Aktualitet

Qeveria nis anulimin e koncesionit të aeroportit të Vlorës

Përplasjet gjyqësore dhe konfliktet mes aksionerëve kanë çuar drejt fundit një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas konfirmimeve nga Ministria, shkaku kryesor i këtij vendimi është mospërmbushja e kontratës sa i përket respektimit të afateve të zbatimit të punimeve.

Konflikti mes dy shoqërive aksionere, Mabco Constructions të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit, solli pezullimin e plotë të punimeve në kantier dhe zhvendosjen e përplasjes në dyert e gjykatave.

  • Ultimatumi i Qershorit: Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, kishte deklaruar publikisht se qeveria iu la afat 30 ditë të dyja palëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për t’i hapur rrugë rinisjes së punimeve.
  • Faza tjetër kontraktore: Pasi afati kaloi pa asnjë zgjidhje mes aksionerëve, qeveria aktivizoi mekanizmat kontraktore për të çuar projektin drejt anulimit zyrtar.

Punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nisën zyrtarisht në nëntor të vitit 2021.