SKANDALI! Inceneratori që mori miliona, por nuk zhduku dot plehrat: Elbasani mbi një bombë mjedisore
1.5 milion ton mbetje industriale me metale të rënda vijojnë të mbeten pa një plan konkret trajtimi
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah një situatë shqetësuese mjedisore në Elbasan. Ujërat që grumbullohen në të dy anët e landfillit dhe rrjedhjet prej tij po ndotin ujërat nëntokësore dhe lumin Shkumbin. Inceneratori nuk funksionon për shkak të mungesës së fondeve dhe kostove të teknologjisë, ndërsa 1.5 milion ton mbetje industriale me metale të rënda vijojnë të mbeten pa një plan konkret trajtimi.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për ndotjen e mjedisit në bashkitë Elbasan dhe Krujë ka nxjerrë në dritë probleme të rënda në administrimin e mbetjeve, kontrollin e ndotjes dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Gjetjet më shqetësuese për Elbasanin lidhen drejtpërdrejt me landfillin e qytetit, ndotjen e ujërave të lumit Shkumbin, mosfunksionimin e inceneratorit dhe trashëgiminë e rrezikshme industriale të ish-Metalurgjikut.Raporti nuk përshkruan thjesht mangësi administrative. Ai evidenton se, pavarësisht ekzistencës së lejeve mjedisore dhe procedurave formale, ndotja vazhdon, ndërsa masat e institucioneve përgjegjëse nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta frenuar.Një ndër konstatimet më të forta të auditimit ka të bëjë me landfillin e Elbasanit, ku depozitohen mbetjet urbane.Sipas KLSH-së, megjithëse depozitimi kryhet sipas procedurave dhe me leje mjedisore, kjo nuk ka penguar krijimin e një problemi serioz për mjedisin përreth.“Depozitimi në Landfill i mbetjeve urbane kryhet sipas procedurave dhe me leje mjedisore, por pellgjet e ujërave të grumbulluara në dy anët e landfillit Elbasan dhe kullimet e ujit, krijojnë ndotje nëntokësore dhe siparfaqësore të ujrave të lumit Shkumbin”, thuhet në konkluzionet e raportit.Ky është një nga konstatimet më të rënda të dokumentit, pasi tregon se problemi i landfillit nuk kufizohet vetëm brenda territorit ku grumbullohen mbeturinat.Ujërat e grumbulluara në të dy anët e fushës së mbetjeve dhe rrjedhjet e tyre, sipas audituesve, ndikojnë në ndotjen e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore të Shkumbinit.Pra, edhe pse landfilli disponon leje mjedisore, KLSH konstaton se sistemi i menaxhimit nuk ka arritur të shmangë ndotjen e burimeve ujore.Ky dallim është thelbësor. Një leje mjedisore nuk mund të konsiderohet garanci për mbrojtjen e mjedisit kur vetë institucioni suprem i auditimit konstaton se rrjedhjet nga venddepozitimi po krijojnë ndotje.Për më tepër, raporti thekson se masat e ndërmarra deri tani nuk janë të plota dhe kërkon një menaxhim të integruar të mbetjeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor.Në këtë situatë ngrihen pikëpyetje serioze për mënyrën se si është kontrolluar landfilli, për masat e marra ndaj rrjedhjeve dhe për efektivitetin e monitorimit të ujërave në zonën përreth.Çfarë analizash janë kryer për ujërat që dalin nga fusha e mbetjeve? Sa shpesh janë kontrolluar rrjedhjet dhe çfarë masash konkrete janë marrë për të parandaluar përhapjen e ndotjes drejt Shkumbinit? Raporti evidenton problemin, por nuk jep një bilanc të plotë të përqendrimeve të ndotësve në lumë apo të ndikimit të tyre në shëndetin e banorëve.Problemi bëhet edhe më i rëndë kur gjetjet për landfillin lidhen me situatën e inceneratorit të Elbasanit.KLSH evidenton se impianti i trajtimit të mbetjeve nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë dhe, sipas informacionit të administruar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, po mbush një vit jashtë pune.Arsyet e përmendura në raport janë mungesa e fondeve dhe mungesa e leverdishmërisë ekonomike të teknologjisë së instaluar.Kjo do të thotë se Elbasani përballet njëkohësisht me dy probleme të lidhura: një impiant që nuk po kryen funksionin për të cilin është ngritur dhe një landfill ku KLSH konstaton ndotje të ujërave.Në vend që sistemi i trajtimit të mbetjeve të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme, auditimi tregon se hallkat kryesore të tij kanë mangësi të theksuara.Raporti nënvizon edhe nivelin e ulët të riciklimit. Sipas audituesve, mungojnë procese të mirëfillta riciklimi dhe trajtimi sipas standardeve, përfshirë masat për eliminimin e ndotësve që mund të prekin tokën dhe ujërat përreth venddepozitimeve.Kështu, problemi nuk është vetëm fakti që inceneratori nuk punon. Problemi është se i gjithë zinxhiri i menaxhimit të mbetjeve, nga grumbullimi dhe diferencimi deri te trajtimi përfundimtar dhe kontrolli i ndotjes, rezulton me mangësi.KLSH kërkon që Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet e tjera, të ndërmarrë masa për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, adresimin e problematikave të evidentuara gjatë inspektimeve dhe parandalimin e ndotjes së lumenjve.Një tjetër rekomandim lidhet me ndalimin e djegies së mbetjeve në ambiente të hapura, përfshirë zonat e landfilleve. Audituesit kërkojnë masa parandaluese dhe ndëshkuese për raste të tilla, duke e trajtuar këtë praktikë si një burim shtesë të ndotjes së ajrit.Por landfilli dhe inceneratori janë vetëm një pjesë e problemit mjedisor të Elbasanit.Një tjetër gjetje veçanërisht e rëndë lidhet me ish-Kombinatin Metalurgjik, ku sipas KLSH-së vijojnë të jenë të depozituara rreth 1.5 milion ton mbetje industriale.Bëhet fjalë për mbetje të trashëguara nga aktiviteti i industrisë së rëndë, përfshirë materiale që përmbajnë metale të rënda, si ferrokromi dhe ferronikeli.Auditimi i konsideron këto mbetje një burim të vazhdueshëm presioni mjedisor dhe rreziku potencial për komunitetin.Megjithatë, pavarësisht përmasave të problemit, KLSH konstaton mungesën e një plani sektorial veprimi dhe të masave konkrete për zgjidhjen e situatës.Në konkluzionet e raportit thuhet se për sasinë prej 1.5 milion ton mbetjesh industriale nuk ka një plan të mirëfilltë për trajtimin e tyre nga institucionet qendrore dhe vendore.


