Aktualitet

Taulant Balla fshehje pasurie e pastrim parash? Gent Progni publikon dosjen që do të dërgojë në SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dyshohet se ka fshehur pasurinë. Një prej organizatorëve të protestave qytetare në Tiranë, Gentian Progni, ka publikuar në rrjetet sociale një faksimile të një dokumenti, ku shfaqet, mes të tjerëve, edhe emri i Taulant Ballës.

Dokumenti, që i përket një kontrate noteriale, përbëhet nga një faqe me dy kolona. Në njërën prej kolonave janë shënuar PRONARËT, ku, mes tyre, është edhe emri i Taulant Ballës, i cili ka firmosur gjithashtu pranë emrit të tij.

Në kolonën e dytë është shënuar INVESTITORI, ku figuron shoqëria S D Invest, e cila është në pronësi të biznesmenit Gentian Sula, i cili është pjesë e dosjes hetimore të Erion Veliajt.

Gjithashtu, në këtë kolonë gjendet edhe emri i shtetasit Alban Çinari, gjithashtu i përfshirë në bizneset e Gentian Sulës.

Në publikimin e Gent Prognit nuk jepen detaje se për çfarë bëhet fjalë, por dyshimi është se, nga formati i dokumentit, duket se kemi të bëjmë me një kontratë investimi, ku palët e përfshira, pra pronarët, me shumë mundësi japin pronën për t’u investuar nga sipërmarrësi ndërtues Gentian Sula.

Gentian Progni njofton se kjo dosje do të dorëzohet në SPAK, ndërsa e cilëson publikimin si informacion ekskluziv. Mbetet për t’u parë në vijim dorëzimi i kësaj dosjeje në SPAK dhe publikimi i të dhënave të tjera që lidhen me Taulant Ballën në këtë kontratë noteriale.