Prof. Dr. Qemal Lame: Evropa më e aftë për veprim
Bashkimi Evropian përballet me domosdoshmërinë e një pushteti qëndror që kërkohet të veprojë e të mos frenohet nga interesat e njëanëshme të shteteve të saj anëtare. Reformimi i brendshëm është edhe kushti për të hedhur hapin cilësor si supershtet edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këtë e kërkojnë popujt evropianë dhe shpreson edhe bashkësia ndërkombëtare për të siguruar e garantuar paqen e të ardhmen më të mirë për të gjithë.
Qeveria Gjermane dallohet në përkushtimin dhe nismat për forcimin e bashkësisë. Aktualisht po bën thirrje për heqjen e parimit të unanimitetit në BE për të përshpejtuar veprimet e mënjanuar pengesat e inreresave të njëanëshme të disa shteteve. Idetë nuk janë të reja, por BE-ja nuk ka bërë përparim të rëndësishëm në reforma vitet e fundit.
Vetoja e shteteve pengon marrjen e vendimeve në interes të gjithë bashkësisë
Momenti i asaj mbrëmjeje në dhjetor 2023 është një nga më të paharrueshëm në historinë e kohëve të fundit të Bashkimit Evropian: Kryeministri hungarez Viktor Orbán la sallën e mbledhjeve për një “pushim banjoje” gjatë një samiti të 27 krerëve të shteteve dhe qeverive. Kjo manovër, e orkestruar nga kancelari i atëhershëm Olaf Scholz, i mundësoi BE-së të vendoste unanimisht të fillonte negociatat e pranimit me Ukrainën. Ishte një nga truket më krijuese që Bashkimi Evropian ka përdorur vitet e fundit për të mbetur i aftë për veprim pavarësisht disidentëve individualë, pavarësisht parimit të unanimitetit në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Aftësia për të funksionuar
Në muajt e fundit, kundërshtimi themelor i Orbán ka prekur pyetje themelore në lidhje me aftësinë e Bashkimit për të funksionuar. Udhëheqësi hungarez i mbajti peng partnerët e tij dhe u imponojë kriza të përsëritura e në pamundësi për të gjetur zgjidhje me marrëveshje të përbashkët, kur vetoja e tij bllokoi dhënien e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për muaj të tërë. Vetëm pas tre ditëve që u bë e njohur humbja e zgjedhjeve nga partia që ai drejtonte, Qeveria e Orban pa njoftime të bujshme dha miratimin për kredinë e Ukrainës.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul foli të mërkurën, 06.05.2026, për një “kërcënim ekzistencial” të paraqitur nga parimi aktual i unanimitetit në çështjet e sigurisë, ku jeta dhe vdekja mund të jenë në rrezik. Në një fjalim kryesor në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, politikani i CDU-së bëri thirrje, ndër të tjera, për zëvendësimin e sistemit për çështjet e politikës së jashtme me shumicë të kualifikuar për të parandaluar bllokadat e zgjatura nga shtetet anëtare individuale.
Ideja nuk është e re, por pengesa mbetet e njëjtë: heqja e parimit të unanimitetit kërkon unanimitet midis të 27 shteteve anëtare të BE-së.
Populistët e krahut të djathtë janë gati të marrin kontrollin
Tani, vëzhguesit e largët të çështjeve të BE-së mund të mendojnë se me largimin e populistit të krahut të djathtë nga Budapesti, do të vihet në lëvizje edhe makineria e reformës në Bruksel. Ky supozim është gjithashtu i besueshëm duke pasur parasysh se Franca do të mbajë zgjedhje presidenciale në vitin 2027 dhe Polonia do të votojë për një parlament të ri. Ekstremistët e ekstremit të djathtë mund të marrin pushtetin në të dy vendet.
Po çfarë, kërkohet nga Brukseli?
Ndryshimi i pushtetit në Hungari teorikisht hap një dritare mundësie në të cilën një BE e bashkuar në mënyrë të arsyeshme mund të zbatojë reforma. Problemi është se politikanët kryesorë, veçanërisht nga Gjermania, janë të prirur të kërkojnë ndryshime rrënjësore. Në këto rrethana mendohet se nga shtetet anëtare nuk ka plane për skenarët më të këqij. Dhe kështu, prapa skenave, thuhet se aktualisht nuk po bëhet asnjë punë për të realizuar reformat e domosdoshme. Duket se po priten të përfundojnë zgjedhjet në dy shtetet në vitin 2027.
Me largimin e Orbanit, “forca lëvizëse” pas diskutimeve tani është zhdukur, sipas një diplomati. Kjo logjikë ka pak kuptim duke pasur parasysh rrezikun që BE po merr me qasjen e saj pothuajse neglizhente të “biznesit si zakonisht”. Sepse rregullorja i jep një vendi fuqi të konsiderueshme – dhe dëmi do të ishte shumë më i madh nëse nuk do të ishte vetëm një urrejtës i vetëm i BE-së nga Hungaria e vogël që ulet në tryezën e vendimmarrjes, por më tepër krerët e shteteve dhe qeverive euroskeptike nga shtete anëtare të fuqishme si Franca dhe Polonia që po i prishin punët. Shembull negativ mbetet Brexi anglez dhe rreziku i rikthimit në pushtet i të djathës ekstreme që realizoi largimin nga BE, u tërhoa nga pushteti për të larguar përgjegjësinë e saj për pasojat negative dhe tani manovron me vështirësitë që ndeshet Qeveria për tu rikthyer.
Ekspertët e konsiderojnë propozimin për heqien e vetos jorealist
Nga qëndrimet e shteteve anëtare, vërehet se ka dy pozicionime. Dymbëdhjetë vende mbështesin propozimin me shumicë të kualifikuar. Këto përbëjnë më pak se gjysma. Shtetet anëtare më të vogla, në veçanti, po i rezistojnë idesë që vendimet për politikën e jashtme dhe të sigurisë mund të miratohen me shumicë të gjerë prej dy të tretash. Argumentohte nga qeveritë, se e drejta e vetos ka për qëllim të mbrojë sovranitetin e tyre dhe u garanton se nuk mund të anashkalohen nga një koalicion i vendeve më të mëdha.
Njerëzit e brendshëm e konsiderojnë një ndryshim të shpejtë të traktateve “jorealiste”. Zyrtarët me përvojë të BE-së tani thjesht nuk po e mbështesin zyrtarisht, por as nuk e hedhin poshtë idenë për tu diskutuar në kushtet më të përshtatëshme. Nismat dhe diskutimet aktive të qeverisë dhe politikanëve gjermanë ndihmojnë për të futur pak vrull dhe mbajtur aktual debatet për reformimin progresiv të bashkësisë.
Në këto diskutime shihet si pengesë edhe zgjerimi i mëtejshëm i pritshëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor që po avancojnë me reformat, në krahasim me kandidatët e tjera që nuk kanë arritur apo nuk plotësojnë standartet.
BE ka të domosdoshme forcimin e mëtejshëm të pushtetit qëndror
Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Evropës punojnë aktivisht për të forcuar pushtetin qëndror të bashkësisë. Detyra kryesore dhe parësore mbetet arritja e marrëveshjes për heqien e vetos, pa u dëmtuar apo rrezikuar bashkësia në tërësi dhe mënjanuar tendecat regresive të grupimeve të së djathës ekstreme për shkëputje.
Nuk ka nisma apo mendime për rigrupime apo ndarje midis shteteve anëtare. Mbrohen e garantohen barazia dhe të drejtat e shteteve anëtare. Mendimi i 12 shteteve për heqien e të drejtës së vetos, nuk ka patur në përmbajtje idenë e ndarjes në dy grupime të shteteve që duan të funksionimin e bashkësisë pa të drejtën e vetos dhe të atyre që e duan veton.
Bashkimi Evropian do të mbështetet nga politikanët progresistë që të bëhet edhe fuqi gjeopolitike e gjeostrategjike dhe të zërë vendin që i takon në rendin e ri botëror, jo me një por me disa superfuqi.

