Politikë

Këlliçi: Rama solli deputeten Milva Konomi nga spitali për të siguruar 84 vota për Gent Sejkon

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka mobilizuar votat në Kuvend për të miratuar ndryshimet ligjore që, sipas tij, i garantojnë imunitet dhe paprekshmëri Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se për të siguruar 84 votat e nevojshme për miratimin e ligjit për bankat, mazhoranca ka sjellë në Kuvend edhe deputeten Milva Konomi, ndonëse, sipas tij, ajo ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

 

“Kur është fjala për të mbrojtur interesat e tij, Edi Rama i bën votat në Parlament edhe duke sjellë nga spitali deputetë, si rasti i sotëm me Milva Konomin”, shkruan Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, shumica e cilësuar e kërkuar për ndryshimet ligjore synon t’i ofrojë garanci Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe të kufizojë kontrollin e institucioneve të tjera, përfshirë Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH).

Këlliçi thotë gjithashtu se Rama ka interesa të drejtpërdrejta në sektorin bankar. Ai përmend licencimin e bankës Jet Bank, për të cilën thotë se është miratuar pa transparencë dhe jashtë kritereve, duke e lidhur me miq të kryeministrit nga Izraeli.

Deputeti i PD-së e cilëson Gent Sejkon si një zyrtar që i shërben kryeministrit dhe thekson se ligji i miratuar në Kuvend përbën një tjetër përpjekje të mazhorancës për të garantuar paprekshmëri për zyrtarët e saj.

“Çdo iniciativë e kanë për veten e tyre, për të siguruar paprekshmëri. Por regjimi do bjerë bashkë me tagrat, imunitetet dhe privilegjet. Të gjithë do shkojnë para drejtësisë”, përfundon Këlliçi në reagimin e tij.m.k