Punimet për resortin e dhëndrit të Donald Trump në Zvërnec, reagon IKMT
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka dalë me një deklaratë sqaruese për punimet që kanë nisur në zonën Pishë Poro – Nartë, për ndërtimin e resortit luksoz dhe marinës nga dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump.
Në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikime në terren, nga ku është konstatuar se në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit të resortit.
Inspektoriati sqaron se këto punime rezulton se po kryhen nga subjekti zhvillues shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k dhe leja e rrethimit dhe punimeve përgatitore është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili kryesohet nga kryeministri Edi Rama.
Ky projekt bën fjalë për resortin dhe marinën luksoze që dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, pritet të ndërtojë në zonën e Zvërnecit.
Megjithatë, deri tani leja mbetet e pazbuluar dhe kompania që po kryen punime, raportohet se po bën vetëm rrethimin me gardh të pronës.
Deklarata e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit
Në përgjigje të interesimit të medias “Për verifikimin mbi punime të dyshuara në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) sqaron:
Në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikimet në terren në Pishë-Poro-Nartë.
Nga ky verifikim është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.
Këto punime rezulton se po kryhen në bazë të Vendimit Nr.5, datë 29.04.2026 “Për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Leja e sipër cituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 Kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development Sh.P.K.
Për çdo leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, IKMT krijon grupe të përbashkëta inspektimi në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit me synim garantimin e ligjshmërisë në zbatimin e projekteve të miratuara.

