Politikë

Shou me Samitin e Diasporës: Emigrantët, që i shesin si diasporë

Prej disa vitesh, Shqipëria organizon një të ashtuquajtur “Samit i Diasporës”.

Në të ftohen emigrant të ndryshëm që jetojnë në Shqipëri, por dhe politikanë shqiptarë që jetojnë në vendet fqinje.

Aty flitet për fatin e shqiptarëve nëpër botë dhe çfarë duhet bërë më shumë për ta.

Tani, që në fillim, kjo është një hipokrizi e madhe.

Kjo, sepse nuk mund të quash emigrantët që janë larguar nga Shqipëria këto 30 vitet e fundit, diasporë.

Ata janë shqiptarë që janë larguar nga vendi i tyre, për shkak të korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së drejtësisë, arsimit, shëndetësisë etj.

Nuk janë diasporë. Janë shqiptarë që janë detyruar të largohen nga Shqipëria, për faj të qeverive të majta e të djathta.

Diasporë quhen ata që janë larguar nga Shqipëria fjala vjen në kohën e Turqisë, por jo emigrantët e sotëm.

Arbëreshët mund të quhen diasporë, por jo emigrantët që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Amerikë apo kudo tjetër, shumica e të cilëve ende kanë pasaportën shqiptare, madje edhe shtëpitë apo familjet në Shqipëri.

Dhe ata e kanë ruajtur shumë mirë traditën dhe kulturën shqiptare, pa pasur nevojë për ndihmën e shtetit shqiptar.

E dyta, politikanët shqipëfolës nga vendet fqinje, që ftohen në këtë Samit, si përfaqësues të Diasporës, nuk janë diasporë.

Ata janë autoktonë në vendet e tyre.

Thjesht sot, nuk janë pjesë e Shqipërisë, për shkak të rrethanave.
Vox news