BotaOpinion

Prof. Dr. Qemal Lame: Evropianët dhe Amerikanët janë rivalë në Ballkan

Dorëheqja e detyruar nga SHBA-të e Christian Schmidt si Përfaqësues i Lartë i Komunitetit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë është më shumë sesa thjesht një çështje personeli në një vend të vogël në periferi të perceptimit evropian. Rasti tregon se evropianët dhe amerikanët nuk janë më partnerë në Ballkan, ashtu si i kemi menduar e vlerësuar, por më tepër rivalë gjeopolitikë.

Republika Srpska dhe Milorad Dodik e kanë shfrytëzuar me mjeshtëri këtë rivalitet

Milorad Dodik, politikani më i fuqishëm midis serbëve të Bosnjës dhe aleati më besnik i Putinit në Evropë, deri më tani e ka shfrytëzuar me mjeshtëri këtë rivalitet të ri. Pasi themeloi një parti në vitin 1996, ai fillimisht gëzoi mbështetjen e qartë të BE-së dhe SHBA-së, veçanërisht nga Sekretarja e atëhershme e Shtetit Madeleine Albright. Ajo që tingëllon e pabesueshme sot dukej logjike në atë kohë: Dodik kishte kundërshtuar rrjetet e kriminelit serb të luftës të Bosnjës Radovan Karaxhiç, e paraqiti veten si pro-perëndimor dhe e përshkroi gjenocidin serb ndaj myslimanëve të Srebrenicës pikërisht si gjenocid. Dodik dëshmon se është pro-lindor dhe i distancuar nga Perëndimi me politikën kundër integrimit evropian dhe lidhjet e ngushta me Rusinë e Kinën në dëm të politikave evropiane. Dodik është mbështetësi kryesor i politikës së Vuçiçit për “bashkimin e gjithë serbëve” dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Me këtë leitmotiv kërkohet të ligjërohet shkëputja e Republikës Serbe dhe bashkimi me Serbinë. Po këtë qëllim ka edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe përpjekiet për të rikthyer sundimin ose ndarjen e Veriut dhe bashkimi me Serbinë.

SHBA-të kritikohen se duan të shkatërrojnë dhe në pamundësi ta dëmtojnë BE-në

Politika e njëanëshme amerikane dhe tensionet në marrëdhëniet e SHBA me BE janë të ndjeshme e shqetësuese dhe ndikojnë dukshëm edhe në rajonin e Ballkanit.

Kjo ishte shumë kohë më parë. Sot, Dodik është forca kryesore e separatizmit në Bosnjë. Ai vazhdimisht kërcënon të shkëputë pjesën “e tij” të vendit, Republikën Serbe, nga pjesa tjetër e Bosnjës. Kjo ka qenë kështu për rreth njëzet vjet. Dallimi nga më parë është se ai tani vepron me miratim të heshtur amerikan, nëse jo me mbështetje të plotë nga SHBA-të, gjë që është logjike nga perspektiva e pushtetmbajtësve aktualë në Uashington. Ata e shohin veten jo si partnerë, por si konkurrentë të BE-së. Në Ballkan, ata po e pengojnë forcimin e pushtetit qëndror në Bosnjën – me shpresën se evropianët janë shumë të dobët dhe shumë të ndarë për ta kundërshtuar atë. Nëse kjo do të ndodhte, situata në Ballkan mund të bëhej përsëri e rrezikshme. Një e pesta e popullsisë së Republikës Serbe nuk janë serbë. Pakica më e madhe janë myslimanët boshnjakë, të cilët përbëjnë shumicën absolute në Bosnjë në tërësi. Ata nuk do të rrinë duarkryq nëse Dodik përpiqet të shkatërrojë vendin e tyre. Nëse shpërthen dhuna, Presidenti serb Vuçiç do të ishte përsëri nën presion për të ndihmuar “vëllezërit serbë në Bosnjë”. Nuk ka pse të vijë deri këtu. Por nëse SHBA-të tani vendosin në detyrë një pasardhës të bindur të Schmidt, rruga drejt kësaj nuk do të jetë më e bllokuar. Megjithatë, do të ishte gabim të besohej se posti i Përfaqësuesit të Lartë – i mbajtur nga kushdo – mund të parandalonte më të keqen në rast të një përshkallëzimi të përgjakshëm në Bosnjë.

Pafuqia e Përfaqësuesit të Lartë

Për Përfaqësuesit e Lartë në Bosnjë kanë qenë thjesht tigra letre shumë kohë para vitit 2021, kur Schmidt mori detyrën. Në letër, ata kanë fuqinë për të miratuar ose shfuqizuar ligje dhe për të shkarkuar politikanë të zgjedhur. Por atyre u mungon fuqia e pushtetit real për të zbatuar dekretet e tyre dhe imponuar politikën e unifikuar të sovranitetit shtetëror qëndror. Ata janë të burgosur të kafazit të tyre të tigrit prej letre në Sarajevë. Fakti që Dodik mbetet politikani më i fuqishëm midis serbëve të Bosnjës, edhe pse Gjykata Supreme e shpalli atë të shkarkuar nga detyra pas një konflikti me Schmidt për shpërfilljen e tij për dekretet e këtij të fundit, është vetëm një shembull.

Nëse dhuna shpërthen përsëri në Bosnjë, Përfaqësuesi i Lartë mund të jetë në gjendje të hartojë e publikojë një letër proteste me fjalë të forta në internet. Me kompetencat që ka, ai faktikisht do të ishte i pafuqishëm për të ndërhyrë dhe rivendosur rendin. Dhe nën pragun e dhunës, zyra dikur e dobishme ka qenë kundërproduktive për vite me radhë, pasi u lejon politikanëve vendas të fshihen pas Përfaqësuesit të Lartë kur marrin vendime jopopullore.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për 20 vjet ka bërë përpjekie për mbajtjen e ekulibrit politik dhe ruajtjen e konfederatës, por nuk ka mundur të imponojë refrma transformuese. Të pretendosh se është thelbësore për mbijetesën e Bosnjës gjykon gabim ekuilibrin e pushtetit. Dhe të besosh se një kandidat amerikan si Përfaqësues i Lartë do të vepronte në interesin më të mirë të një shteti shumëetnik boshnjak tregon mosvlerësim efektiv në rastin më të mirë.

Evropianët ende mund të ushtrojnë ndikim

Një alternativë është duke kundërshtuar emërimin e një pasardhësi të Schmidt sa më unanimisht të jetë e mundur. Tjetër mundësi është duke avokuar që zyra të shfuqizohet pas zgjedhjeve boshnjake në vjeshtë. Askush nuk do ta vërë re zhdukjen e saj. Çështjet e hapura, të tilla si shpërndarja e aseteve shtetërore midis niveleve të ndryshme të qeverisjes, mund të përfshihen gjithashtu si kushte në kapitujt individualë të negociatave të pranimit në BE. Megjithatë, kjo do të kërkonte që këto negociata të rifitojnë besueshmërinë. Bisedimet aktuale formale dhe pa fund në horizont, nuk e kanë atë. Në këtë boshllëk besueshmërie në oborrin e Ballkanit të Evropës, fuqi armiqësore si Rusia dhe Kina, po shtyjnë përpara ultranacionalizmin dhe pengojnë integrimin evropian të rajonit.

Ballkani Perëndimor është e domosdoshme të bëhet konkretisht pjesë e BE

Integrimi evropian i Bosnjes dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu në interes të SHBA dhe BE, në interes të unitetit e forcimit të Aleancës Euroatllantike dhe përballjes me Rusinë e Kinën. Ballkani si pjesë e rëndësishme e Kontinetit Evropian është dhe mbetet në qendër të gjeopolitikës, pasi është edhe mundësia për të ndikuar në zhvillimet politike e ekonomike të bashkësisë evropiane. Këtë përfundim e tregojnë politikat amerikane, marrëdhëniet faktike euroatllantike, ndërhyrja e pranija në rritje e Rusisë e sidomos e Kinës me investime të mëdha, gjendja e sigurisë dhe ardhmëria e jo e garantuar përfundimisht e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor në integrimin europian dhe në Nato. Edhe krizat politike në rajon e marrëdhëniet e pa normalizuara të Beogradit me Prishtinën, prej më shumë se 27 vjetëve pas Luftës në Kosovë, ndikohen edhe nga këto rivalitete.

Bashkëpunim e fuqizim të Aleancës Euroatllantike, mënjanimi i rivalitetit

Mendoj se është në interesin e përbashkët të SHBA dhe BE që të mënjanojnë rivalitetin e dëmshëm dhe të bashkëpunojnë ngushtë për stabilitetin politik të Bosnjes, të Ballkanit Perëndimor e gjithë Kontinetit Evropian.  Pengesa kryesore për zgjerimin e integrimin mbeten qëndrimet nacionaliste, e drejta e vetos së shteteve anëtare që kushtëzon vendimet me marrëveshje të përbashkët dhe presionet në rritje të grupimeve të djathta. Prandaj kërkohet dhe ndjehet e domosdoshme efektiviteti i bashkësisë në politikën e brendshme dhe të jashtëme. BE do të arrijë të bëhet më e fortë me reformimin sa më parë të bashkësisë si supershteti i gjithë evropianëve dhe me statusin gjeopolitik e gjeostrategjik në marrëdhëniet ndërkombëtare, krahas SHBA, Kinës e Rusisë.