidentit, votimi në Kuvend përfaqëson një qasje serioze dhe të përgjegjshme ndaj reformave që lidhen me transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social të vendit.
Ai përshëndeti gjithashtu bashkëpunimin parlamentar që çoi në miratimin e rezolutës me 114 vota.
“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE është përgjigjja e duhur ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar.
Ajo është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social.
Përshëndes këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar”, shkruan presidenti në rrjetet sociale.

