BotaSport

Shifra marramendëse për arbitrin e finales së Kupës së Botës! Ja sa do të paguhet Slavko Vinčić

Sipas medias sllovene Delo, ai do të arkëtojë rreth 60 mijë dollarë për gjykimin e finales.

Arbitri slloven Slavko Vinčić është përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, një emërim që konsiderohet kulmi i karrierës së tij në arenën ndërkombëtare.

Vendimi i është komunikuar nga kreu i Komisionit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, ndërsa 46-vjeçari nuk e ka fshehur emocionin për besimin e marrë. Ndeshja finale do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në New York, me fillim nga ora 21:00, ku Vinčić do të ndihmohet nga asistentët Tomaz Klancnik dhe Andraž Kovačič.

Përveç prestigjit të drejtimit të ndeshjes më të rëndësishme të turneut, arbitri slloven pritet të përfitojë edhe një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Sipas medias sllovene Delo, ai do të arkëtojë rreth 60 mijë dollarë për gjykimin e finales.

Raportohet gjithashtu se fitimet totale të Vinčić gjatë gjithë Kupës së Botës mund të arrijnë deri në 140 mijë dollarë, pasi në këtë shumë përfshihet edhe tarifa fikse për pjesëmarrjen në turne, si dhe pagesat për çdo ndeshje të drejtuar.

Megjithatë, FIFA nuk ka bërë ende publike zyrtarisht shifrat që lidhen me pagesat e gjyqtarëve, ndaj këto të dhëna mbeten të bazuara në raportimet e mediave.