Prof. Afrim Krasniqi: Kemi nevojë për reflektim sesa zgjidhja e një proteste
Kemi nevojë për një reflektim shumë më të gjerë sesa zgjidhja e një proteste apo e një krize politike të momentit. Së pari, duhet të krijojmë mekanizma të përhershëm dhe funksionalë të dialogut me nxënësit dhe studentët. Çfarë i kushton Shqipërisë që, për shembull, njëherë në 3-4 vjet të organizojë një debat të madh publik për arsimin, për gjendjen e universiteteve, për kërkesat e studentëve, për nevojat e tregut të punës, për sfidat dhe për objektivat e viteve të ardhshme? Pse duhet të presim që studentët të ngrihen në protestë për të kuptuar se ekziston një problem? Pse duhet të ketë gjithmonë krizë që institucionet të pranojnë dialogun?
Së dyti, duhet të rishikojmë seriozisht modelin tonë arsimor. Çfarë shkollash duam? Çfarë mësuesish dhe pedagogësh duam? Çfarë profilizimi duhet të kenë shkollat dhe universitetet? Si mund t’i lidhim ato me tregun e punës? Si mund të bëjmë një rajonalizim më racional të arsimit, sipas nevojave dhe potencialeve të vendit? Si mund të krijojmë një gjeneratë të re mësuesish, më të formuar profesionalisht, më konkurrues në raport me standardet europiane, por edhe më demokratë në kulturën dhe formimin e tyre qytetar? Ne duhet të synojmë që Shqipëria të ketë jo vetëm ligje si Bashkimi Europian, por edhe institucione, shkolla, universitete, njerëz, mentalitet dhe kulturë demokratike të krahasueshme me vendet e BE-së. Studenti shqiptar duhet të ketë mundësi të barabarta në formim, programe, praktikë profesionale, njohjen e diplomës dhe perspektivën për karrierë me bashkëmoshatarët e tij europianë.
Së treti, duhet të ndërtojmë një sistem real meritokracie. Duhet të krijojmë kushte që çdo i ri, pavarësisht nëse jeton në Tiranë, në një qytet të vogël apo në një fshat të largët, të ndihet pjesë e shoqërisë, të dëgjohet, të respektohet dhe të ketë mundësi të barabarta. Të ketë akses në informacion, në arsim cilësor, në punë, në karrierë, në teknologji, në sport, në kulturë, në testimin dhe promovimin e aftësive të veta. Të përfitojë nga programet europiane, nga shkëmbimet akademike, nga politikat sociale, nga mundësitë për studime dhe nga qarkullimi i lirë i dijes. Nuk mund të kemi një shoqëri ku një pjesë e të rinjve kanë mundësi të pakufizuara për shkak të lidhjeve familjare, politike apo ekonomike, ndërsa pjesa tjetër duhet të përballet me pengesa të vazhdueshme për të siguruar edhe mundësitë më elementare. Barazia e mundësive duhet të vlejë për të gjithë, edhe për të rinjtë që nuk kanë prindër politikanë, zyrtarë të lartë, njerëz me ndikim apo me akses të privilegjuar në burimet publike.
Së katërti, duhet të rikthejmë konceptin e qytetarit të pavarur. Qytetarit që mendon lirshëm, që është i formuar, demokratik, kritik ndaj pushtetit, por edhe i përgjegjshëm ndaj komunitetit dhe vendit të tij.


